Vendi ku u bashkuan në internim familjet e pesë kryeministrave shqiptarë: Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Merlikës dhe Fiqiri Dines
Nga Jozef Radi
Do të përpiqem ta çvesh veten prej emocioneve, për të dëshmuar të vërtetën që ka lindur bashkë me mua, mbi at’ projekt që ende e kam të gdhendur në lëkurë; atë projekt që e kam luftuar me gjithçka kam pasur mundësi, si fëmijë, djalosh dhe burrë; atë projekt që gjithë ata si unë, me të cilët ndamë vuajtjen dhe terrorin aty në Savër, po dhe në gjithë Savrat e komunizmit shqiptar, nji ditë duhet t’ia dëshmojmë historisë si krimin më të madh po edhe dështimin më spektakolar të diktaturës!
Të ngrihet Savra
Në fillim të viteve ‘50, diktatura ndërmori projektin djallëzor! Urdhëri qe i prerë: Të ngrihej Savra…! Savra në të vërtetë ishte një Asgjë: një fushë e dytë pa asnjë shenjë ndërtese, as peme, thjesht një hapsirë mes kallamishtesh dhe mushkonjash, shfaqur nga tharja e kënetës së Myzeqesë; me një konotacion të vetëm historik: dikur aty, pesë shekuj të shkuar qenë ndeshur dy prej principatave më në zë të Arbërit: Balshajt me Topiajt, dhe ku perandoria otomane kishte gjetur shkak për t’u shfaqur në Adriatik duke përkrahur… njërën palë!!!
Diktatura e nisi me vrull projektin e saj më ambicioz. Savra do të ishte e para! Pionerja! Mbas saj do të vinin Savrat e tjera, sigurisht me emra të tjerë, me vuajtje edhe më të mëdha, po në thelb gjithnjë ideja e ndëshkimit të individit, familjes dhe shtresës “armike”! Cilido individ, familje, apo grup shoqëror që zgjonte irinitë e shtetit komunist, krahas burgjeve të shumta (rreth 39), tashti do të kishte edhe Savrën e ndëshkimt, izolimit dhe riedukimit nëpërmjet punës dhe stërmundimit shembullor… pra, të bëhej e vështirë e pothuaj e pamundur që t’i shpëtoje kësaj hallke djallëzore të shtetit!
Vërtet idenë e Savrës e hodhën komunistët shqiptarë, po themelet e saj, si nji mallkim ballkanas, i vunë komunistët e përzënë grekë! Ata që kishin ëndërruar një Greqi të Kuqe, tash kontribuonin për të ngritur një Shqipëri edhe më të Zezë se ishte! Kjo përbën atë që mund të quhet edhe “interrnacionalizmi i internimeve”! Në fund të vitit ‘53 dhe fillim të vitit ‘54, projekti më “fatlum” i diktaturës ishte gati! Për herë të parë mbas dhjetë vitesh terror të përditshëm, “familja e klasave të përmbysura” do të kishte një strehë dhe jo një stallë, do të kishte një shtrat dhe jo një kapanon, do të kishte një tenxhere dhe jo një kazan, do të kishte një mbulesë dhe jo një batanije të pocaqisur, do të kishte një ëndërr dhe jo një klithmë vdekjeje…
Në ditën e parë të çangës në apelin e parë, të, kampit të parë të dhunës së pafundme do të përgjigjeshin familjet Markagjoni, Pervizi, Bajraktari, Dukagjini, Kokali, Dine, Vatnikaj, Koliqi, Biçaku, Mulleti, Alla, Merlika, Topalli, Radi, Alizoti, Matjani, Kupi, Dosti, Kaloshi, Tinaj, Kolgjini, Sina, Bami, Plasoti… etjerë… një listë kilometrike, e cila plotësohej përditë me “mish” të freskët nga e përjetshmja “luftë klasash”. Jo pak për të qenë legjendë, nëpër atë vend do të kalonin familjet e pesë kryeministrave shqiptarë: Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Merlikës dhe Fiqiri Dines! S’ma merr mendja se mund të ketë ndonjë fshat të kësaj botë ku të kenë jetuar pesë familje kryeministrash… e pra Shqipëria e ka! Savrën!
Kështu u ngrit e para Savër, vend i ndëshkimeve shembullore dhe mbas saj do të lindnin gjithkah këpurdha të së njejtës hidhtësi; së pari do popullohej Myzeqeja me: Çermën, Gradishtën, Grabianin, Plugun, Dushkun, Gjazën, Sulzotajn, Rrapzën, etjerë; e më pas në gjithë Shqipëria me: Shtyllasin, Radostinën, Belshin, Shtyllën, Adriatikun, Akerninë, Lubonjën, Bedatin… e kështu me rradhë!
