Ministri i jashtëm grek kishte deklaruar: Jemi vend me institucione të forta e kapacitet të madh. Kundër nesh kanë dalë disa vende që janë formuar dy dekadat e fundit.
Harta e vjetër e Shqipërisë, ku ishte pjesë edhe Çamëria, ishte një përgjigje në heshtje e kryeministrit Rama për deklaratën fyese të ministrit të jashtëm grek ndaj Shqipërisë. Kotzias tha në një intervistë në mediat greke: “Ne jemi një vend me institucione të forta dhe kapacitet të madh. Kundër nesh kanë dalë disa vende që janë formuar dy dekadat e fundit. Këto shtete kanë një popullsi të re dhe ndonjëherë veprojnë me vrull që çon në nacionalizëm.”
Në përgjigje të tij, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar hartën e Shqipërisë së vjetër, pa asnjë koment. Në faqen e tij në facebook Rama postoi një video me hartën e vjetër, që ai e mban të zmadhuar në sallën e hartave në kryeministri dhe që tregon trojet e vjetra shqiptare. Kryeministri e ka lënë videon e tij pa koment.
Reagimi i ashpër i zyrtarëve grekë ndaj Shqipërisë erdhi pasi një grup djemsh pjesë e ushtrisë greke, u shfaqën në një fotografi duke formuar simbolin e shqiponjës.