Shtrenjtimi i energjisë, Kuvendi i Kosovës sot në seancë të jashtëzakonshme

0
102

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Në rend dite është vetëm një pikë, debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga PDK-ja, në koordinim edhe me partitë tjera opozitare, LDK-në dhe AAK-në. Partitë opozitare në seancën e Kuvendit të mbajtur të enjten e kaluar, kanë ngritur shqetësim për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

AAK-ja propozoi një projekt-rezolutë përmes së cilës kërkohej që të mos ketë ngritje të çmimeve, por ajo nuk u miratua pasi nuk gjeti edhe mbështetjen e Vetëvendosjes që ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvend. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri gjatë një konference për media, deklaroi se do ta ndalojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është e nevojshme.

“Një seancë e tillë është e nevojshme dhe miratimi i një rezolute që do ti kërkojë ZRrE-së për mos ngritjen e çmimeve. Për ne është e rëndësishme parandalimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, deklaroi Tahiri. Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi javën e kaluar deklaroi se do të bëhet propozimi i një rezolute që sipas tij do të ndaloj rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.