Fjala e plotë e kryetarit Shpëtim Idrizi, mbajtur në Kongresin e parë të PDIU
Të dashur motra dhe vëllezër delegatë,
Të dashur miq të ftuar nga të gjithë viset ku shqiptarët jetojnë atje ku e ka dashur Zoti,
Do të doja të kisha mundësi t’ju thërrisja secilit emër për emër dhe të përqafoja gjithkënd prej atyre dhjetra mijëra votuesve shqiptarë të PDIU-së. 58 mijë në zgjedhjet e 2013-ës, 65 mijë në zgjedhjet e 2015-ës. Dhe 100 mijë zgjedhësit tanë në zgjedhjet e ardhëshme, kurdoherë qofshin!
Dëshiroj t’u them faleminderit për besimin. Faleminderit për mundësinë që na dhatë për t’i shërbyer çështjes së bashkimit kombëtar, duke e nisur nga kauza jonë themelore Çështja Çame!
Faleminderit për mundësinë për t’i shërbyer Shqipërisë së Madhe, sepse si çdo komb në botë, nuk ka vend të vogël, kur në shërbim të saj janë gra e burra të fortë si ju në këtë sallë! Si gjithë ata që na ndjekin, na besojnë dhe na bëjnë të shpresojmë në ëndrrën tonë të përbashkët për një Shqipëri të plotësuar, për një Shqipëri që të parët nuk na e lanë të ndarë, ndaj është detyra jonë ta ribashkojmë, ashtu si Zoti e deshi Një! Një dhe Një të vetme!
Të dashur miq të ftuar, diplomatë dhe gazetarë,
Të dashur simpatizantë dhe votues të PDIU-së,
Me dorë në zemër dua t’ju them se sot ndjehem krenar.
Jam krenar që jam shqiptar!
Jam krenar që jam nga Çamëria!
Jam krenar që përshëndes këtë ngjarje të madhe, tubimin e parë të PDIU-së.
Ne, sot jemi edhe në një Kongres partie, edhe në një Odë të madhe shqiptare; ODË KOMBËTARE!
Odë e traditës, Odë moderne!
Ky është Kuvendi i Odës së grave dhe burrave të fortë, të mençur, të rinj dhe të moshuar, nënash e motrash që dinë të lindin e rritin burra të urtë për të jetuar me dinjitet.
Skena e kësaj salle më krijon idenë e Odës Kombëtare! Shiheni mirë pamjen e kësaj salle, shqiponjën që ka hapur krahët në të dy anët. Ja ku janë mysafirët nga Kosova, nga Lugina e Preshevës, nga Maqedonia, nga Mali i Zi, nga Turqia, nga Vatra shqiptare e SHBA-ve!
Janë dhe miq të huaj, diplomatë.
Mes nesh është dhe avokati i shquar i të drejtave të njeriut, Avokati i Çështjes Çame, drejtues i një studioje ligjore britanike, Kharim Khan!
Ju lutem, një duartrokitje për të gjithë këta!
Oda si koncept, nuk është diçka krahinore, por mbarëkombëtare!
Odën e kanë kosovarët në Veri, por e kanë dhe çamët në Jug! Madje, ne çamët e quajmë Bashoda. Bashin e odave, ballin e tyre!
Oda është institucioni më i vjetër shqiptar që i bashkon të gjithë ata që në dejet e tyre kanë gjakun e Skënderbeut!
Dhe meqë jemi tek Skënderbeu, jam shumë i lumtur që Kombëtarja jonë e futbollit, shkon e merr fuqinë për Europianin nga ai që është simboli i shqiptarësisë në botë, nga armët e tij në Muzeun e Vjenës!
Kjo është koha! Koha kur Bashkimi Kombëtar po jetësohet në formën më të bukur, më të suksesshme, më shpresëdhënëse, më rinore, më të fortë, më masive me milionat e mbështetësve nga Kombëtarja jonë e futbollit!
Oda jonë e madhe e PDIU si po e shihni të nderuar motra dhe vëllezër që jeni këtu, por dhe ju që na ndiqni nëpërmjet mediave, është një Odë që e respektojnë të gjithë. Këtu mes nesh duan të jenë të gjithë, sepse sot PDIU është faktor i pashmangshëm i politikës shqiptare, i ndjesisë kombëtare!
