Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula nxori sot shifrat e borxhit publik të vendeve të rajonit, ku rezulton se Shqipëria lë mbrapa vetëm Malin e Zi, ndërkohë Kosova ka borxhin më të vogël publik.
Në një status në faqen e tij në Facebook ai shkruan se në muajt e parë të këtij viti qeveria arkëtoi 342 milionë euro më tepër nga TVSH, por asnjë lek nuk është përdorur për të ulur borxhin e shqiptarëve.
Reagimi i plotë:
Qeveria, rekordmenja e Ballkanit për të marrë borxh.
Kjo qeveri dhe anëtarët e saj, sa herë që flasin gënjejnë. Ministrja e Ibrahimaj si kryespecialistja e financave rekomandon që me shifrat të merren ekonomistët. Por në fakt ekonomia është shkencë ekzakte dhe nuk ka vend për të gënjyer sepse shifrat janë ato që janë.
Ata që gënjejnë janë anëtarët e kësaj qeverie. Në qershor Ibrahimaj doli në një konferencë ku propagandoi uljen e borxhit publik në 69%. “Përshpejtimi i rritjes ekonomike dhe ngadalësimi i huamarrjes së brendshme dhe të huaj ka çuar në rritje të nivelit të borxhit që për tre mujorin e parë ka arritur në 69.6%. Ngadalësimi i nivelit të borxhit vihet re që në vitin 2021. Shqetësimi kryesor është inflacioni. Në 5 mujorin e parë, inflacioni është 5.2%, kur vetëm në muajin Maj arriti në 6.7%”, tha Ibrahimaj në konferencën e fillimit të qershorit të këtij viti.
Në fakt ministren e kanë përgënjeshtruar institucionet ndërkombëtare. Në “defterët” e Komisionit Evropian ne jemi rekordmenët e ballkanit për borxhin publik më të lartë.
Borxhi që qeveria ka marrë për të kryer shpenzime shtesë ( jo për paketat e ndihmës për shqiptarët por për tenderat me 99.9% të vlerës dhe të mobilimit luksoz të zyrave) që nuk arrijnë të mbulohen nga të ardhurat buxhetore vlerësohet të ketë arritur në 82.7% të prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë 2022, sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe para kandidate.
Sipas Raportit, me këtë nivel borxhi ne ja kalojmë edhe Malit të Zi, që deri tani kishte borxhin më të lartë.
Sipas raportit të Komisionit Europian, stoku i borxhit publik u rrit në 82.7% të PBB-së, në rritje nga 74.9% në tremujorin e mëparshëm dhe 68.8% të PBB-së një vit më parë.
Ndërsa Ministria e Financave, në buletin e borxhit publik e raporton nivelin e borxhit në nivele shumë më të ulëta prej 69.5% të PBB-së në tremujorin e parë 2022, në rënie nga 73.1% në fund të vitit 2021.
Në rajon, nivelin më të ulët të borxhit publik e ka Kosova, me 20.3% të PBB-së, Bosnjë Hercegovina (35.4%), Maqedoni e Veriut (47%), Serbi (56.5%), mali i ZI (76.6%).
Përveç borxhit të matur ne kemi edhe një nënkategori që është po borxh. Konçesionet miliona e miliona euro që nëse llogariten edhe ato, e kalojmë 100%.
Gjithashtu nuk janë llogaritur edhe borxhet që kanë bashkitë. Ju kujtohet deklarata e Kryeministrit pak javë më parë që tha se do marrë në administrim bashkitë pasi shumë prej tyre janë duke falimentuar për shkak të borxhit të madh që kanë krijuar. Në fund të vitit 2021, totali i detyrimeve të prapambetura ndaj të tretëve që kanë akumuluar bashkitë arrinin në vlerën 6.6 miliardë lekë të rinj ose rreth 55 milionë euro.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, vërehet se pesë bashkitë me borxhin më të madh të grumbulluar janë Kavaja, Tirana, Vora, Malësia e Madhe dhe Pogradeci.
Sipas këtyre fakteve Shqipëria jo vetëm që është vendi me borxhin publik më të lartë në rajon por ka një diferencë të theksuar nga të tjerët.
Do të kishte qenë gjysma e së keqes sikur të ishim të parët. Por paratë e marra borxh në emër të shqiptarëve të ishin përdorur në mënyrë efiçente. Por jo. Ne jemi të fundit në rajon për paketën e ndihmës për qytetarët. Ne nuk kemi asnjë vepër madhore që do të ndikonte në punësimin dhe të prodhonte rritje ekonomike për vendin. Paratë e marra borxh janë përvetësuar nga “hajdutët me kollare” të cilët tani duan ti legalizojnë me amnistinë fiskale.
Të dashur qytetarë që po lexoni këtë status. Shifrat zakonisht janë të lodhshme për ti lexuar, por ato janë domethënëse dhe ndikojnë në jetën tuaj, është e patolerueshme që në muajt e parë të këtij viti qeveria arkëtoi 342 milionë euro më tepër nga TVSH, por asnjë lek nuk është përdorur për të ulur borxhin e shqiptarëve, por e kundërta ka ndodhur. Borxhi është rritur. Ndërkohë nëse ka një njeri që më tregon se ku janë shpenzuar (jo vjedhur) këto para me argumente unë kërkoj falje publike. Kjo që po ndodh me këtë qeveri është babëzi. Varfërojnë qytetarët, pasurohen burokratët dhe 5 njerëz klient të qeverisë.