Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se rruga institucionale dhe dialogu janë format e duhura për zgjidhjen e problemeve ndëretnike.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Thaçi shkruan se marrëveshja ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës është dëshmi se çdo problem mund të tejkalohet përmes dialogut ndërinstitucional, kur ekziston gatishmëria për të gjetur zgjidhje.
“Kosova ua garanton të drejtat dhe liritë çdo qytetari dhe pa marrë parasysh përkatësitë etnike, të gjithë duhet të ndjehen të barabartë me njëri-tjetrin. Etnitë e shumta janë pasuri e jona, por retorika e urrejtjes dhe ndërhyrjet nga jashtë mund ta dëmtojnë harmoninë tonë. Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë”, ka shtuar Thaçi.