Tek Oda e PDIU duan të jenë të gjithë dhe ne ftojmë gjithkënd të jetë pjesë me ne! Nga ana tjetër të gjithë të mëdhenj e të vegjël duan ta kenë PDIU-në në Odën e tyre! Ndaj sot, Odën tonë e nderojnë miq të shquar nga të gjithë viset shqiptare. Këtu sot do të bëhet një bilanc i asaj çfarë ka arritur PDIU në pak vite që nga themelimi! Do të përcaktohen objektivat për të ardhmen!
Do të themelohen institucionet drejtuese të partisë! DO të bëhet HARTA dhe UDHËRRËFYESI PËR TË ARDHMEN! Të dashur miq,
Ne kemi ardhur në këtë kongres pas një sërë aktivitetesh intensive të këtyre muajve të fundit.
Nga tubimet e Dibrës, Pogradecit, Elbasanit, Durrësit, Devollit, Fierit, Beratit pa lënë mënjanë Vlorën, Sarandën, e gjetkë, unë, por jo vetëm unë, kam parë diçka të rëndësishme!
Kemi parë sesa shumë ka bashkëjetuar, bashkëpunuar e frymëzuar në vetëm pak vite jetë PDIU-ja, me ndjeshmërinë kombëtare të popullit shqiptar, me krenarinë tonë kombëtare të tyre, me Idenë e përbashkët kombëtare për të sotmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët!
Së bashku e nxorëm ndjenjën kombëtare nga zemrat dhe mendjet dhe e futëm në sallën e Kuvendit, në protestat tona, në stadiumet tona kuqezi, në stadiumet europiane të veshura kuqezi! A e patë sa të mëdhenj jemi si komb, e patë sa shumë jemi?
Ky është momenti, kur të gjithë kuptuam dhe jemi gati të kuptojmë përfundimisht se së bashku jemi shumë, se së bashku jemi të mëdhenj.
Në këto vjet ne i jemi drejtuar popullit, kombit me idetë tona, me doktrinën e patriotizmit modern dhe thirrja jonë ka kumbuar, ka jehuar dhe është pranuar në shumicë dërmuese nga shqiptarët.
Kurrë më parë nuk ka jehuar më fort dhe më madhërisht krenaria e të qenit shqiptar. Ne ju drejtuam juve të dashur bashkëkombas, me thirrjen tonë dhe jehona e përgjigjes tuaj kumboi në mendjet dhe zemrat tona; Këtë ide madhështore, këtë doktrinë solemne, ne e gjetëm tek intelektualët, tek qytetarët, duke sublimuar vullnetin e tyre për vetëmjaftueshmëri, për pavarësi, për mbrothësi kombëtare si thoshte Arbën Xhaferri!
Ndjenja kombëtare që PDIU përfaqësoi me organizimet e veta, me gratë, me Klubin e Patriotëve të Rinj ka krijuar simpati tek të gjithë brezat, duke u rritur, duke u forcuar cilësisht dhe numerikisht; Nuk ka kaluar shumë kohë kur ne, një grup politikanësh, aktivistësh krijuam dhe jetësuam një parti kombëtare. E theksoj kombëtare dhe jo një parti rajonale! PDIU u rrit dhe po rritet pandalshëm, sepse doktrina jonë, aksioni jonë jehoi mes jush dhe u kthye ne më e fortë! Kjo nuk është thjesht histori. Nuk është thjesht aksioni që ne bëmë në disa vite atë që të tjerët tentuan me dekada ta bëjnë dhe kanë dështuar ta bëjnë.
Kjo nuk është vetëm histori suksesi: është dhe një sukses historik për të nesërmen e të gjithë ne shqiptarëve që kishim e kemi nevojë të jashtëzakonshme për patriotizmin modern, nevojë të jashtëzakonshme për identitetin tonë kombëtar në mozaikun e madh të familjes europiane.PDIU e afron një gjë të tillë!
