Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Shqiptarët më të refuzuarit, 80% e aplikuesve për azil, nën 34 vjeç

Nga 27.al 0

Shqipëria, e cilësuar si e sigurt nga BE, mbetet ndër vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve, duke u përgjigjur me 3% të totalit të tyre në vlerë absolute. Shifrat janë më të trishta kur i krahasojmë me vendet e tjera. Në raport me popullsinë, azilkërkuesit shqiptarë ua kalojnë edhe “të arratisurve nga lufta” dhe konflikteve etnike, megjithatë aplikimet e tyre janë më të refuzuarat në vendet e BE-së. 80% e aplikuesve janë më të rinj se 34 vjeç, ndërsa popullsia në moshë pune brenda kufijve të Shqipërisë, po tkurret

Nga Ledina Loga

Emigracioni është një dramë për këdo që e përjeton, pavarësisht formës. Por nuk janë të pakta as pasojat në ekonominë e vendit, në rënien e produktivitetit dhe në plakjen e popullsisë. Fotoja e babait të mbytur së bashku me fëmijën dy vjeç buzë lumit Rio Grande, në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara tronditi botën, duke risjellë në vëmendje krizën e ashtuquajtur humanitare që po përjetojnë vendet e zhvilluara.

Shqipëria, e cilësuar si e sigurt nga BE, mbetet ndër vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve, duke u përgjigjur me 3 % të totalit në vlerë absolute…

Prej vitesh, Bashkimi Europian po përballet me emigrantët nga vendet e Lindjes që po arratisen nga konfliktet civile, por në mesin e tyre (10 vendeve kryesore të origjinës) është edhe Shqipëria, që tani për tani, nuk është e përfshirë nga asnjë konflikt civil dhe është kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Tremujori i parë i 2019-s, për fat të keq, shënoi sërish rritje të numrit të aplikimeve për herë të parë për azil nga shqiptarët, pas një periudhe të gjatë në rënie. Në muajt e parë, numri i aplikimeve për azil ishte 1645 nga 1310 një vit më parë, me një rritje dyshifrore prej 26%. Pjesa më e madhe e aplikimeve të reja janë regjistruar në Francë, rreth 43% e totalit. Duke qenë se shteti francez ndjek politika më pak shtrënguese në lidhje me azilantët, prej kohësh Franca është bërë vendi kryesor i shqiptarëve që kërkojnë azil. Vetëm gjatë 2018-s, numri i azilkërkuesve në Francë ishte 8,280, nga mbi 19 mijë aplikime që u bënë në të gjithë Bashkimin Europian për atë vit, sipas të dhënave të raportuara nga Eurostat. Raporti i fundit i EASO (European Asylum Support Office), tregon se rreth 42% e aplikimeve të shqiptarëve në vitin 2018 janë bërë në Francë.

Prej 2014-s kanë aplikuar për azil 155,803 shqiptarë. Piku i aplikimeve u shënua në vitin 2015, me 67 mijë e 100 aplikime. Prej atëherë, numri i aplikimeve të reja ka rënë vazhdimisht. Në 2018-n, numri i aplikimeve për azil në raport me një vit më parë u ul me 14%. Por, shqiptarët rezultojnë që janë të refuzuarit më të mëdhenj të Europës. Nga periudha 2014-2018 janë refuzuar gjithsej 96.4 mijë kërkesa nga shqiptarët, që në vlerë absolute është më e larta nga të gjitha vendet e tjera të botës dhe përbën 11% të totalit të refuzimeve nga e gjithë bota. Pas Shqipërisë renditet Kosova me 7% të refuzimeve totale, e ndjekur nga Afganistani dhe Pakistani(6%), Nigeria, Iraku, Rusia (4%).

BURIMI: EASO (EUROPEAN ASYLUM SUPPORT OFFICE)

Mesatarisht, 80% e aplikuesve për herë të parë për azil ishin më të rinj se 34 vjeç. Në 2018-n, sipas Eurostat, 79.3% e azilkërkuesve shqiptarë i përkisnin kësaj grupmoshe, 29% e tyre ishin më të vegjël se 18 vjeç, ndërsa 50% e aplikueseve i përkisnin grupmoshës 18-34 vjeç. Aplikantët për azil, për herë të parë nën 34 vjeç, përbënin 1% të popullsisë së asaj grupmoshe. Numri total i aplikimeve për herë të parë i të rinjve, sipas publikimit të Eurostat është 140,390 nga viti 2009. Sigurisht, që edhe për këtë grupmoshë, rekordi i aplikimeve u shënua në vitin 2015, me një numër prej 53,175 aplikimesh. Në tre vitet në vijim, numri i aplikimeve të reja ka rënë.

