Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, Lulzim Basha ka prezantuar Platformën Qytetare për Demokracinë, e cila sipas tij është bashkëpunimi me çdo grup interesi që kërkon ndryshimin në vend. Basha tha se PD do të vazhdojë denoncimin e regjimit të Edi Ramës, brenda dhe jashtë vendit.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Rruga drejt realizimi të këtij misioni nuk është e lehtë dhe as e tillë që Partia Demokratike mund ta përshkojë e vetme. Ajo fillon duke u dhënë pushtet qytetarëve. Ndaj me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill, ne ftojmë shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim rrënjësor në punët e vendit, dhe rezultate të prekshme për veten dhe fëmijët e tyre, që të ndërtojmë së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë.
Ndërtimi i kësaj platforme do të ketë në themelin e saj rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.
Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore: Intelektualë, studentë, pedagogë, sipërmarrës, artistë, gazetarë, profesionistë, fermerë, të rinj e të reja që kërkojnë kthimin e normalitetit në vend.
Që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.
Që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozime për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe modelit të dështuar ekonomik që po i marrin frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike dhe e shpëtojnë shtetin nga kapja e një pakice që kërcënon të ardhmen e vendit.
Ne nuk do të rreshtim përpjekjet tona brenda dhe jashtë vendit, derisa ndryshimi të vijë për shumicën e shqiptarëve që e donin këtë ndryshim në 25 prill, dhe e duan edhe më shumë sot, kur oferta e vetme që Rama ka, është më shumë krim, më shumë korrupsion dhe më shumë dështime.
Ne angazhohemi fort për ta kthyer shtetin shqiptar në shtet të shqiptarëve. Për ta kthyer në shtet europian. Shtet i cili mbron lirinë individuale. Garanton paprekshmërinë e jetës. Mbron pronën private dhe publike. Mbron paratë dhe ekonominë e njerëzve. Mbron dinjitetin dhe personalitetin e njeriut.
Ndaj ne do të ndërmarrim, të gjithë bashkë, të gjitha vendimet e nevojshme për ta çuar deri në fund luftën tonë kundër këtij regjimi, përmes përsosjes së mëtejshme të qeverisjes së shtëpisë tonë të përbashkët. Një shtëpi ku secili gjen vendin e vet.
Kreu i PD-së Lulzim Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, tha se PD doli më e fortë dhe më e bashkuar nga zgjedhjet e 25 Prillit, të cilat sipas tij nuk kishin asnjë lidhje me demokracinë.
Basha tha se PD u bë pjesë e zgjedhjeve duke përdorur vetëm mjete të ndershme, ndërsa Edi Rama është i korruptuar dhe i pabesë.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Edhe pse 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur.
Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë.
Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë.
Ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama.
Të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me institutet dhe institucionet prestigjioze të Perëndimit.
Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale që e kemi prekur bashkë shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, sipërmarrje në sipërmarrje me të gjitha grupet e interesit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore,
me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit,
me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi,
me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve që u bashkuan për herë të parë ndër vite me përfaqësuesit e tyre në selinë e Partisë Demokratike përmes programit tonë.
Një program i detajuar, me angazhime konkrete, për cdo sektor të shoqërisë, që vendosi gishtin tek plagët e shumta të vendit, që ofronte zgjidhje për të cliruar potencialin e cdo shqiptari, që clironte dhe zhvillonte potencialin e Shqipërisë, të ndrydhur, të mpakur, të boshatisur, të ngecur në vendnumëro në 8 vite nga një fatkeqësi kombëtare që e quan veten qeveri.
Një program që ka në qendër familjen shqiptare, si shtylla e politikave tona; një program që synon forcimin e shtresës së mesme, si motori i zhvillimit dhe i transformimit të shoqërisë, sepse një shtresë e mesme e fortë është garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit.
Të vetëdijshëm që shqiptarët meritojnë një politikë që punon për ta dhe jo për vete, ne qëndruam pranë njerëzve në nevojë, pranë të papunëve, pranë familjeve shqiptare, pranë studentëve dhe të rinjve shqiptarë, pranë sipërmarrësve të ndershëm dhe fermerëve, pranë gazetarëve që luftojnë përditë për të vërtetën dhe artistëve dhe intelektualëve që luftojnë për gjallimin e jetës së kombit.
Ne nuk lejuam që mjegulla hileqare e propagandës kundër kësaj lufte të drejtë, të na largonte nga njerëzit dhe vështirësitë e tyre të vogla e të mëdha.
Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me regjimin: Te demokracia që shkatërrohet, tek zgjedhjet që vidhen, tek e drejta që shkelet.
Dhe pa u fituar kjo luftë, për cdo shqiptar, të majtë apo të djathtë, atëhere cdo zgjedhje e lirë në jetën e secilit prej tyre, cdo përpjekje e gjithsecilit prej tyre për punësim, për arsimim për të patur një jetë më të mirë, do të jetë e pamundur.
Jemi ne që luftuam dhe luftojmë kundër kriminalizimit të politikës, dhe sfidës që krimi i organizuar po i bën çdo vlere të shoqërisë tonë me bekimin dhe ortakërinë e Edi Ramës, sepse ne nuk mund të pranojmë kurrë që institucionet publike të përqafojnë një model, që askush nuk do ta pranonte për familjen apo fëmijët e tij.
Ne nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në parlament dhe bashki.
Ne kemi luftuar dhe luftojmë që institucionet e shqiptarëve të jenë të lira nga ndikimi i krimit dhe në shërbim të qytetarëve.
Ne e dimë fare mirë, që kur ky tumor përhapet në indet e një partie politike, metastazat e tij kapin gjithë shtetin, deri në atë pikë sa sot është e qartë për të gjithë pa përjashtim, se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale.
Kemi denoncuar korrupsionin marramendës të këtij regjimi, që duke përfituar nga vakumi i drejtësisë, e çoi Shqipërinë në një tatëpejtë të frikshme, duke e renditur të parën në Europë për korrupsion dhe të dytën në botë për ryshfetin që shërbëtorët dhe ortakët e Ramës u rrëmbejnë qytetarëve dhe sipërmarrjeve.
Miliarda euro dëme ekonomike, të paktën 7 sipas raporteve të KLSH-së, që mund të ishin përdorur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, shkuan në xhepat e regjimit Rama-Doshi.
Nga të dhënat e Bankës Botërore dhe BERZH ryshfeti që merr ky regjim u kushton bizneseve shqiptare 550 milionë euro në vit, ose 1.5 milionë euro në ditë, një shumë tre fish me e lartë se ajo që raportohej në 2013-ën.
Para që mund të shkonin për shkolla, spitale, rrugë, paga më të mira për mësues dhe mjekë, pensione më të dinjitetshme për të moshuarit tanë që meritojnë një pleqëri të bardhë, larg shqetësimeve për faturat përherë e më të kripura të dritave dhe ujit, larg ankthit për ilacet që nuk mund të përballojnë dhe tryezës që bëhet gjithmonë e më e varfër.
Përballë përmbysjes së marrëdhënive të qytetarit me shtetin që ka prodhuar ky regjim i korruptuar, misioni i Partisë Demokratike është t’ua kthejë qytetarëve kontrollin mbi shtetin e tyre.
T’u kthejë shumicës së shqiptarëve të drejtën për të jetuar një jetë të plotë dhe të lirë për realizimin e aspiratave të tyre, këtu pranë familjeve dhe miqve të tyre. Larg trysnisë së një pushteti që ka depërtuar dhunshëm në cdo qelizë të shoqërisë, një shteti që merr gjithcka dhe nuk jep asgjë.
T’ua kthejë të drejtën për të vendosur, t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëv
Kuvendi i PD-së nisi me një minutë heshtje në nderim të kujtimit të viktimave që humbën jetën si pasojë e Covid 19 në vendin tonë, ndërkohë që punimet pritet që të vijojnë deri në orët e pasdites, ku dhe do të votohen 300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.
7500 delagatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike janë thirrur këtë të për të votuar Këshillin e ri Kombëtar të kësaj force politike. Mes 600 emrave të propozuar në kryesi nga Lulzim Basha, Kuvendi do të përcaktojë me votë 300 anëtarët e rinj të këtij forumi, që do të përzgjedhë më pas edhe Kryesinë re, ndonëse kësaj të fundit ende si ka mbaruar mandati.
Lista e gjatë e propozimeve të kryedemokratit nuk ka sjellë surpriza, pasi Basha e ka parë të udhës që të dërgojë për votim të gjithë anëtarët e kryesisë dhe ata të Këshillit Kombëtar, përfshi edhe kritikët e tij, Edit Harxhin, ish-Sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani dhe Kryetarin e Këshillit, Bujar Nishani.
Por ky i fundit për shkak të posteve të larta që ka mbajtur nuk i nënshtrohet votimit duke u zgjedhur automatikisht. Ajo që ngjall kureshtje është se pas kritikave të forta në adresë të Bashës, a do ta ripropozojë emrin e Nishanit sërish për të drejtuar Këshillit Kombëtar, apo kryedemokrati ka vendosur t’ia besojë drejtimin e këtij organi ndonjë figure tjetër me peshë në PD.
Gjithashtu, të shtunën do të votohen edhe ndryshimet statutore të propozuar nga kreu i demokratëve Basha, të vetmet që morën pëlqimin e Kryesisë. Përmes tyre Basha synon zgjerimin e kryesisë, Këshillit Kombëtar, shtimin e sekretariateve dhe atë të nënkryetarëve.
Kuvendi Kombëtar do të njihet gjithashtu edhe me analizën e humbjes së demokratëve në zgjedhje, që e cilësojnë masakër elektorale. Pas Lulzim Bashës dhe 19 drejtuesve politikë të qarqeve, fjala do të jetë e hapur për këdo.