Të dashur motra dhe vëllezër,
Nga Lumi i madh i anëtarësimeve, i pjesëmarrësve në votimin një anëtar, një votë, për drejtuesit e forumeve të PDIU-së, unë kuptova dhe pata edhe një arsye më shumë për të kuptuar se PDIU është shpresë; Pse e them këtë? PDIU nuk ka qenë asnjëherë në pushtetin qendror në lartësinë që do duhej të kishte; pra ajo nuk ka votues, anëtarë si pjesë e klientelës; Ata që u mblodhën në tubimet tona, ata 24 mijë anëtarë të PDIU, ata që votuan, nuk janë klientët tanë, por janë sivëllezërit tanë, janë pronarët shpirtërorë të idesë, pronarët shpirtërorë të programit tonë! Ndaj unë sot u them juve, të rinjve dhe të rejave që shoh këtu dhe atyre që kam takuar në gjithë Shqipërinë: PDIU nuk është PDIU e udhëheqësisë aktuale, nuk është parti e kryetarit që ju keni zgjedhur, dhe as vetëm e grupit parlamentar.
PDIU-ja është e të gjithë juve, e rinisë, e gruas, e shqiptarëve kudo që janë! Kush besoi në ëndërrën tonë të djeshme, që sot është realitet, do të jetë dëshmitar i një PDIU-je të nesërme shumë më të fortë, shumë më të madhe, shumë më të pushtetshme dhe të përgjegjshme në ushtrimin e pushtetit që do të marrë nga vota. Ju do të shikoni në zgjedhjet e ardhshme sesi kjo që them do të shndërrohet në realitet përfaqësimi, aktivizmi, fytyrash dhe mendjesh të reja!
Më lejoni të nënvizoj diçka që më bëri përshtypje njerëzore në votimin e fundit që më mbushi dhe mua me shpresë se Shqipëria do të bëhet. Nuk ishin interesat tek ata mijëra pleq e plaka që votonin në zgjedhjet e fundit, që vinin nga kryesisht nga komuniteti çam! Është fuqia e shpresës ajo që i kishte nxjerrë nga shtëpia! Shpresa për zgjidhjen e Çështjes Çame, kurrë nuk ka qenë më e madhe se sa sot në ditët tona: Kemi riaktualizuar rezolutën e e vitit 2004; kemi prezantuar rezolutën tonë; Partia që sot ka pushtetin ka prezantuar rezolutën e saj, akoma dhe më shumë detyruese! Qeveria ka detyrën të raportojë rregullisht për përparimin në Çështjen Çame! A e kuptoni sa shumë familjare e bëmë mbiemrin e madh “çam”, që dikur shumëkush kishte ndrojtje ta përdorte?
Sot, kjo çështje hidhet në tryezën e bisedimeve me palën greke, me emër dhe me mbiemër, pa kurrfarë kompleksi. Nisi të ndodhte në vitet e para të pluralizmit, por u hesht më vonë! Krejt ç’ka kemi arritur është nderim për të vrarët dhe porosi e përjetshme për të rinjtë! Ndaj sot kam krenarinë që t’ju them në emrin tuaj dhe të qindra e qindra mijëra shqiptarëve: Ne e kemi fituar betejën me Kohën e Harresën!
Sot kjo është një çështje që nuk ka kthim pas dhe për këtë Ju siguroj ju në këtë sallë, Politikën Shqiptare, Shtetin Grek dhe partnerët ndërkombëtarë: Çështja Çame do të zgjidhet! Për këtë betohemi!
Sepse ajo është çështje e të drejtave themelore të njeriut. Si e tillë do të zgjidhet! Ne besojmë thellësisht tek demokracia europiane, institucionet e saj e do luftojmë si të tillë deri në fund. Me këtë besim të patundur, në këto vlera, jemi të bindur si drita e diellit se amanetin e të parëve tanë do ta çojmë deri në fund! Shumë nga të parëve tanë nuk jua dimë varrin. Shumë të tjerë bpushojnë në strehën tuaj të fundit në Qafëbotë. Atë pjesë të botës sonë të madhe që PDIU-ja e ktheu në qendër pelegrinazhi të ndërgjegjes tonë kombëtare!
Sot, në atë qendër pelegrinazhi të Qafëbotës duhet të falen të gjithë, duhet ta shohin të gjithë para se lënë kufirin apo kur hyjnë brenda për të kuptuar se liria ka edhe shijen e therrorisë së tyre!
Ja ku jua them sot këtu që ne nuk do të lejojmë asnjë parardhës të vetëm tonin që të prehet pa varr, ndërsa shteti ku u ra të jetonin i vrau, i preu, i dhunoi, pretendon të ndërtojë varre për ushtarët grekë që erdhën si pushtues në malet e Shqipërisë e në luginat tona të bukura! Ky është betimi ynë solemn: reciprocitet në trajtimin e të vdekurve! Nuk ka fe, besim e politikë në botë që nuk i trajton njëlloj të vdekurit! Të vdekurit janë të barabartë edhe para Zotit, edhe para robit! Dhe vlejnë njëlloj! Dhembin njëlloj dhe po njëlloj meritojnë nderim!
Nuk do lejojmë kënd të ndërtojë varreza të reja në Shqipëri, nëse nuk na japin varrezat e xhixhos në Çamëri! Ja unë që jam këtu, me ju që jeni këtu, me ata që na ndjekin do i ndalojmë! Të dashur miq,
Që në nisje të fjalës sime ju prezantova Kharim Khanin, avokatin e çështjes sonë. Ka ardhur këtu me ne edhe për të më dorëzuar një dokument surprizë për zgjidhjen e Çështjes Çame! Ju lutem mos harroni një shprehje: Shpresa vdes e fundit, por ajo nuk themelohet mbi boshllëk, por mbi vepra reale!
PDIU ka bërë vepra reale! Grupi ynë parlamentar ka bërë vepra reale, për censusin, për reciprocitetin në varrezat greke, për rezolutën, për Marrëveshjet për detin, për ndalimin e Agimit të Artë në tokën tonë, për ndërkombëtarizimin e Çështjes Çame në Kongresin amerikan, në Këshillin e Europës, në Parlamentin Europian! PDIU ka denoncuar e para raportin e Dik Martit në Këshillin e Europës dhe ka bërë thirrje për të reaguar si komb ndaj tij!
PDIU ka qenë rregullisht flamurmbajtësja kombëtare në institucione, në sheshe, në shkolla, në stadiume, në mendje, në zemrat e rinisë, gruas, të moshuarve, në Lindje dhe Perëndim, në Jug dhe në Veri! Ndoshta mund të ketë mes nesh edhe individë, me origjinë të përbashkët me shumicën e themeluesve të PDIU-së, që mendon e gjykon se PDIU duhet të fokusohet vetëm tek Çështja Çame!
Ky është një gabim i madh që ne e kemi kapërcyer të gjithë bashkë! Sot, PDIU nuk është parti vetëm e Çështjes Çame, por e gjithë çështjes kombëtare ende të pazgjidhur! Eshtë rritur shumëfish, sepse problemet e mëdha zgjidhen së bashku dhe në funksion të njëri-tjetrit. Etiketimi i PDIU si parti e çamëve, është vepër e analistëve të cekët, e ndonjë kancelarie fqinje që kanë synuar nga padija apo ligësia të tkurrin aksionin tonë dhe atë shqiptar në veçanti. Por ne, me votat tona, me mbështetjen tonë elektorale në të gjithë Shqipërinë, e kemi kapërcyer këtë stigmatizim!
Duke izoluar këtë çështje qëllimi është të izolojmë të gjitha çështjet e shqiptarëve. Çështja Çame është kaq shumë e jona sa është e Plavës dhe e Gucisë. Çështja e Preshevës është kaq shumë e jona sa është Çështja Çame. Ka një Shqipëri, nuk ka shumë çështje shqiptare!
Ne nuk jemi puzzle i Ballkanit, por një Komb i vetëm. Kush kërkon të shpikë realitet mbi këtë të vërtetë i shërben veç përçarjes. Nuk do të kishte sot shtet të Kosovës, nëse toskët nuk do ta ndjenin ndarjen si një copë e shkulur nga mishi i tyre. Nuk kanë për të zgjidhur shqiptarët çështjet e tyre ekzistenciale, nëse nuk i gjykojnë si një të vetmet. Ne duhet të jemi shqetësuar për problemet e Kosovës. Ne duhet të jemi të pagjumë pët diskriminimin e shqiptarëve, për asimilimin e ortodoksëve shqiptarë në Maqedoni dhe Greqi. Po kaq për eksodin e heshtur të Luginës së Preshëvës që po e shndërron atë në një Çamëri të dytë. Kjo ka vite që ndodh pa bërë zë kush në Plavë e Guci.
Kjo është e vërteta! Atë le ta shohim drejt e në sy! Sot, dikush bën konfuzion mbi disa çështje të së kaluarës duke nxitur përçarje; Sot, dikush, sot disa- për fat të mirë, shumë më pak se dje-, thonë se ne duhet të merremi vetëm me Çështjen Çame. Kështu ata që kanë frikë nga ne, jashtë Shqipërisë do ta kishin më të lehtë të na etiketonin në kancelaritë perëndimore, me gogolin e një partie rajonale, si parti çame! Mos harroni ky është një etiketim që armiqtë falë historisë së shkruar si kanë dashur, dobësisë së historianëve tanë, e kanë ngjyer vetëm me të zezë!
Kjo padrejtësi nuk lidhet vetëm me çamët, por tek ne pati shfaqjen më tragjike,-vrasjet, asgjësimin fizik, përdhunimet, prishjen e shtëpive, varreve, objekteve të kultit, shenjave të ekzistencës së komunitetit tonë në trojet amtare. Unë sot dua ta bëj të qartë dhe kjo vlen jo vetëm për ata që bëjnë konfuzion, që spekullojnë, apo që bëjnë thirrje për parti rajonale, apo që na etiketojnë si parti rajonale!
Komuniteti çam është shndërruar në një qendër të esencës sonë kombëtare. Ndaj ky komunitet është pjesë e pandarë e kombit, jetësuar në këtë komb me fytyrën, fatin dhe frymëzimin që ky komb afron!
Unë sot dua t’i bëj thirrje diplomacisë sonë, politikës greke që po përpiqet të ofrojë zgjidhje për problemet e së kaluarës, duke thënë megjithatë se Çështja Çame nuk ekziston. Mirë e zëmë se nuk ekziston. Si do t’i shpjegojmë do pikëpyetje: A nuk është genocidi mbi çamët në 44-45, kulmi i një plani spastrues tërësor të gjithë shqiptarëve-kolonjarëve, devollinjve, korçarëve, kosturlinjve në teritorin grek, në Janinë, Igumenicë, Follorinë, Selanik, Kostur, e gjetkë gjatë gjysmës së parë të shekullit të XX?
A nuk u shkatërruan dhe u grabitën së bashku me xhamitë tona, teqetë e bektashinjve shqiptarë në Greqi, kishat katolike shqiptare, sinagogat hebreje të Epirit? Të nderuar fqinjë: Nuk doni të flitet për Çështjen Çame? Le të hapim letrat dhe në frymën europiane, të Konventës Europiane, të zgjidhim problematikën e gjithë shqiptarëve të Greqisë, që kontrollonin jetën ekonomike, rurale dhe urbane, të veriut të vendit fqinjë.
Nuk doni të pranoni se ka çështje të shqiptarëve të Greqisë? Atëherë do duhet të pranoni se Greqia e Zervasit, e bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe nazizmit, mjerisht e justifikuar prej Greqisë së të majtës së Ciprasit, ka përzënë së bashku me ne shqiptarët, dhe hebrenjtë, dhe maqedonasit, duke bërë tokë të djegur në viset ku ne kemi jetuar. Duke prishur shtëpitë, varret, xhamitë, teqetë, kishat, sinagogat, por pa mundur të shkulin këngët, vallet, gjuhën tonë.
A nuk e kuptoni se kështu duhet të pranoni se ka një çështje rajonale brenda kufijve të Greqisë, madje një çështje globale, sa kohë që Greqia ka bërë të njëjtën gjë dhe me hebrenjtë. Kush e ka menduar, kush e ka ekzekutuar planin çnjerëzor të genocidit mbi shqiptarët, mbi hebrenjtë, apo pakicat e tjera ka gabuar në llogaritë e veta. Më lejoni të kujtoj këtu një thënie të humanistit të madh, ish-Presidentit çek, Vacllav Havel: Një shtet i pastruar etnikisht, është më i keq se komunizmi!!!
Lexova disa zëra anonimë grekë që thonë se komuniteti çam ndoqi pushtuesit nazistë duke u larguar si popullsi bashkëpunëtore. Kësaj i thonë që rrena u është kthyer ves! Jo, çamët nuk bashkëpunuan me fashizmin dhe kjo ishte arsyeja pse italianët dështuan në përpjekjet e tyre për të pushtuar Greqinë. Këtë nuk e them unë dhe nuk thuhet sot për herë të parë apo dhe të fundit. Eshtë një e vërtetë e dëshmuar që nga ambasadori amerikan i kohës apo dhe Konti Ciano, ideatori i luftërave dhe dështimeve italiane.
