Ministri refuzon ftesën e deputetëve për të sqaruar urdhrin, debati ashpërsohet mes kryetares Vokshi dhe deputetes Klodiana Spahiu
Mes debatesh dhe tonesh të larta është shoqëruar mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë, ku mungonte ministri Ilir Beqaj. Ministri ishte ftuar nga komisioni i Shendetësisë për të dhënë sqarime në lidhje me shpërndarjen e Urgjencës së Tiranës. Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka kërkuar anullimin e këtij urdhëri, ndërsa e njëjta kërkesë është paraqitur edhe nga mjekët e pranishëm në komision. Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi ka theksuar se mosprania e Beqajt përbën shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Mungesa e ministrit të Shëndetësisë ka nxitur debate dhe tone te larta në Komisionin e Shëndetësisë ku Ilir Beqaj ishte thirrur për të dhënë sqarime. “Arrogancë dhe shpërfillje ndaj deputetëve dhe mjekëve”, e ka cilësuar kryetarja e komisionit Albana Vokshi sjelljen e ministrit Beqaj, ndërsa theksoi më tej se ky veprim përbën shkelje të Rregullores se Kuvendit dhe Kushtetutës. Në mbrojtje të Beqajt doli deputetja socialiste Klodiana Spahiu, e cila tha se në këto momente ministri ishte në mbledhje qeverie. Dy deputetë kanë shkëmbyer debate mes tyre, ndërkohë që kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, theksoi se ky urdhër i ministrit të Shëndetësisë duhet të anullohet dhe procesi të jetë tërësisht transparent si për mjekët, por edhe për ligjvënësit.
Nga ana tjetër mjekët shprehën kundërshtinë e tyre ndaj urdhërit të Ministrisë ë Shëndetësisë dhe kërkuan që të mos vendosen në qendrat spitalore terciale.
Pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë nxorri një urdhër për transferimin e personelit mjekësor të Shërbimit të Urgjencës mjeksore Tiranë në tre qendra spitalore ate të QSUT-së, në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” si dhe në Spitalin Universitar të Traumës.