Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Sfiduan vdekjen në galeritë e nëntokës, sot injorohen nga hajdutët me çizme

Nga Media 0

Nga Elkier Bushkolaj

Babai im prej vitesh çdo fillim muaji niset nga Durrësi drejt Rrëshenit, për të tërhequr pensionin e tij.

Arsyeja se përse ai nuk e merr me postë apo nuk e ka transferuar në Durrës është se ditën që merr paratë e pensionit takohet me miqtë e vjetër, ish minatorët më të cilët ka punuar në minierën e Kurbneshit, fillimisht si minator i thjeshtë, e më pas si normist.

Vitet e fundit ai kthehet gjithnjë e me shpejt nga Mirdita, pasi edhe koha që kalon me shokët e ditëve të vështira është me e shkurtër, pasi shumë prej tyre kanë ndërruar jetë.

Shkaku është i njëjtë, sëmundja e silikozës, “peshqesh” nga puna vite të tëra nëntokë.

Shumë pak ish minatorë e gëzojnë mes fëmijëve, nipërve e mbesave datëlindjen e 70 –të.

Minatorët ecnin deri në 5 ose 6 orë në këmbë për të hyrë në galeritë e nëntokës, ku s’dihej a do dilnin gjallë pas turnit.

Rrëshqitja e dherave nëntokë, qëndrimi për ditë me radhë në galeri, dimrat e ashpër, kequshqyerja, apo kopetë e ujqërve të uritur që u zinin rrugën, ishin kthyer në një rutinë për punonjësit e minierave, ndërsa ato pak ushqime cilësore që merrnin në kuadër të dietës së minatorit, ua çonin fëmijëve të tyre, ose prindërve të moshuar, që luteshin çdo ditë që kryefamiljari të vinte i gjallë në mbrëmje në shtëpi.

Të përshkruash vuajtjet dhe sakrificat e minatorëve, nuk mjafton vetëm dëshira, një kompjuter dhe një natë e gjatë dimri.

Falë djersës së gjakut të këtyre burrave në Mirditë, Tropojë, Kukës, Pukë, Bulqizë Tepelenë , Pogradec dhe Selenicë, jetonte mes luksit paria e Tiranës, ku bënin pjesë edhe familja e kryeministrit aktual, familjet e ministrave të kësaj qeverie, e drejtorëve të rëndësishëm, e politikanëve të të gjitha krahëve politike, të cilët sot shohin me shpërfillje kërkesat e ish-minatorëve.

Bllokmenët e vjetër ushqimet, veshjet, mobiliet i porosisnin jashtë vendit, sakaq minatorët çdo ditë luftonin me vdekjen në ferrin e galerive të minierave,ku të mbeteshe invalid konsiderohej fat, teksa familjet e tyre ndonëse poshtë këmbëve kishin pasuri të paçmuara, mbi kokë nuk kishin një kulm.

Prej kohësh ish-minatorët, herë të përçarë e herë të bashkuar, po ngrihen në protesta për statusin, por kërkesa e tyre për miratim ka rënë në veshin e shurdhër të kësaj qeverie, por edhe atyre të mëparshme.

Këta politikanë që për zyra luksoze zhvillojnë tender çdo stinë, makinat që blejnë me taksat tona, i duan prodhim të vitit fundit, që për të “drejtat e punëtorëve” organizojnë seminare në hotelet më luksozë të vendit, “sukseset” e të cilave i festojnë me darka të shtrenjta dhe mbrëmje me balerina braziliane, kursehen të miratojnë statusin e minatorit.

Për ironi të fatit statusin për veten e tyre e kanë miratuar këtu 20 vite më parë, me konsensus të admirueshëm, kjo është e kuptueshme, kur mendon sakrificat që bëjnë për këtë popull.

Madje “Tigrit të Qeverisë” mund t’i shpikë mendja që ish minatorët për çdo vit që kanë punuar në minierë të paguajnë tarifë, kjo në kuadër të rritjes historike të ekonomisë shqiptare.

Idhulli i tyre, Enver Hoxha, nuk nguroi të shkonte t’i takonte nga afër punonjësit e minierave në vendet e punës, ndërsa pasardhësit e tij merren vesh me ish-minatorët me videokonferencë, ndonëse ndodhen në një godinë.

Veç arrogancës qeverisë, që jeton në realitetin e “Shqipërisë që duam”, ish minatorëve u duhet të përballen edhe me qëndrimin indiferent të Partisë Demokratike, që kur vjen puna për “Babalen” e Vlorës i vë zjarrin parlamentit.

Kjo kategori ndër vite ka qenë dhe është votues besnik i Partisë Demokratike, por kur, Lulzim Bashës, këshilltarët ia imponojnë lobet e jo forumet, aksionet politike të PD-së nuk mbështeten tek kauzat dhe forcat e veta, por katandiset duke kërkuar lëmoshë tek patericat.

Presidenti, Ilir Meta,që mesa duket po shijon pensionin e parakohshëm, duke vizituar çdo panair e duke marrë pjesë në çdo festë lokale, të gjejë kohën e të ulet me ish-minatorët.

Ata nuk kërkojnë as nder, as lëmoshë, por një të drejtë legjitime, miratimin e statusit minatorit.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej