Nga Albinot Maloku
(Vështrim mbi dramën ‘Karrika e nxehtë, i autorit Sokol Plakolli, Shkabat, Prishtinë, 2016)
“Karrika e nxehtë” është drama më e re e autorit (regjisorit dhe aktorit) Sokol Plakolli e cila vjen për publikun shqiptar dhe të huaj në format libri, në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe boshnjakisht. Nga tematika e dramës mund të themi se autori, idenë fillestare të tij e ka nisur që moti dhe ngjarjet e zhvilluara në këtë vepër i bashkëndjenë secili nga popujt e Ballkanit në formën e vet, dhe sidomos ata popuj që e kanë përjetuar përgjakjen nga urdhërdhënësi i krimeve Sllobodan Millosheviqit, e me theks të veçantë nënat që kanë humbur fëmijet e tyre nga ky kasap i Ballkanit. Drama zhvillohet në botën e përtejme, dhe përcjellë etjen për drejtësinë, sidomos drejtësinë hyjnore e cila është shpresa e fundit për viktimat e kriminelit që Gjykatat e kësaj bote nuk arriten ta gjykojnë me drejtësinë e tyre.
Prej kur ekziston drama e letërsia, tematika e luftës është prezente dhe së cilës temë ende nuk po i duket fundit, e me gjasë kjo tematikë do të jetë prezente sa të ketë jetë në këtë botë. Drama “Karrika e nxehtë” shtjellon në temën bazë të saj luftën, e sidomos pasojat e pasluftës dhe kërkimin e drejtësisë nga viktimat për kriminelët dhe bëmat e tyre. Autori Plakolli përmes kësaj drame, e cila përveç se si botim është shfaqur edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por që pa shpjegime bindëse është pezulluar, sjellë personazhe që historia nuk do ti harroj kurrë. Personazhi kryesor i dramës është nëna, të cilën autori e vendos në piedestalin e saj kryesor, e që është padyshim butësia, burimi i jetës, mëshira, sakrifica, krenaria, nderi, paprekshmëria dhe fuqia për të provuar të falmen edhe kur ajo nuk mund të imagjinohet. Nisur nga këto, autori Plakolli është kozmopolit dhe për të nëna, pa dallim kombi, race, gjuhe, kulture, shteti, feje është nënë, dhe në dramen e tij thotë: “Po lëndove një nënë, ke lënduar nënat e botës”. Më pastaj autori e lokalizon vuajtjen e nënës përmes personazhit të nënës kosovare dhe luften e saj në kërkim të drejtësisë për vuajtjet e shkaktuara nga ata të cilëve nuk u pati asgjë borgj për të përjetuar ato vuajtje. Nëna e pa kënaqur me drejtësinë e Gjykatave të kësaj bote, ndaj atij që e përvuajti, e përvëlojë zemren e saj, si pasojë e vdekjes së kasapit të Ballkanit, para se ti përfundonte procesi gjyqësor, ajo thotë: “Por tashmë ai ka vdekur. Mua nuk më ka mbetur tjetër pos të pres ‘Gjykimin e botës së përtejme’.
Autori i dramës “Karrika e nxehtë”, Sokol Plakolli, kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq e personifikon me personazhin e diktatorit, i cili sikur iku tinëzisht nga drejtësia e gjykatave të kësaj bote, por që gjykimi i tij vazhdon, sipas dramës së Plakollit në botën e përtejme. I pakënaqur si gjithsecili në Ballkan me Tribunalin e Hagës për krimet e ndodhura në hapësirën e ish-Jugosllavisë, autori Plakolli e vendos personazhin e Millosheviqit në karrikën e zjarrtë dhe të nxehtë të gjyqësisë hyjnore. Autori përmes personazhit të Diktatorit, i personifikon të gjithë ata lider që viktimizuan popuj të ndryshëm, nga mendimi që kurrë dhe në asnjë moment nuk do të gjykohen për gjenocidet e holokaustet e përjetuara nga popujt të ndryshëm. Nisur nga rrjedhat e tanishme nëpër botë, në të cilen ende po shkaktohen gjenocide e krime nga diktator të kalibreve të ndryshme, autori Plakolli përmes dramës së tij, ‘Karrika e nxehtë’, me bërtim do që tua rikujtoj edhe këtyre që nuk do të mund ti ikin drejtësisë. Drama edhe pse zhvillohet në botën e përtejme, si e tillë do të ngelet dramë e përtejme me një mesazh shumë të fortë: ‘Drejtësia do ta gjejë gjithësecilin’.
