shkruan Fahri Xharra
“Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë ment dhe ndërtohen. Ne, shqiptarët s’marrim dot mësime. Malet tunden dhe rrëkëllehen, ne nuk e ndryshojmë mënyrën tonë. Mbani mend mirë këtë që po u them: Në njëqind (100) vjet, në vafshim si vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.” (Faik Konica, një shekull më parë.)
Kur do të mbushemi mend? Qe 100 vjet e njëjta po përsëritet – dhe ne si jo kurrizorët pa evoluim e vazhdojmë rrugëtimin tonë (i thënçin rrugëtim) “krahas” botës së civilizuar. Po, po ne ecim vetë e bota ecën së bashku. Ne udhëtojmë dhe mendojmë që jemi në hap me kohën, por neve koha na është ndalur. Ora e jonë e murit punon ende “alla turca”. Vetë turku ecë “alla franga” e neve na është futur freni në lëvizjen e akrepave të orës e kurrsesi të shkoqemi nga një periudhë e errtë. E më e keqja i thurim lavde; e rrisim, e zmadhojmë dhe prapë mbesim aty ku ishim para 100 vjet në kohën e Faik Konicës.
“Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë ment dhe ndërtohen”, kurse ne kënaqemi që ishim dhe jemi ata të para 100 vjetësh. Çfarë hipokrizie ndaj vetëvetes, ndaj fëmijëve tanë, ndaj së ardhmes sonë dhe prapë ndalemi e nuk duam të ecim përpara. Ore, bota mbërrini në Planetin Mars!, e ne ende nuk ia kemi besën botës që Toka është e rrumbullakët. Ore, ata po na parashohin motin në çdo milimetër katrorë, në çdo skutë të botës, ne ende i kemi “vraçat” tonë që publikisht “vajtojnë” dhe luten për shi .
Bota thurr teknologji supermoderne të kohës e ne ende (njëlloj si para 200-300 vjetësh) mashtrohemi me fjalët e atyre, lëre që vetë nuk dinë, por edhe e “budallikojnë” një popull.
Faik Konica!, po më vjen shumë mirë që e kishim një mendje hollë si ay, por jam shumë i dëshpëruar në ne, pasardhësit e tij që nuk e patëm as një fije guxim, as një fije mençuri e t’ia thyejmë parashikimet e tija. E pamundur, historikisht e pamundur të ngelesh prapa botës për 100 vjet!
Faik Konica! e kam edhe për lavdërim kombëtar që ne jemi “besnikë” të fjalës, dhe nuk e ndërrojmë as pas 100 vitesh atë që e mendonim në kohën e tij. Burrat e shqiptarisë flasin një herë, dhe nuk i bëjmë lak fjalës; jemi ata që ishim para 100 viteve dhe stop, aty kemi ngelur.
Ne nuk lëvizim “cërc e mërc” si ato te fabrikat e elektronikës , mjekësisë, teknologjisë që çdo gjashtë muaj dalin me diçka të re; ne nuk ndërrojmë.
I japim fjalën Faik Konicës që edhe në 100 vitet e ardhshme do e mbajmë fjalën e prapambetjes mendore dhe se të jemi po ata, ashtu si në atë kur ia kishte dhënë lamtumirën kësaj bote.
Punë e madhe që bota ecë përpara, ne i jemi besnikë traditës; nuk i bimë shqelm fjalëve tona.