Të refuzuarit e mëdhenj

BURIMI: EASO (EUROPEAN ASYLUM SUPPORT OFFICE)

Një ndër shkaqet kryesore pse po ulet numri i aplikimeve të reja është shkalla e lartë e refuzimit nga vendet e BE-së. Për të njëjtën periudhë (2014-2018) refuzimet e aplikimeve nga shqiptarët në instancat më të larta përllogariten të jenë sa 62% e totalit të aplikimeve për herë të parë. Në total, numri i refuzimeve në instancat më të larta ishte 96.4 mijë refuzime. Në 2018-n, numri i refuzimeve ishte mbi 10 mijë dhe thuajse gjysma e tyre shënohen në Francë.

Për sa u përket refuzimeve të aplikimit, ndër vendet raportuese, numrin më të lartë e kanë Gjermania dhe Franca, ku në këtë të fundit refuzimet ishin 37,700, ndërsa 14% e tyre ishin për aplikuesit nga Shqipëria. Në rregulloren e Komisionit Europian mbi emigrimin dhe mbrojtjen ndërkombëtare, një aplikues mund të përfitojë:

1) Garantim të statusit të refugjatit
2) Garantim të statusit të mbrojtjes
3) Garantim të autorizimit për të qëndruar për arsye humanitare (mbrojtje humanitare)
4) Status të përkohshëm të mbrojtjes
5) Refuzim të aplikimit

Për vitin 2018, sipas EASO janë marrë 18,415 vendime në Shkallën e Parë për aplikimet. Në më shumë se 90% të rasteve, autoritetet e emigracionit të shteteve përkatëse të Bashkimit Europian kanë marrë vendimin për të refuzuar kërkesën. Vetëm 1% e rasteve kanë marrë statusin e refugjatit dhe po aq iu është garantuar një autorizim për të qëndruar për arsye humanitare, ndërsa 5% kanë marrë statusin e mbrojtjes. Shqipëria renditet e teta për numrin e dhënies së një vendimi të Shkallës së Parë. Ndër këto 20 vende, Shqipëria, Gjeorgjia dhe Ukraina kanë përqindjen më të ulët të vendimeve që ju japin azilkërkuesve statusin e refugjatit, ndërsa kanë përqindjen më të lartë të vendimit për të refuzuar kërkesat për azil.

Megjithatë, edhe vendimet finale nuk kanë shumë ndryshime nga vendimet finale që janë dhënë për shqiptarët. Në 2018-n, janë marrë 12,175 vendime përfundimtare, por sërish pjesa më e madhe e tyre kanë qenë refuzim ndaj kërkesës, ndërkohë është rritur numri i vendimeve finale për dhënien e statusit të refugjatit.

Mbi 11 mijë shqiptarë u dëbuan me forcë nga BE-ja

11500 shqiptarë janë dëbuar me forcë nga Bashkimi Europian. Kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe, duke marrë në konsideratë që një pjesë e vendeve, si p.sh. Gjermania, nuk raportojnë dëbimet me forcë. Në 2018-n, pjesa më e madhe e dëbimeve me forcë janë kryer nga Greqia, me 6500 të dëbuar, gati gjysmën e totalit. Në vend të dytë renditet Franca. Si vendi kryesor i azilantëve shqiptarë, Franca numëroi 2810 dëbime në 2018-n, me një rritje prej 7% në krahasim me 2017. Edhe numri i të larguarve në mënyrë vullnetare ka qenë më i lartë në krahasim në 2017-n, me 980 largime vullnetare nga 705 që ishin, me rritje 39%.
Në vend të tretë renditen të dëbuarit me forcë nga Italia. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i tyre ishte 1290, me një rritje 68% në krahasim me 2017.

BE urdhëroi të largoheshin 22 mijë të tjerë

Eurostat ka publikuar edhe shifrat e individëve që janë urdhëruar të largohen nga Bashkimi Europian. Në 2018-n, rreth 22,380 shqiptarë u urdhëruan që të largohen. Megjithatë në krahasim me një vit më parë, ky numër u ul me 31%. 10 vite më parë, numri i të dëbuarve nga Bashkimi Europian ka qenë relativisht i lartë. 2009 shënoi 63195 largime të shtetasve shqiptarë me urdhër, pjesa më e madhe e të cilëve ishin nga Greqia. Vitet e fundit, ku edhe shifrat e azilkërkuesve në vendet e Europës Perëndimore u rritën, urdhrat e largimit janë gjeneruar pikërisht nga këta të fundit. Kështu, në 2015-n, gati 16 mijë shqiptarë lanë Gjermaninë për shkak se morën një urdhër largimi. Me rënien e valës së aplikimeve për azil në Gjermani, edhe numri i largimeve me urdhër ka shënuar ulje. Sipas Eurostat në vitin 2018, rreth 3800 shqiptarë e lanë atë, apo 63% më pak se një vit më parë.

Me mijëra raste kanë mbetur pezull

Ndërsa mbi 10 mijë persona morën përgjigjen përfundimtare se aplikimi i tyre është refuzuar, në zyrat e emigracionit në vendet e Bashkimit Europian qëndrojnë shumë dosje të mbetura pezull. Sipas raportit të EASO, numri i çështjeve të mbetura pezull në 2018-n ishte 17850, rreth 21% më shumë se një vit më parë. Mbretëria e Bashkuar shënon numrin më të lartë të çështjeve të mbetura pezull nga azilkërkuesit shqiptarë, me rreth 23% e totalit. Në Bashkimin Europian, dy vendet që numërojnë më shumë raste të mbetura pezull janë Gjermania me 384 mijë raste dhe Italia, me gati 103 mijë raste të lëna pezull.

Shumë heqin dorë

BURIMI: EASO (EUROPEAN ASYLUM SUPPORT OFFICE)

Statistikat flasin për një numër jo të vogël të individëve që kanë aplikuar për azil, të cilët heqin dorë nga ky vendim. Duke qenë se norma e refuzimit të kërkesës për azilkërkuesit shqiptarë është shumë e lartë, shumë bëjnë kërkesë të parakohshme për të hequr dorë nga azili, që “të mos djegin” lëvizjen e lirë në zonën “Schengen”. K. A. aplikoi për herë të parë për azil në vitin 2016 në Dortmund të Gjermanisë. Tashmë, ai është i riatdhesuar në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë, ka humbur të drejtën për të lëvizur në shtetet e “Schengen”.

Ai thotë për “Monitor” se do të kishte qenë më mirë për të, që të kishte hequr dorë nga aplikimi për azil, sikurse bënë edhe azilkërkues të tjerë që ai i njohu në kampet e azilantëve. K. Shpjegon se pak kanë mundësi që të punojnë në një nga vendet e BE-së me periudha tremujore (90 ditë). Prej vitit 2014, mbi 19 mijë persona kanë hequr dorën nga aplikimi për azil, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë në Greqi.

Si numri i aplikimeve të reja për azil, edhe ai i dorëheqjeve kanë rënë gjithashtu. Në 2018-n pati 34% më pak tërheqje në krahasim me një vit më parë. 2016-a shënoi numrin më të lartë të tërheqjeve, me 7245 tërheqje. Një vit më parë, numri i aplikimeve për herë të parë për azil shënoi shifrën rekord me mbi 67 mijë aplikime.

Më shumë shqiptarëve po ju “mbyllen dyert” e kufijve

BURIMI: EASO (EUROPEAN ASYLUM SUPPORT OFFICE)

Gjatë vitit 2018, 23,400 shqiptarëve “iu mbyllën dyert” e kufirit për të kaluar në një nga vendet e Bashkimit Europian. Pjesa më e madhe këtyre refuzimeve ishin nga kufiri me Greqinë, tregojnë të dhënat e publikuara nga Eurostat.

BURIMI: EUROSTAT

Sipas Eurostat, rreth 11,075 shqiptarë u penguan që të kalonin kufirin nga Greqia, duke përbërë kështu gati gjysmën e refuzimeve të kalimeve të kufirit.

Në fakt pjesa më e madhe e refuzimeve të kalimit të kufirit për shqiptarët ka ndodhur nga kufijtë tokësorë. Vendi i dytë me numrin më të lartë të refuzimeve për shqiptarët është Kroacia, me 2670 refuzime, Hungaria renditet e treta me 2345 refuzime.

Burime për “Monitor” thonë se këta dy kufij përdoren kryesisht nga individë të cilët kanë thyer ditët e lejuara të qëndrimit në zonën “Schengen”, pasi kanë filtra kontrolli më të ulëta. Megjithatë në të dy këta kufij, numri i refuzimeve i kalon 5000. Pas tyre, Mbretëria e Bashkuar renditet me 1455 refuzime për kalim dhe Franca me 1450 refuzime. Ndërsa Gjermania, numëron vetëm 615 refuzime për kalim.

Që prej 2011-s, vit kur Shqipërisë iu hoq kufizimi për të lëvizur në zonën “Schengen”, numri i refuzimeve ka qenë i lartë. Sipas të dhënave të Eurostat ndër vite, në 2011, numri i refuzimeve shënoi 16,805, shtatë herë më i lartë se një vit më parë.

Deri në vitin 2015, shtetasit shqiptarë kanë pasur një numër mesatar refuzimesh për të kaluar kufirin prej 14,800 refuzimesh. Në tre vitet e fundit, numri i ndalimit të kalimit në kufi do të dyfishohet. Rritja e parë e madhe u shënua në 2016-n, ku referuar të dhënave nga Eurostat u refuzuan që të kalonin 31,460 shqiptarë. Ndërsa rekordin do ta shënonte në vitin 2017, me 35,660 refuzime për të kaluar kufirin.

Mbi 34 mijë shqiptarë, ilegalë në një nga vendet e BE-së në 2018

Nuk është i pakët numri i shqiptarëve që, në pamundësi për t’u pajisur me dokumentacionin dhe lejet përkatëse, janë detyruar që të jetojnë ilegalisht në një nga vendet e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, vetëm në vitin 2018 në të gjithë Bashkimin Europian janë identifikuar 34,810 shqiptarë ilegalë. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, numri i tyre ka rënë me 13%, nga mbi 40 mijë në 2017-n.

Të dhënat në dekadën e fundit tregojnë se numri i shqiptarëve që jetojnë ilegalë në BE ka pasur ulje-ngritje. Para 10 vitesh, në vitin 2009, u shënua rekordi, ku në Europë numëroheshin 69 mijë shqiptarë. Më pas, numri i tyre shënoi ulje, veçanërisht pas heqjes së vizave për shqiptarët në zonën “Schengen” në 2011, ku numri i shqiptarëve ilegalë ishte 17,245.

Ndër vite, Greqia ka raportuar numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë pa letra. Në vitin 2018, numri i shqiptarëve që qëndronin në mënyrë të jashtëligjshme në Greqi ishte 11,190, apo sa 32% e totalit të shqiptarëve ilegalë në të gjithë BE-në. Në vend të dytë renditet Gjermania, ku sipas Eurostat në 2018-n janë identifikuar 6570 shqiptarë që jetojnë atje ilegalisht, rreth 38% më pak në krahasim me 2017-n, e ndjekur nga Franca me 4355, Mbretëria e Bashkuar me 3580. Ndërsa në Itali, gjatë 2018-s u identifikuan rreth 3025 shqiptarë pa dokumentet përkatëse të qëndrimit, rreth 8% e totalit të personave ilegalë në të gjithë BE-në. Numri i tyre në Itali u rrit me gati 600 emigrantë më shumë në krahasim me një vit më parë

Në vitin 2018 u shënua rritje e numrit të emigrantëve shqiptarë ilegalë në Holandë. Holanda po kërkon të vendosë sërish regjimin e vizave me Shqipërinë. Në 2018-n u identifikuan rreth 1000 emigrantë ilegalë në Holandë, rreth 2.3 herë më shumë se një vit në parë. Numri i emigrantëve shqiptarë ilegalë në Holandë është rritur, veçanërisht në tre vitet e fundit.
Shifrat janë rritur edhe në Spanjë, ku vetëm në vitin e fundit janë identifikuar 1035 emigrantë ilegalë, gati 30% më shumë se një vit më parë. Prej 2014-s, edhe emigrantët e identifikuar si ilegalë në vendin e Gadishullit Iberik kanë qenë në rritje.