Edhe në të keqen e madhe, për t’parën herë mbas aq vitesh u duk se lindi Jeta! Shumë djemve dhe vajzave të lindur në vitet ‘40, po u ikte me shpejtësi mosha për t’u martuar, për të krijuar familje e për të pasur fëmijë… mbasi deri at’herë kish qenë e pamundur… Savra, riktheu besimin te jeta dhe shpresën se mund të jetohej edhe aty; se ishte e domosdoshme të jetohej; se njerzorja vërtet qe gjunjëzuar, po ajo s’mund t’i nënshtrohej asnjë diktature… Dhe Savra e viteve ‘60, ishte një nga mrekullitë që diktatura s’mundi ta zhbënte. Ai grumbull barakash i quajtur Savër, shpejt u shfaq si një “qytet” i vogël, kur Lushnja ende ishte një “fshat” i madh! Se janë njerzit që i japin shpirt nji vendi, dhe jo e kundërta! E ajo frymë e lindur aty i mbeti atij vendi po edhe gjithë brezave që erdhën më pas! Të gjithë ata që jetuan aty qoftë edhe një ditë dëshmuan se ishin bij të asaj fryme: Të frymës së lirisë dhe harmonisë, të frymës së kulturës dhe mirkuptimit, të frymës së konvergimit dhe respektit për këdo që vlente, po edhe të mospajtimit dhe shpërfilljes ndaj gjithë atyre që e shkelnin këtë kod të shpirtit të vuajtjes krenare!
Aty u shfaq një rini ndryshe, një rini e bukur, plot dritë, plot humor dhe plot shpresë: djem dhe vajza që me shpirt nëpër dhëmbë punonin gjithë ditën arave, po edhe mbaronin shkollën e mesme, edhe flisnin për libra, për filma, për veshje, për muzikë, për modele flokësh, për sport, për festivale që qepnin dhe qëndisnin atë që s’ua lejonte shteti, dhe shfaqeshin të lumtur a thua se ishin diku në Europë dhe jo aty midis një kamp përqëndrimi…
Vajza dhe gra të Savrës viti 1955
Vitet ‘60, mbetën vite të arta të dashurisë dhe kombinimeve! Nisën martesat e para, disa mjaft të bujshme. Shumë djem dhe vajza të kampit e kishin kapërcyer moshën e për shumë prej tyre jo vetëm ishte në rrezik fati i krijimit të familjeve, po për fat të keq mbeten edhe mjaft beqarë të përjetshëm! Ndër martesat e para ishte ajo e djalit të Muharrem Bajraktarit me vajzën e Fiqiri Dines; e djalit të Hasan Dostit me të bijën e Abaz Kupit; e gjeneral Tahsin Spahiut me mbesën e Ahmet bej Resulit; e djalit të Fiqiri Dines me të bijën e Hasan Dostit; e Ibrahim Sokolit me Shanisha Dostin; e djalit të Kol Bib Mirakës me vajzën e Hulusi Spahiut; e djalit të Pal Mirakës me vajzën e Mentor Çokut… e mjaft të tjera që i dhanë kuptim jetës dhe brenda pak kohe shtatë barakat e famshme të Savrës, duke i bërë edhe sfidë të hapur edhe luftës së klasave! Shpejt rrugët e Savrës nisën të gjëmonin nga zërat e fëmijve dhe… jeta po riniste pikërisht aty ku qe këputur!
Te fëmijët e lindur në kamp! Genc Muharrem Bajraktari dhe Hana Fiqiri Dine. Ishte kjo atmosferë magjike ku dominonte kultura e librit, e filmit, e muzikës, e mirkuptimit, e gjuhëve të huaja, e familjaritetit, e dashurisë dhe martesave brenda kampit, që s’mund ta kapërdinte diktatura dhe as ta pranonte atë!!! Dhe nuk vonoi: në hierarkitë e krimit shtetëror u ulërit urdhëri tjetër: Të shkatërrohej Savra!
Të shkatërrohet Savra
Harruan se tashmë Savra s’ishte thjesht një kamp njerzish fatkeqë që shteti mund t’i degdiste ku të donte e si të donte; Savra tashmë ishte frymë, ishte shpirt lirie dhe s’mund të shkulesh as me vendime qeverie, as me rekrutime dhe as me burgje! Në fund të viteve ‘60, erdhi raprezalja e rradhës e shtetit… Armiqsia e shtetit rinisi pikërisht me krijesën e vet: Savrën.
Brenda një nate pjesa më e madhe e familjeve Dine, Kupi, Matjani, Miraka, Maçi, Spahiu, Markagjoni, Dosti, Kolgjini, Bajraktari, Alizoti do të shkuleshin dhunshëm prej aty dhe do të degdiseshin në kampet e tjera, të Myzeqesë dhe Shqipërisë. Po kalohej prej një interrnimi te një tjetër interrnim! Qëllim i vetëm: të rrënohej shpresa, të ndalohej e qeshura, të vritej fryma e lindur në Savër: fryma e mospajtimit me dhunën dhe ëndrra me dritë e lirisë… Po harruan diçka të vogël: duke dashur ta rrënonin Savrën, ata po krijonin gjithkund Savra të reja.