Nuk ishin çamët që bashkëjetuan me gjermanët, por ishte Zervas, vrasësi i tyre që ndiqte pas çizmen naziste. Ju kujtoj luftëraët tanë të rezistencës në trupat partizane greke dhe shqiptare. Batalionin Çamëria! Luftën 55 ditore ndaj nazistëve. Sërish po e përsëris, edhe sikur ndonjë akademiku mos t’i pëlqej: Më gjeni një kolaboracionist shqiptar të Çamërisë dhe do u jap Zervën me EDES-in e tij!
Skeptikëve do u përgjigjem me fjalët e Sami Frashërit: PERËNDIA, E DREJTA, KOMBI, GJUHA! SHQIPËRIA, SHQIPËTARIA ! Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruar ! Ja besa jonë! Të gjithë ata që kanë këtë qëllim janë vëllezërit tanë! PDIU ishte dhe mbetet partia që e prishi statuskuonë.
Nëse ju duket statuskuoja fjalë e huaj, po ju sjell ndërmend kënetën. Këneta ka ujë që nuk lëviz, ai ujë mban erë të keqe shpesh; nuk ka as rryma nënujore që e lëvizin; vetëm erëra të forta krijojnë dallgë që megjithatë nuk janë kurrë të mëdha dhe gjithë çfarë ndodh, ndodh brenda kënetës.
Pra, PDIU e prishi pasqyrën e ujit të kënetës sonë politike, të kënetës sonë ideore, me ngulmimin tonë tek Ideja Kombëtare e Bashkimit; -tek mbrojtja pa kompromis e Interesit tonë Kombëtar;
-tek Harta e pandërprerë e ndarjes administrative
-me mbështetjen për dekriminalizimin, për Reformën në Drejtësi;
-tek lartësimi i familjes së vërtetë. Asaj që Zoti e deshi që në kopështin e Edenit, mes Adamit dhe Evës apo Ademit e Havasë.
-tek propozimet për pensione sociale për gjithë të moshuarit;
-me mbështetjen për idenë e Bashkimit Kombëtar që nis nga ekonomia si e përkufizonte rilindasi modern Arbën Xhaferri;
Të nderuar miq,
Sot, këtu mes nesh është kryeministri Rama.
Eshtë i ftuari ynë, me të cilin na lidh një aleancë dhe na ndajnë ushtrim përgjegjësish tërësisht të ndryshme në cilësi dhe sasi. Na bashkon ëndërra europiane, por na ndajnë edhe elementë të bashkëqeverisjes që ne nuk tutemi t’i qortojmë.
Kemi patur shumë përplasje me të, kompromise, bashkëpunim, por edhe diferenca vështirësisht të kapërcyeshme.
Ka patur shumë momente në politikën rajonale, në temën e bashkimit, në vizitat e tij jashtë vendit, me të cilat ne jemi krenuar.
Janë shumë teza dhe veprime që i ndjamë së bashku si për Himarën dhe Jugun në përgjithësi që gjithashtu rezonojnë me kuadrin tonë të ideve, qëndrimeve.
Por, unë dua t’i pyes skeptikët, rajonalistët, krahinoristët, apo klanikët: A do tregonte klasa jonë politike, partitë kryesore, të njëjtën ndjeshmëri ndaj çështjes kombëtare, nëse nuk do të ishte PDIU-ja?
A do trimërohej politika jonë tradicionale në këto nivele, nëse rruga nuk do të ishte hapur para tyre nga aktivitetet, forumet, protestat, platforma jonë e PDIU?
A do të merrej me këto tema në fund të fundit politika tradicionale, politika jonë e gozhduar tek statuskuoja, nëse nuk do të kishte nevojë për votat tona në këshillat bashkiakë, në kryesimin e bashkive të reja, në Kuvend, vota që vetëm rriten, si kanë treguar ballafaqimet elektorale?
Koha, megjithëse e shkurtër, koha e shumëfishimit të votave tona, vërtetoi drejtësinë e strategjisë për një PDIU jo si parti rajonale, por për një parti kombëtare, të përkushtuar ndaj interesit kombëtar, ndaj Bashkimit Kombëtar.