Fëmijët e pashoqëruar azilantë

Shqipëria ka qenë një ndër vendet kryesore të origjinës, edhe për të miturit e pashoqëruar që kanë kërkuar azil. Duke qenë se shumë vende të Bashkimit Europian ndjekin politika sociale dhe politika jo shtrënguese për minorët, shumë shqiptarë kanë nisur fëmijët, duke shfrytëzuar moshën e re, për të përfituar azil në një nga vendet BE-së me shpresën për një jetë më të mirë. Në vitin 2018, numri i të miturve nga Shqipëria që kërkuan azil ishte 490, me rënie 8% në krahasim me një vit më parë. Mbretëria e Bashkuar ishte vendi kryesor për fëmijët shqiptarë me rreth 58% të kërkesave në total.

Sipas raportit të EASO, numri më i lartë i fëmijëve të pashoqëruar nga Shqipëria u shënua në vitin 2015-a, me 1065 kërkesa të reja dhe, prej atëherë, numri i fëmijëve të pashoqëruar ka rënë.

Situata në Europë, Shqipëria në 10 vendet kryesore

EASO prodhon çdo vit një raport mbi situatën e azilantëve në Bashkimin Europian, ku jep trendin dhe analizon ndryshimet vit pas viti në shtetet anëtare. 2018 shënoi 664,480 mijë aplikime për mbrojtje ndërkombëtare në vendet anëtare të BE-së, duke shënuar rënie me 10% për të tretin vit radhazi.

Rreth 9% e të gjitha aplikimeve përfshinin aplikime të përsëritura. Numri i aplikimeve në BE ka arritur thuajse në nivelin e 2014-s, kur u paraqitën 662,165 kërkesa. Në raport theksohet se numri i aplikimeve ka mbetur i qëndrueshëm në vitin 2018. Siria me 13%, Afganistani dhe Iraku (me 7% secili) ishin 3 vendet kryesore të origjinës së aplikantëve, ku të tre së bashku përbënin 27% të totalit në 2018-n. Shqipëria, Venezuela dhe Gjeorgjia, me 3% të totalit secila, së bashku me Pakistanin, Nigerinë, Iranin dhe Turqinë me 4% secila, përbënin 10 vendet kryesore të origjinës.

Edhe në 2018-n, dy të tretat e aplikantëve ishin meshkuj, ndërsa thuajse gjysma e tyre ishin të moshë 18 deri në 35 vjeç, ndërsa një e treta ishin minorenë. Sipas të dhënave të EASO, rreth 20325 minorenë të pashoqëruar aplikuan për azil në një nga vendet anëtare, duke shënuar rënie të fortë me 37%, krahasuar me vitin 2017. Thuajse tre të katërtat e aplikantëve u vendosën në vende si Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Greqia dhe Holanda.

Për të shtatin vit me radhë, Gjermania pati numrin më të lartë të aplikimeve me mbi 184 mijë, por në krahasim me një vit më parë, numri i tyre u ul me 17%. Ndryshe nga Gjermania, aplikimet në Francë u rritën për të katërtin vit radhazi, duke shënuar 120,425 në 2018-n. Ky është një nivel rekord për Francën deri më tani. Edhe numri i aplikimeve në Greqi është rritur vazhdimisht në 5 vitet e fundit, ku në 2018-n shënoi 66,965 aplikime.
Ndryshe ka ndodhur në Itali, ku numri i aplikimeve ra me 53%. Në 2018-n janë tërhequr afërsisht 57400 aplikime. Norma e tërheqjeve që aplikimeve në raport me numrin në total ishte 9% më e ulët se një vit më parë

Për sa i përket rasteve të mbetura pezull, në fund të 2018-s, stoku i tyre ishte 896,560 aplikime të cilat presin një vendim final nga vendet e BE-së. Numri i tyre është 6% më i ulët krahasuar me një vit më parë. Numri i çështjeve të mbetura pezull ka shënuar vitin e dytë në rënie.
Në raport, nënvizohet se rastet e lëna pezull në instancat më të larta janë rreth 448 mijë, thuajse sa ato të lënë pezull për t’u marrë një vendim në shkallën e parë. Në fund të vitit 2018, Gjermania vazhdon të mbetet vendi me stokun më të lartë të rasteve të mbetura pezull.

/monitor/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej