Nëse ka një sektor ku qeveritë shqiptarë kanë dështuar me sukses mandat pas mandati është shëndetësia. Megjithëse shqiptarët janë populli më i varfër në Europë ata vazhdojnë t’i besojnë shëndetin e tyre spitaleve private (në vitin 2014 shpenzuan 43 milionë euro) që kanë lulëzuar me të njëjtin ritëm që shkatërrohet sistemi shtetëror.
Ministria e Shëndetësisë e përdorur nga qeveria “Berisha” si “dhuratë” për aleatët që fuste në qeveri (PDK-ja e Ndokës e më pas LSI-ja e Metës) kishte ruajtur fatin e saj më të keq për mandatin e qeverisë “Rama”, ku një nga ministrat e tij më besnikë po vendos një sistem të ri të menaxhimit, që nuk është asgjë më shumë një “varrosje” e ngadaltë e sistemit shëndetësor publik dhe kthimin e çdo shërbimi në duart e privatëve.
Nëse do të mbahet mend një ministër, i cili mendon çdo ditë si të gjejë një mënyrë që paratë e shqiptarëve t’i shpërndajë tek kompanitë private për të ofruar shërbime, për të cilat është përgjegjës shteti, ai do të jetë padyshim Ilir Beqja. Akuzat e opozitës dhe hetimet e mediave ndaj konçensioneve të dhëna në firma fantazëm, prapa të cilave dyshohet se qëndrojnë persona të lidhur me pushtetin që përfitojnë nga këto fonde, ose rasti më i bujshëm ai i Chek-up dhënë sipermarrëses Vilma Nushi, nuk ia kanë prishur aspak qetësinë ministrit. Madje, as një hetim që ka hapur së fundmi Prokuroria për procedurat e këtyre koncensioneve nuk e ka shqetësuar atë. Dhe për këtë qetësi të Beqjas ka një arsye të thjeshtë; ai është i mbrojturi i kryeministrit Rama. Edhe pse është ministri më i akuzuar për afera korruptive, në mënyrë arrogante Rama e vendosi Beqjan si kryetar të grupit të punës të partisë që do të vlerësonte punën e qeverisë për të përfunduar dhe në një mbrojtje publike të tij.
Reforma apo batuta e “shëndetësisë falas”
Fushata elektorale ka kaluar dhe shqiptarët e kanë gjetur veten sërish në Ferr. Premtimi për shëndetësi falas krijoi gjatë fushatës së socialistëve shpresën se të paktën shteti do të ishte i dhembshur me dhimbjen dhe shëndetin e njërëzve, por nuk ndodhi kështu. Pamjet që vijnë nga QSUT-ja janë katastrofike, njerëzit e operuar rrijnë në dhoma me lagështirë dhe pa kushtet minimale higjenike. Mungesa e ilaçeve e deri tek pambuku dhe termometri vazhdon.
Po çfarë u premtua dhe çfarë po ndodh realisht?
U premtua një reformë që do të ulte çmimin e ilaçeve, do të garantonte furnizimin e rregullt të spitaleve dhe do të çlironte tregun nga monopolet. Në verën e vitit 2014, një ligj i ri për barnat u miratua në Parlament. Sipas një investigimi të BIRNI-it rezulton se “rregullat e lojës u ndryshuan përmes zëvendësimit të barnave të patentës me ato gjenerike, duke synuar uljen e kostos dhe rritjen e numrit të përfituesve nga skema e ilaçeve të rimbursueshme. Por një vit më pas, reforma ka dështuar të sigurojë ilaçe për të gjithë pacientët që mbulohen nga skema e rimbursimit”. Farmacitë pranuan se kanë mungesa të shumta të ilaçeve bazike dhe se tregu është në kaos, ku një pjesë e mirë e pacientëve ambulator nuk kurohen me mjekimet e duhura.
Check-up falas apo 1.5 miliardë lekë të “falura” një kompanie private?
Ministria akordoi një fond prej 1.5 miliardë lekësh për një kompani private, “Marketing & Distribution”, (e njohur në treg si kompani importi dhe shpërndarje cigaresh), për të ndërtuar laboratorë në të gjithë vendin ku qytetarët mbi moshën 40 vjeç mund të kryenin një check-up falas. Çfarë ndodhi? A u ngritën këta laboratorë? A ishin sipas standardeve analizat që u kryen në këto qendra të ngritura, aty ku u ngritën? Pikpyetjet janë të mëdha dhe përveç akuzave të opozitës se ky tender ishte një mashtrim total, në koridoret e laboratorëve shtetërore tashmë është kthyer në humor çështja e analizave të këtij check-up-i, pasi njerëzit që kanë bërë analizat falas aty janë detyruar të ribëjnë analizat në privat ose në laboratorët e poliklinikave shtetërore, sepse kanë rezultuar me sëmundje që nuk i kishin. Nëse do të mbahet mend një gjë nga ky check-up është se gratë dolën me prostatë ose se gjysma e popullsisë doli me diabet.
Akuzat e opozitës të artikuluara nga deputetja Albana Vokshi citonin një raport të KLSH-së, ku bëhet e ditur se kompania e Vilma Nushit është paguar për muajt mars-nëntor me shumën 5 miliardë e 554 milionë, që i bie të jenë kontrolluar 318 mijë persona, kostoja për një person është 17 mijë lekë. Por sipas të dhënave zyrtare nga institucioneve shëndetësore shtetërore, numri i të kontrolluarve është 216 mijë persona.”
Skandali pas Koncensionit të hemodializës
Sërish ishte një investigim i BIRN-it që zbuloi se Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë një koncesion 10-vjeçar shumë-milionësh një kompanie pak të njohur dhe pa eksperiencë, pronarja e së cilës ka lidhje farefisnore me drejtuesin e një spitali privat, por jeton me të ardhura e një bar kafeje në Berat. “Evita” sh.p.k, një kompani produktesh farmaceutike me qendër në Tiranë, e themeluar më 14 maj, do të administrojë 86 milionë dollarë për një nga shërbimet që ka të bëjë direkt me jetën e të sëmurëve, hemodializa. Mjekët specialistë thonë se një praktikë e tillë nuk është parë e dëgjuar në asnjë vend të botës, pasi ky është një shërbim që duhet të ofrohet nga spitali publik.
Hetimi i nisur dhe avokatia e Ramës
Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për tenderat e ilaçeve të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për dhënien e tre konçensioneve me një vlerë të përgjithshme prej mbi 300 milionë eurosh. Por, a mund të ketë publiku shpresë se ky hetim mund të nxjerrë diçka në dritë kur kryeministri Rama merr përsipër të bëjë avokatin publik të ministrit të tij. Pas një sulmi me vezë që iu bë Beqjas në publik, kryeministri Rama publikoi një status të gjatë në facebook ku rrjeshton arritjet e ministrisë së Shëndetësisë.
Me një avokat të tillë në krah,Ilir Beqja duket se do të vazhdojë i qetë me konçensionet e radhës, ndërsa opozita po tenton të fitojë një betejë të dytë kundër tij pas betejës së fituar në Gjykatën Kushtetuese në 2011-ën, e cila i hoqi mandatin e deputetit Beqjas duke vërtetuar akuzat e opozitës se ai me anë të firmës së tij kishte përfituar fonde shtetërore, ndërkohë që ishte deputet. Me një precedent të tillë, shkelje e Kushtetutës së Shqipërisë, Ilir Beqja vazhdon të mbetet në lojë si ministri më i atakuar i qeverisë “Rama”.