Megjithatë, afër mendsh edhe mes nesh ne nuk jemi as identikë dhe as fotokopje të njëri-tjetrit.
Ne jemi pjesë e një aleance që ka pushtetin, por pushtet nuk kemi ushtruar. Deri më sot kemi patur vetëm pushtetin e ideve tona. Kjo nuk do të thotë që nuk jemi të zotë të shpalosim aftësitë për qeverisje.
Në tre Bashki na u dha mundësia të garonim! Në të tre fituam! Sepse fitorja është në ADN-në tonë.
Ja ku jemi zoti kryeministër, ja ku i ke zonjat dhe zotërinjtë që mund të ta rrisin peshën e qeverisjes.
Po t’i tregoj që most ë thoni se nuk i pashë a nuk i dija!
Të dashur motra dhe vëllezër,
Ky ideal i bashkimit kombëtar është dhe sot ideali ynë, që udhëheq PDIU-në, që udhëheq të rinjtë dhe të rejat që janë themeli i partisë sonë, baza e saj, votuesit kryesorë të saj.
Ne jemi partia e parë në Shqipëri që ka shndërruar në aksion politik, në objektiv programor tezën e rilindasit modern, e Sami Frashërit të viteve tona, Arbën Xhaferrit, tezën e Komunuelthit shqiptar.
Kjo tezë nuk është vetëm politike, por dhe ekonomike. Ajo krijon realitete të reja ekonomike; krijon 100 mijë vende pune; rrit konkurencën e Made in Albania në rajon dhe në botë; ajo krijon një MARKË TË RE BOTËRORE; që sot ka shfaqjen sportive me Kombëtaren e futbollit!
Ja pse ne kemi kërkuar të krijohen institucione të këtij bashkimi ekonomik;
Parlament gjithëpërfshirës,
Ja pse ne kemi kërkuar një strategji unike zhvillimore;
Pse ne kemi mbrojtur një abetare;
Një gjuhë kundër përrallave të të parëve të fshatit që janë kundër bashkimit.
Cilët janë kundër këtij projekti që herët a vonë do të jetë një realitet unik në rajon?
Sot kundër këtij bashkimi janë fqinjët që e shohin me xhelozi përparimin tonë ndërkombëtar. Por, mjerisht sot ata kontrollojnë ende energjinë tonë, dhe deri diku ekonominë tonë. Në këto objektiva armiqtë e jashtëm të bashkimit tonë kanë aleatë të vetëdijshëm dhe të pavetëdijshëm dhe një pjesë të elitës tonë tregtare, mediatike, kulturore, që e duan statuskuonë në treg, në biznes, në hierarkinë e vlerave, e të tjerë.
Kompanitë tona të lidhura me partnerë grekë, serbë apo italianë, nuk duan të krijohen kompani panshqiptare; e njëjta gjë dhe me kompanitë kosovare që bashkëpunojnë me Serbinë që kontrollon ende ekonominë e Kosovës.
Arbën Xhaferri, shqiptari i madh thoshte:
Nëse nuk do të gjendet një rrugë e lejueshme, qytetëruese që do t’i bashkonte të gjitha kapacitetet e shqiptarëve në kuadër të një ….projekti të përbashkët kombëtar, atëherë këto kapacitete do të shfrytëzoheshin nga të tjerët.
Dy qeveritë shqiptare, në Tiranë e në Prishtinë janë mbledhur disa herë së bashku, në takime që synojnë të bëhen traditë. PDIU-ja është ideatorja e kësaj mënyre dhe ideje përbashkimi qoftë në rrafsh formal, qoftë në rrafsh thelbësor.
Ende ato janë takime në fazën e objektivave, pa bilance reale.
Kjo është arsyeja se përse ripërsëris thirrjen që takimit të qeverive t’i bashkohen njerëzit e biznesit, ata që e dinë, ata që begatojnë shoqëritë dhe kombin tonë. Ata duhet t’ i japin idetë dhe vizionin e tyre këtyre mbledhjeve së bashku me intelektualët.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Pas meje, drejtues të PDIU, ekonomistë të rinj, ekspertë, do të përcaktojnë shinat e aksionit politik të PDIU-së së re.
