Nga Arben Llalla
Kryeministri Edi Rama paraqiti programin katër vjeçar për qeverinë e tij 2017-2021. Ajo që bie në sy është se “Rama 2” nuk ka asnjë projekt për shqiptarët jashtë Shqipërisë që jetojnë në trojet e tyre etnike, për Diasporën e vjetër dhe të re.
“Rama 2” nuk ka asnjë plan për hapjen e konsullatës shqiptare në Manastir-Bitola të Maqedonisë, në qytetin e Kongresit të Alfabetit, ku ndodhen sot rreth 17 konsullata të huaja, por konsullatë të Republikës së Shqipërisë nuk ka dhe as që është në mendjen e qeverisë “Rama 2”.
Por, më tragjikja e qeverisë moniste “Rama 2” është se në agjendën e saj nuk ka në asnjë rresht për zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame, të pronave të shqiptarëve në Greqi.
Kjo tregon se i gjithë ai zë i Edi Ramës në qeverinë e kaluar pro çështjeve kombëtare është bërë nga presioni i ligjvënësve të PDIU-së, të cilët e mbështesnin Ramën, vetëm pasi ky garantonte se do mbështesë gjithnjë çështjet delikate kombëtare, në veçanti atë Çame.
Koha tregoi se Edi Rama sapo kalojë lumin e nëmi kalin. U shau kalin atyre që u turrën shtëpi në shtëpi për të mbledhur vota për Gramozin dhe Edin në Fier, Tiranë, Durrës, Vlorë. Tani u duhet të mbajnë gishtin në gojë, sepse Gramozi dhe Rama e kaluan lumin për katër vite dhe as telefonin nuk do jua çelin, madje ua kanë harruar emrin dhe fytyrën e jo më të vënë ujët në zjar për Çështjen Çame.
Megjithatë, edhe pse kanë ndodhur shumë gjëra të errëta me thika pas shpine ndaj atyre që gjithnjë kanë punuar dhe mbështetur pa asnjë interes personal çështjet kombëtare, përsëri ka djem dhe vajza që do dinë t’ja dalin në krye që Çështja Çame të mos vdesë, mos të heshtet për këtë problem sa delikat dhe garantues për një fqinjësi të sinqertë dhe miqësore greko-shqiptare.
Por, “Edi Rama 2” si për ironi dhe për t’ua larë kokën me akull shqiptarëve që u përvëlohet shpirti për çështjet kombëtare themeloi një ministri pa portofol duke e quajtur Ministria e Diasporës dhe në krye të saj vendosi Pandeli Majkon me mendimin se ky Pandi gëzon simpati tek shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Diasporës. Por, historia ka lënë gjurmë, sepse ky Pandeli Majko për të treguar besnikërinë e tij ndaj Greqisë e pagëzoi vajzën e tij në kishën greke të Athinës dhe jo në kishën ortodokse të Shqipërisë. (Shpresojmë që pagëzuesi të mos ketë qenë ai ministri antishqiptar i PASOK-ut). Ky ministri i shtetit që ka vendosur “Rama 2”, Majko më mirë di vallen greke se ato shqiptare, të Osman Takës, sepse vallen greke ia ka mësuar Papulias në Sotiras.
Pandeli Majko për luftën e shqiptarëve të Maqedonisë në vitin 2001 ka deklaruar se është një dosje e zezë dhe për këtë deklaratë e tij pati shumë reagime, pa folur për epitetin “njerëz me maska” që i etiketojë disa vite më vonë ish-ushtarët e UÇK-së.
Prandaj “Rama 2” dhe ministri i shtetit pa portofol Majko nuk kanë në programin e tyre çështjet kombëtare, atë Çame, për të hapur shkolla shqipe në Greqi, Turqi, Ukrainë, e gjetkë, atje ku ka shqiptarë, por mendjen e kanë vetëm tek votat e emigrantëve të rinj që punojnë dhe jetojnë pas viteve 1990 në Itali dhe Greqi. I gjithë projekti “Rama 2” për ministrin Majko ka për qëllim thithjen e votave të emigrantëve dhe jo për ruajtjen e dinjitetit, kulturën e gjuhën shqipe.