Duhet rikujtojmë se drama është konverzacionale, që themelet e saja i mbështet në dialogun e zhvilluar mes diktatorit e nënës së tij, të cilën ai edhe e fajëson, edhe kërkon ndihmen e saj, por edhe i qjerrë fytyren e vërtet. Më pastaj dialogu mes diktatorit dhe nënës kosovare si dhe zërit të nënave që nxjerrin zëra sikur një korë me tinguj të njejt. Drama fillon edhe me një monolog të diktatorit, i cili edhe në karriken e nxehtë tek sa digjet, nxjerr mentalitetin e tij prej të retarduari dhe me injorancë e sarkazëm i nënçmon e përqeshë prononcimet e liderëve botëror të kohës që lajmet i transmetojnë pas vdekjes së tij. Ndjenja e katarzisit nuk duket gjë kundi tek diktatori, edhe pse nga ai presin të gjithë ndryshimin dhe ndryshimi është fillimi i pranimit të fajit dhe kërkim falja.
Drama ‘Karrika e nxehtë’ e thyen formatin e kohës, vendit, ngjarjes dhe kjo nga se zhvillohet në një kohë e vend që nuk mbështetet në të provuar por në të besuar dhe kjo paksa e sakralizon dramën. Autori nuk i jep vetës të drejtën ta gjykojë askënd, këtë e shpreson vetëm tek drejtësia hyjnore, mirëpo provon që ta familjarizoj ngjarjen përmes imazheve të kësaj bote me ndërhyrjen e pastërtisë hyjnore.
Shtatë pjesët apo siç janë të shënuara në formatin e botuar të kësaj drame, tablot janë të ndara dhe lexuesi edhe pa e parë në skenë mund t’ia krijoj vetës imazhin si në formë filmi për të gjitha ngjarjet.
Mesazhi kryesor të cilit autori i mëshon përmes ‘Karrikës së nxehtë’ është kërkim falja dhe pranimi i fajit. Kërkim falja është shenja e parë e cila ia qetëson shpirtin edhe të vrarëve e të varrosurve, por edhe të mbijetuarve. Kërkim falja është kryefjala e të gjitha nënave, kërkim falja është hapi i parë drejtë katarzisit. Këtë autori Plakolli përmes dramës së tij nuk e lanson si kërkesen dhe mesazhin kryesor, sa për tu dukur vetëm kushtëzues i arritjes së një qetësie mes viktimave e kriminelit, por nga se beson fuqishëm se kërkim falja e mëshiron edhe kriminelin. E mëshiron, nga se e nxjerr nga errësira e tij, edhe diktatorin, për ta parë krimin dhe për ti eksploduar ndërgjegjja të cilin çdo krijesë e në veten e tij e ka, si dhuratë nga Krijuesi. Këtë kërkesë e kanë parashtruar edhe boshnjakët, edhe kroatët e edhe shqiptarët ndaj pasardhësve të fronit të diktatorit Millosheviq dhe kjo kërkesë ende vazhdon të mos gjejë pasardhës të tij, me kurajo për ta pranuar dhe shprehur këtë kërkim falje me përulësi e sinqeritet. Kërkim falja është thirrje e të gjitha kombeve, feve, racave, gjinive, orientimeve të çfarëdollojshme, por edhe kërkesë kryesore e Krijuesit për krijesën e tij. Pra, kërkim falja është hapi i parë dhe mesazh kryesor edhe i dramës ‘Karrika e nxehtë’ të autorit Sokol Plakolli.