Ai quhet Ilir Kupa! Është një emër i njohur nga të gjithë brenda dhe jashtë vendi, ndoshta për vetë faktin se zhurma e tij erdhi nga një prej ngjarjeve më të rënda që kanë ndodhur në Greqi, me shqiptarë që dhunohen, akuzohen dhe dënohen me burgime të përjetshme për çfarëdo lloj vepre penale që kanë kryer apo edhe iu kanë lënë autoritetet greke!
Por tani nuk do të flasim për histori shqiptarësh të pambrojtur nga vetja dhe shteti i tyre por për një të dënuar shqiptar që është izoluar prej shumë ditësh në burgun e Burrelit. Ai ka emra për të denoncuar ndërkohë që ka nisur kërkese edhe për tek autoritetet e vendit ndonëse sigurisht askush nuk i ka kthyer përgjigje. Ai pretendon se është i marrë peng nga ana e autoriteteve të Burgjeve me urdhër nga Tirana ndërkohë që nga data 24 prill ai është i izolim total, i dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht dhe ndër të tjera i kanë rrëmbyer edhe sendet personale.
Është kushëriri i parë i tij i cili ka hasur në një presion të fortë psikologjik nga punonjësit e policisë së Burgjeve në Burrel teksa ka shkuar të takojë kushëririn e tij të transferuar pas asnjë lloj motivacioni drejt burgut të Burrelit. Kushëriri i tij, Hasan Neziri, një i ri nga Kruja, tregon se gjithçka nisi teksa mora një letër nga Ilir ta sillja për tek Avokati i Popullit dhe tek drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Po ndërsa atij iu kanë marrë të gjithë gjërat personale, Neziri është kërcënuar se do të ndiqej penalisht nëse ai guxon dhe shkon edhe njëherë tjetër në ato ambiente. Dhe në fakt kështu ka ndodhur! Ai ditën e djeshme, ka shkuar sërish atje t`i çojë kushëririt të tij rroba dhe ndonjë ushqim dhe nuk është lejuar nga rojet e burgut. Sipas dëshmisë së tij nga ambientet e jashtme të burgut, autoritetet e burgut nuk i kanë njohur dokumentin e lëshuar nga Bashkia e Krujës që është autoritet kryesor për njohjen e identitetit të banorit të vet.
Neziri tregon se ndaj tij po lëshohen akuza dhe se ai është i frikësuar nga kërcënimet që i bëhen sa herë shkon të takojë kushëririn e tij ndërkohë që vetë i dënuari Ilir Kupa, ka mundur të komunikojë me “Pafrikë.al” nga salla e gjyqit në Krujë ku u soll të gjykohej ende për dosjet e Greqisë. Ai ka mundur të flasë dhe të tregojë gjendjen aktuale me të cilën po përballet në burgun e Burrelit, ku ai pretendon që në fakt është i marrë peng nga dy zyrtarë të burgut të Burrelit.
Reagimi i Ilir Kupës
Unë jam një rast i paprecedent, besoj se në asnjë lloj regjimi nuk ka ndodhur kjo që i ndodh personit tim. Ndaj meje po ushtrohet dhunë çnjerëzore në Burgun e Burrelit nga shefi i Policisë se burgut, Kadri Hoxha, dhe specialisti i trupës Berti Patushi. Unë jam marrë peng prej disa ditësh dhe mbahem në izolim vetëm pse kam njoftuar autoritetet për arbitraritetin që po ushtrohet ndaj meje.
Po më mohohet të gjitha të drejtat dhe edhe pse jam në grevë urie prej disa ditësh ata sërish me kanë hequr çdo mundësi komunikimi me jashtë; nuk me lënë të flas në telefon, të takoj njerëzit e familjes, të kem laps e letër të shkruaj e mbi të gjitha më kërcënojnë edhe një kushëri i cili është i vetmi që i ka mundësitë fizike të vijë e të më takojë këtu ku më kanë transferuar. Meqë unë vazhdoj të jem në proces gjyqësor dhe gjyqin e kam në Krujë iu kërkova të më kthenin ën Fushë-Krujë atje ku kam edhe njerëzit e mi, por atje në fakt vijnë njerëzit që kanë lekë e unë meqë nuk jam me lekë edhe pse më akuzojnë si grabitës, që nuk është kurrë e vërtetë, më transferojnë ku duan.
Iu bëra një kërkesë e shkrim se nëse nuk do më kthenin në Fushë-Krujë do hyja në greve urie. Bënë shaka me mua drejtori i Burgut dhe atij i Edukimit dhe nisën të talleshin dhe të më përbuznin. Më pas dola në kabinën e burgut dhe vura në dijeni tri institucione: Drejtorinë e Burgjeve, ku fola me dikë me një numër telefoni 0 68 20…00, Ministrinë e Drejtësisë, ku vura në dijeni një punonjës me emrin Adil Kuqi dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Këto veprime ndodhën paraditen e datës 25 prill. Më pas më thirrën në drejtori, më kërcënuan dhe më futën në izolim.
Drejtori i Burgut, shefi i Edukimit, specialisti i trupës dhe vetë shefi i policisë. Nisën të më gjuanin me shkelma dhe grushte; dy më mbanin që të mos bija e dy më gjuanin. Të nesërmen më thirrën prapë që të heq dorë nga kërkesat e unë refuzova. Atëherë më dhanë 10 ditë izolim. Iu kërkova mjek pasi kisha dhimbje nga të rrahurat çnjerëzore po nuk më lejuan sepse nuk donin që ngjarja të merrej vesh në ministrinë e Drejtësisë.
Unë jam në gjendje të keqe jo vetëm fizike por edhe mendore pasi këta më kërcënojnë. Unë vijoj grevën e urisë dhe nëse nuk do merren masa do të ndërpres edhe ujin! Iu bëj thirrje të gjitha institucioneve të vënë dorë sa mos të jetë vonë, pasi e kam të pamundur mbijetesën në kushte të tilla dhune çnjerëzore nga drejtuesit e burgut të Burrelit.
https://www.pafrike.al/skandali-si-dhunohet-dhe-izolohet-me-urdher-nga-lart-i-burgosuri-ne-burrel/