Unë kam bindjen se koha është e shqiptarëve; se në politikë koha është e subjekteve të rinj, që përshtaten shpejt me kohën, dhe që kanë një bosht ideologjik të pavdekshëm si ai i bashkimit kombëtar. Unë kam bindjen se PDIU do ta dyfishojë përfaqësimin e vet në Kuvend. Duke shumëfishuar në këtë mënyrë kontributin e saj dhe dobinë publike në politikë.
Ne jemi pa mëdyshje në favor të Reformës për drejtësi. Ne e dimë se ajo është e ashpër, është e paprecedent ndoshta, dhe cënon konceptin klasik të sovranitetit. E dimë që është një zgjidhje ekstreme dhe një zgjedhje ekstreme.
Por, ne e dimë gjithashtu se nuk do të ishte nevoja për Reformën në drejtësi, nëse drejtësia jonë do të ishte në pozitat e duhura, e pakontrolluar nga politika dhe krimi i organizuar.
Ata që janë sot kundër saj, janë për statuskuonë në sistemin e drejtësisë, në gjykata, në prokurori. Ne si parti kundër statuskuosë, jemi PRO këtij revolucioni të madh që e kërkon me ngulm shumica dërmuese e shqiptarëve dhe që është një urgjencë kombëtare për të gjithë shqiptarët.
Në fushën ekonomike, PDIU ka mendimin e vet, ka qëndrimet e veta për një sistem tatimor të balancuar me atë doganor, deri në eleminimin e tij.
Ne jemi për mbrojtjen e biznesit, për një sistem fiskal më pak të ashpër, për nxitjen e prodhimit vendas dhe masave lehtësuese, nxitëse të investimeve të huaja. Një shembull i mirë vjen nga Maqedonia fqinje: pse ky vend, megjithë konfliktualitetin e lartë politik, etnik, arrin të thithë investime cilësore të kompanive të mëdha perëndimore? Çfarë dinë të bëjnë ata më mirë që ne e bëjmë keq këtu në Tiranë?
Ta themi copë dhe qartë: Barra fiskale në Shqipëri është më e madhe dhe më e rëndë. Korrupsioni galopant! Jemi për taksat e ulëta, kapitalin e madh! Kërkojmë reformën në drejtësi, edhe pse duam të dënojmë me vdekje korrupsionin, që tremb investitorin, tremb kapitalin, shton skamjen.
Duhet një politikë guximtare që e kthen pronën tek i zoti. Nuk ka drejtësi dhe rregulla loje për një ekonomi që nuk ka vendosur ende qetësinë në themelin e vet që është prona. Nëse vjen një investitor i huaj fjala vjen në turizëm kë do i paraqesim si pronar, atë që e trashëgoi nga baba apo atë që e grabiti, e fallsifikoi.
Nuk i kërkon dot pronat e tua gjetkë, nëse nuk gjen ilaçin këtu.
PDIU është parti e rinisë, e anëtarëve dhe votuesve të rinj. Ne kemi programin më të mirë për rininë, për shkollimin dhe punësimin e tyre të sigurt. Pikërisht Bashkimi ekonomik kombëtar është treni që do të çlirojë energji të reja, duke futur në skenë, aktorë të rinj ekonomikë, më dinamikë, duke krijuar më shumë vende pune, në një treg më të madh kombëtar.
Ne jemi për një institucion qendror që përfaqëson diasporën, i cili do të jetë fanari përbashkues i të gjithë energjive kombëtare që janë shpërhapur në gjithë globin. Është e pafalshme që ne të mos strukturojmë këto energji, duke i derdhur ato në lumin e madh të veprimit tonë si popull dhe komb!
Fjala kyçe e aksionit tonë politik është BASHKIMI KOMBËTAR. Ne do të punojmë derisa të kemi frymë për këtë objektiv, për këtë ëndërr, plotësisht të realizueshme, për këtë detyrim kushtetues, për këtë thirrje të gjakut të të parëve.
Po e mbyll këtu këtë fjalë, duke ju ftuar:
Vazhdoni të KENI Shpresë tek PDIU! Ajo është partia juaj, shtëpia juaj, shtëpia e të gjithë shqiptarëve.
PDIU është banka shqiptare e besimit: ku të gjithë shqiptarët janë aksionerë! Dhe në emër të saj unë uroj për sot, nesër dhe përgjithmonë:
Rroftë Shqipëria e bashkuar! Rroftë kombi shqiptar! Rroftë Shqipëria europiane!
Ju faleminderit!