Nga Neritan Alibali
Më 22 korrik 2019, Kuvendi i Shqipërisë, i dërgoi një letër Komisionit të Venecias, me anë të së cilës i bënte tetë pyetje dhe kërkonte përgjigje, mbi kushtetutshmërinë e sjelljes së Presidentit të Shqipërisë, shprehur me dekretet e nxjerra prej tij për zgjedhjet e organeve vendore.
Gjashtë nga tetë pyetjet e hartuara, me gjasë nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit, duken të formuluara në mënyrë të tillë, që t’u kërkojnë antarëve të Komisionit të Venecias një përgjigje taksative me “po” ose “jo”, ngjashëm me pyetjet që prokurori zgjedh t’u bëjë të pandehurit dhe dëshmitarëve në një proçes gjyqësor penal, kur do t’u marë përgjigjen që i intereson. Të gjitha pyetjet, kanë një objektiv të vetëm, Dekretin e Presidentit nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, i njëjti target të cilin e synonte edhe Rezoluta e datës 13 qershor 2019 e Kuvendit të Shqipërisë, e cila inicioi proçedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Pra, akuza e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit, bazohet vetëm tek akti i nxjerrjes së dekretit presidencial, i cili anulloi datën 30 qershor 2019, si ditë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore.
Duke u nisur nga kompetencat dhe instrumentet që Kushtetuta i jep në dorë Presidentit për t’u shprehur, është e drejtë të thuhet se akuza dhe i gjithë proçesi për shkarkimin e Presidentit është ngritur mbi një themel të drunjtë. Sepse, në ushtrim të funksioneve të tij kushtetuese dhe në zbatim të kompetencave të tij, Presidenti i Republikës shprehet, e theksoj, shprehet me “mesazhe drejtuar Kuvendit” (neni 92/a) dhe me “dekrete” (neni 93).
Pra, nxjerrja e dekreteve nga Presidenti, është as më shumë dhe as më pak, thjesht ushtrim normal i detyrës së tij kushtetuese. Nga ana tjetër, Kushtetuta i ka dhënë mbrojtje Kryetarit të Shtetit, duke përcaktuar nënenin 90 tësaj se Presidenti “nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”. Dhe jo vetëm kaq! Le të marrim guximin të sillemi për një moment si Gjykatë Kushtetuese dhe të deklarojmë apo të supozojmë se dekreti në fjalë është antikushtetues. Po pastaj? Kushtetuta e ka parashikuar edhe mundësinë e shkeljes së dispozitave kushtetuese nga ana e Presidentit në ushtrim të funksionit të tij. Dhe jo vetëm nga Presidenti, por edhe nga Kuvendi, qeveria e madje edhe nga institucionet e tjera publike. Duke marrë parasysh këtë rrezik, Kushtetuta ka krijuar instrumentin zbrapsës, Gjykatën Kushtetutuese, e cila si mbrojtëse dhe garante e Kushtetutës, shfuqizon të gjitha aktet e nxjerra nga institucionet e shtetit, të cilat gjykohen prej saj të jenë në shkelje të Kushtetutës (nenet 124; 131 132). Nëse do të fillonim një proçedurë shkarkimi të Presidentit të Republikës, sa herë që ai nxjerr një dekret në kundërshtim apo në shkelje të Kushtetutës, atëhere, sipas kësaj llogjike, Kuvendi duhej të shpërndahej sa herë që Gjykata Kushtetuese do të shpallte antikushtetues një ligj apo një amendim të ligjit të miratuar prej tij; qeveria duhej të rrëzohej dhe të ndiqej penalisht sa herë që Gjykata Kushtetuese do të shfuqizonte si antikushtetues një vendim të nxjerrë prej saj, e kështu me rradhë. Por, kjo do të ishte absurde! Jo më kot, Kushtetuta e lidh shkarkimin e Presidentit me “shkelje të rëndë të Kushtetutës” dhe/apome“kryerjen e një krimi të rëndë” (neni 90/2). Epiteti “i/e rëndë”, shtuar pas përcaktimeve “shkelje”, për Kushtetutën dhe për “kryerjen e një krimi”, qartëson duke i theksuar shkaqet që çojnë në shkarkimin e Presidentit dhe njëkohësisht, duke i veçuar ato nga “aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”, për të cilat nuk mban përgjegjësi. Në kuptim të nenit 90/2, “shkelje e rëndë e Kushtetutës” do të thotë tradhëti e lartëdhe/ose çdo lloj veprimtarie e një përmase të tillë, e cila mund të kryhet vetëm jashtë “ushtrimit të detyrës së tij”. Ky lloj krimi përfshin, së pari, marrëveshjet e fshehta që Presidenti mund të bëjë me fuqi të huaja kundër sovranitetit të Shqipërisë dhe tërësisë territoriale të saj, të cilat përfshihen në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, Kreu V, Seksioni I “Krime kundër pavarësisë dhe integritetit”, nga neni 208 “Dorëzimi i territorit” deri në nenin 212 “Marrëveshje për ndërhyrje të armatosur”; dhe së dyti, në rastet kur Presidenti zbulohet të jetë agjent i një fuqie të huaj armike, krim i cili përfshihet në të njëjtin seksion të Kodit Penal, nga neni 213 “Dhënia e informatave sekrete” deri në nenin 218 “Vënia në shërbim të shteteve të huaja”. Nga ana tjetër, termi “një krim i rëndë”, përfshin gjithë legjislacionin penal që buron nga neni 6/1 i Kushtetutës dhe që lidhet me “verifikimin e rrethanave që cënojnë integritetin e funksionarëve publik”, si dhe nga Neni 135 i saj, që lidhet me “veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale” në rast se janë kryer prej tij.
Por, përveç mbrojtjes që i ka dhënë Presidentit për ta ushtruar i qetë funksionin e tij, Kushtetuta i ka dhënë siguri të veçantë Kreut të Shtetit, duke i hequr parlamentit të drejtën e shkarkimit dhe duke ia kaluar këtë të drejtë vetëm Gjykatës Kushtetutese. Kjo mbrojtje e jashtëzakonshme i jepet vetëm atij, sepse sipas nenit 86/1 të Kushtetutës, “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Pra, në këtë kuptim, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti është i vetmi institucion që përfaqëson unitetin e popullit. Institucionet e tjera kushtetuese përfaqësojnë ose diversitetin e popullit ose ushtrojnë detyra të tjera, të cilat ua ngarkon Kushtetuta dhe ligji. Kështu, Kuvendi, si përfaqësues i sovranitetit të popullit, shpreh jo vetëm diversitetin politik të tij, por edhe diversitetin shoqëror, kulturor, gjeografik, madje edhe etnik të popullit. Po ashtu edhe pushteti vendor. Pushteti ekzekutiv, pra qeveria, përfaqëson alternativën më të fuqishme brenda diversitetit politik të popullit; pushteti gjyqësor nuk ka lidhje as me unitetin dhe as me diversitetin e popullit, por, thënë thjeshtë, është përcaktuar si institucioni që bën drejtësi mbështetur mbi ligjin dhe Kushtetutën, e kështu me radhë. Duke qënë se e ka përcaktuar si të vetmin institucion që përfaqëson unitetin e popullin, Kushtetuta i ka dhënë Presidentit mbrojtje më të madhe se ç’u ka dhënëedhe vetdispozitave të saj. Kështu, sipas nenit 90/2 të Kushtetutës: “Propozimi për shkarkimin e Presidentit mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit”, pra 35 deputetë, “dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”. Ndërkohë që sipas nenit 177/1: “Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit”, pra 28 deputetë, dhe“miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit” (neni 177/3).
Më pas, përsa i përket shkarkimit të Presidentit: “Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra” (neni 90/3). Pra, Kuvendi, megjithëse e zgjedh Presidentin me shumicën e antarëve të tij, pra me 71 deputetë, nuk mund ta shkarkojë atë me votat e 94 deputetëve, pra me 2/3 e votave, por vetëm mund t’i propozojë Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e Presidentit dhe asgjë më shumë. Ndërsa, Gjykata Kushtetuese, vetëm “kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra” (neni 90/3).
Nga ana tjetër, përsa i përket rishikimit të Kushtetutës, Kuvendi me 94 vota ka të drejtë të ndryshojë dispozitat eKushtetutës, pa u penguar nga askush (neni 177/6).
Si përfundim, mund të thuhet se Kushtetuta e Shqipërisë, pavarësisht se mund të konsiderohet një Kushtetutë demokratike në kuptimin e plotë të fjalës, nuk ka mundur të krijojë mjaftueshëm instrumente për të mbrojtur shtetin e së drejtës nga zullumet e paparashikueshme të politikës shqiptare. Por çuditërisht, një gjë e ka bërë mjaft mirë. Ka mundur të parashikojë në mënyrë të habitshme marrëzitë e politikës për të dëmtuar institucionin e Kryetarit të Shtetit dhe i ka siguruar atij, qysh prej hartimit dhe miratimit të saj, një mbrojtje të posaçme, të cilën nuk ia ka dhënë asnjë institucioni tjetër.
Letra që Parlamenti i ka dërguar Komisionit të Venecias për çështjen e shkarkimit të Presidentit, tregon pasigurinë e maxhorancës për të lëvizur në një fushë të minuar siç është Kushtetuta e Shqipërisë. Dërgimi në Venecia i çështjes, e vë parlamentin dhe mazhorancën në pozitë turpëruese përball atij institucionit prestigjoz europian. Duket sikur Kuvendi i Shqipërisë, me një përvojë gati 30 vjeçare në bërjen e ligjeve, nuk është në gjëndje të interpretojë Kushtetutën e tij dhe t’u japë përgjigje pyetjeve të veta. A mund të flitet këtu për injorancë juridike? Në asnjë mënyrë! Alibi? Ndoshta!
Mazhoranca, mesa duket ka frenuar pak turravrapin e ndërmarrë në gjysmën e parë të qershorit, kur u zotua që pa filluar pushimet verore të parlamentit më 1 gusht, ta dërgonte Presidentin e Republikës në shtëpi ose më keq akoma, në burg, për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Në funksion të këtij zotimi, mazhoranca madje u përbetua segjatë muajit korrik do të krijonte edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila, do ta shporrte Kreun e Shtetit nga zyra e tij, përfundimisht. Mesa duket, “dikush” në parlament apo jashtë tij”, i cili e ka kokën më të ftohtë se të kryeministrit dhe e njehKushtetutën e Shqipërisë më mirë se ai, e ka bindur Kryeministrin, qeverinë dhe mazhorancën socialiste se shkarkimi i Presidentit nuk është as lojë fëmijësh dhe as rilindje urbane, por është një proçes i vështirë, i cili mund t’i kushtojë politikisht shumë socialistëve në pushtet dhe financiarisht shumë atyre të tjerëve qëvegjetojnënë parlament, duke e populluar atë.
Socialistët mund të kenë njëmijë e një arsye për ta urryer dhe shkarkuar Ilir Metën nga detyra e Presidentit të Republikës. Ata mund ta zgjidhin thjeshtë këtë problem duke dërguar policinë e shtetit për ta nxjerrë me forcë nga zyra. Por, Presidentin e Republikës, jo! Jo, nëse nuk ka qoftë edhe një arsye të përligjur nga Kushtetuta! Jo, edhe sikur arsyet e paligjëshme të mbulohen me proçedura parlamentare tëligjëshme!
Në të kundërt, shkarkimi i Presidentit do të ishte për shqiptarët një “përrallë me mbret”, si ato që tregonin dikur gjyshet para se fëmijët t’i zinte gjumi. Por me ndryshimin se proçesi i shkarkimit që ka ndërmarë tashmë Kuvendi i Shqipërisë nuk do të quhej “një përrallë me mbret” por një “përrallë me president”.
*Autori është lektor i së drejtës kushtetuese