Nga Ilir Kokdhima
A e dini se sa artistë Shqiptare janë pjesë e Orkestrës së Radio Televizionit të Maqedonisë, Filarmonisë së Maqedonisë, Orkestrës Frymore të Ushtrisë të Maqedonisë apo Teatrit të Operas dhe Baletit i përbërë nga rreth 500 artistë?
E pra nuk ka asnjë shqiptar që është pjesë e ketyre Institucioneve kulturore!!!
Eshtë mjaft ironike dhe njekohesisht e trishtë që në këtë vend shqiptarët janë popull shtet-formues dhe pikerisht Ministri i Kultures është Shqiptar.
Në vitet e kaluara shqiptarëve nuk u është lejuar e drejta të studiojnë për instrumente muzikore, por vetëm për teori muzikore duke gjetur kështu një mënyrë për t’i cunguar, për t’i larguar dhe gjithashtu për t’i ulur nga ana artistike, nga ajo e trashëgimisë kulturore, apo anë të tjera. Pas trazirave dhe kërkëses së shqiptarëve të Maqedonisë për të pasur të drejtat e tyre legjitime, filluan dhe levizjet e para për të dalë nga kjo situatë vakuumi. Edhe me mungesë të kapacietit pedagogjik, ngritën Universitetin e Tetovës. Megjithëse kaluan më shumë se 23 vite, ky universitet vazhdon të mos i ketë të gjitha degët e muzikës sepse mungojnë edhe prurjet nga shkollat e mesme të muzikës (mjaft të pakta në numër). Mendoj që ky fakt ka një ndërlidhje me pranimin dhe qasjen e shqiptarëve pikërisht në këto Institucione Kulturore ku ata nuk janë aspak të mirëpritur!
Një prej sakrificave së fundmi nga artdashësit shqiptar është ajo e hapjes së paraleles së muzikës ne gjuhën Shqipe në qytetin e Kumanovës. Kjo lëvizje u prit me shumë entuziazëm në rrethin shoqëror e kulturor, por a mjafton vetëm kaq? Për shkak së këto shkolla kanë nevoja apo specifika të veçanta, nuk duhet të kënaqemi thjesht me hapjen, por edhe me pajsjen e saj me isntrumente muzikore, me literaturën përkatëse apo edhe me pedagogët e lëndëve.
A është Ambasada Shqiptare e interesuar dhe e gatshme për t’i mbështetur me të gjitha detyrimet që i takojne? Duke pasur eksperiencën personale dhe duke parë historikun e saj them që nuk e ka bërë aspak detyrën e saj si përfaqesuese e denjë e një populli të braktisur.
E gjithë kjo situatë ka një zgjidhje e cila ashtu si edhe në problematika të tjera tejkalohet përmes ligjit. Personalisht mendoj se duhet të hartohet një ligj ku institucionet kulturore në vend të kenë jo më pak se 27% të artistëve shqiptar mes tyre. Kjo menyrë do të nxisë hapjen e shkollave të reja te muzikës, prurje të shumta në Universitetin e Tetovës apo Shkupit dhe gjithashtu ngritjen e nivelit artistik mes shqiptareve të Maqedonisë.
Në mbështetje të kesaj kauze, në Kumanovë do të jetë mikpritësi i eventeve kulturore në dt 27 Prill ora 15:00. Në këtë datë do të mbahet Ekspozita “ Midis Shekujsh” nga Z. Ermal Sela dhe koncert nga Ansambli “Albanian Brass Quintet & Percussion”. Në këtë mbrëmje do të shfaqen instrumente shekullore të cilat përdoren ende në ritet apo ceremonitë e ndryshme, si dhe do të luhet muzikë shqiptare dhe e huaj në një menyre krejt të veçantë nga “Albanian Brass Quintet&Percussion”. Qershia mbi torte në këtë mbrëmje do të jetë tenori nga Kumanova, Z. Ismet Vejseli.
Ne këtë event do të na shoqërojnë edhe surpriza të tjera. Universiteti i Arteve të Tiranës në bashkëpunim me festivalin “Albanian Brass Festival”, do të japë një bursë master-class për një prej studenteve më të dalluar të Kumanovës. Ky student do të marrë mësime nga Pedagogët në Tiranë, do të jëtë pjesë e koncerteve gjatë festivalit dhe gjithashtu do të paJset me diplomën përkatëse e cila do të jetë një kredit më shumë në jetën e tij artistike. Emri i këtij artisti të ri do të shpallet ditën e eventit më dt 27 Tetor.
Ky event i rëndësishem, organizohet nga Profesori i muzikës në këtë qytet Z. Ramadan Osmani.