Në vëmendje të “profesor” Panajot Barkës dhe akademikëve grekë, në lidhje me bashkëpunimin e grekëve me gjermanët. Po studiuesit grekë të sojit Barka mund ta vërtetojnë shkencërisht bashkëpunimin e çamëve me gjermanët? Nuk ka patur asnjëherë bashkëpunim të çamëve me italianët dhe gjermanët, por grekët prej 73 vitesh vetëm kanë bërë akuza politike për të grabitur pronat çamëve dhe për të bërë spastrim etnik në Çamëri që nga viti 1913-1945.
Nga Arben Llalla
Qysh kur Greqia mori Çamërinë plotësisht në vitin 1913, janë djegur me qindra shtëpi dhe janë vrarë mijëra shqiptarë nga forcat ushtarake dhe paraushtarake greke. Nën një terror dhe trysni për të braktisur trojet e tyre shqiptarët në Çamëri kishin rezistuar fort deri në vitin 1945, kur edhe përfundoi zyrtarisht spastrimi etnik i kësaj pjese që banohej që në kohët antike vetëm nga shqiptarët.
Terrori shtetëror grek ndaj popullsisë shqiptare pas vitit 1912, vihet re tek mos përfaqësimi i tyre në Kuvendin e Greqisë dhe në drejtimin e komunave, ku shqiptarët megjithëse ishin shumicë nuk mund të fitonin asnjë përfaqësues. Vetëm në zgjedhjet e vitit 1915, në Qarkun e Prevezës mundën të dilnin deputetë Ali Dino, nga “Formacioni të Partisë në Qeverinë e Njësuar”1 dhe Razim Mysliu i pavarur. Pas vitit 1920, asnjë shqiptar nuk ka mundur të fitojë një ulëse në Kuvendin e Greqisë. Ali Dino ka kandiduar disa herë për deputet, por ai nuk fitonte, pasi shteti grek qëllimisht shqiptarët myslimanë i fuste për të votuar në Prefekturën e Janinës, ku ata ishin pakicë.
Shqiptarët në Çamëri ishin minoriteti i shtypur, i papërfaqësuar, i grabitur nga vetë shteti i tyre, edhe pse kishin dhënë kontribut në themelimin e tij. Kjo gjendje e rëndë vazhdonte të përkeqësohej edhe më tej. Shqipëria protestonte nëpër organizatat ndërkombëtare për shkeljet e të drejtave të njeriut, për shkeljen e Marrëveshjes së Lozanës, ku Greqia njihte minoritetin shqiptar me të drejta të plota, por asnjë reagim pozitiv nuk bëhej.
Dy muaj para luftës italo-greke, të vitit 1940 qeveria fashiste e Metaksait burgosi në ishujt e Egjeut të gjithë meshkujt çamë nga mosha 16 deri 70 vjeç. Rekrutët çamë si shtetas grekë, të rekrutuar në vitet 1939, 1940 u vunë në punë të rëndomta, duke hapur rrugë e duke thyer gurë. Kapiteni i xhandarmërisë së Filatit, Stavridhis, tek kanoste deklaronte publikisht: “Ju myslimanët e Çamërisë, pritni që të vijë këtu Italia dhe Shqipëria. Ju lajmëroj se ajo ditë nuk do të vijë kurrë, por edhe sikur të vijë, ne grekët jemi 7.5 milionë dhe nuk do të lemë të gjallë asnjë çam”2.
Shumë nga çamët që u burgosën dhe u internuan nuk u kthyen më, ata vdiqën nëpër burgje dhe kampet e internimit, pa një varr. Presionet e shumta që u bëheshin shqiptarëve në Çamëri gjatë periudhës që Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia detyronte shumë prej tyre që të mendonin se shpëtimi i tyre është lufta, çlirimi nga diktatura fashiste e Metaksait. Por, përsëri çamët si njerëz të urtë dhe punëtorë ulën kryet duke duruar çdo sakrificë vetëm e vetëm për mos braktisur trojet e të parëve.
Gjatë viteve 1941-1944, Greqia u nda në tre zona të pushtimit nga ushtritë e huaja. Ushtria bullgare hyri në Greqi më 20 Prilli 1941, pa asnjë rezistencë nga ushtria greke. Bullgarët u përqendruan në Maqedoninë Lindore greke dhe Trakën, me përjashtim të Evru, zonën kufitare me Turqinë e kontrollonin gjermanët. Gjermanët hynë në Greqi nga Bullgaria, ata u përqendruan në Athinë, Selanik, në Maqedoninë Qendrore greke, ishujt e Egjeut dhe Kretë. Pasi gjermanët kishin pushtuar Epirin dhe ishin vendosur në Meçovë, atëherë ushtria italiane hyri në Greqi nëpërmjet kufirit jugor të Shqipërisë. Italianët u vendosën për të kontrolluar territoret e Pindit, pra të fshatrave ku banorët ishin vllehë, në Thesali, Maqedoninë Perëndimore greke, në Çamëri, ishujt jonianë dhe në ishullin e Korfuzit.
Gjatë kohës që italianët ishin në Çamëri nuk ndodhi asnjë incident me karakter nacionalist si burgosje, rrahje apo vrasje ndaj grekëve. Shumica e shqiptarëve në Çamëri ishte rreshtuar në ushtrinë e rezistencës EAM-ELAS dhe mbanin lidhje me partizanët e Shqipërisë.
Në mars të vitit 1942, në kulmin e krizës ekonomike të Greqisë, u arrit një marrëveshje midis palëve ndërluftuese për shpërndarjen e ushqimeve në Greqi, të sjella me anije suedeze nën kujdesin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Ngarkesat me ushqime në Greqi në fillim erdhën nga Kanadaja dhe pas vitit 1943 nga SHBA9.
Siç e kam thënë, kryetari i EDES Napoleon Zerva, bashkë me vëllanë e tij Perikliun grabitnin ushqimet në Artë fshatarëve dhe me ndihmën e ushtarëve italianë i çonin në Athinë për t’i shitur në tregun e zi me çmime të larta. Në librin e Nikiforoz G. Kossivaqis, me titull: “E vërteta e Tretë”, (Νικηφοροζ Γ. Κοσσυβακη “Τριτη Αληθεια”), botuar në Athinë më 2001. Autori hedh dritë mbi bashkëpunimin e Napoleon Zervës me oficerin e lartë italian Eduart Ferlaco për shitjen e ushqimeve në tregun e zi të Athinës.
Në periudhën 1941-1944, në Greqi vepronin katër qeveri dhe disa grupe të ndryshme të rezistencës që siç e kemi thënë ata shpeshherë luftonin kundër njëri-tjetrit duke bashkëpunuar edhe me pushtuesit e Greqisë. Kjo gjendje kaq tragjike bëri që popullsia shqiptare në Çamëri të krijonte Këshillin Nacional Çam. Ky Këshill nuk kishte asnjë forcë apo kompetencë ligjore për të arrestuar apo dënuar, thjesht luante rolin e udhëzuesit, këshilluesit me qëllimin e mirë që mos të ndodhnin vëllavrasje midis banorëve të etnive dhe feve të ndryshme.
Në 12 janar 1942, shefi i policisë në Paramithi, Ilia Niko, vrau dy personalitete çame, pronarin e madh Tefik Qemalin dhe doktorin Ahmet Qazimin. Çamët e armatosur u morën hak duke vrarë prefektin e Thesprotisë, Jorog Vassiliakos11.
Shefi i policisë, Ilia Niko, nuk ishte vetëm kur e vranë Tefik Qemalin nga Karbunari dhe Ahmet Qazimin nga Margëlliçi, ai u ndihmua edhe nga kapiteni i EDES, Koço Nikola nga Vojniku-Prodhromia, emrin e vërtetë e kishte Konstandinos Jorgo-“Koçonikolas”. Kjo ngjarje e zezë ka ndodhur në kafenenë e Sotir Triandafilu-Neli. Tefiku dhe Ahmeti po festonin me Lake Abazin daljen e tij nga burgu. Në kafene filluan të fjaloseshin Ilia Nikos me Tefik Qemalin. Më tej, Ilia Niko bashkë me Nikola Koçon i zënë pusi Tefik Qemalit dhe Ahmet Qazmit, të cilët i vret Niko Koço12. Meqenëse Ilia Niko ishte shefi i policisë së Paramithisë dhe do kishte lehtësira për të justifikuar këto dy vrasje, ai e mori përsipër këtë punë.
Në dhjetor u vra një tjetër personalitet çam, Jasim Sadiku nga Mallgëlliçi. Të nesërmen, një i krishterë nga Spathari, Vasil Çupi dhe prifti Spiridon Nuçi u gjetën të vrarë13.
Jasim Sadikut, i njohur edhe si Jasim Haxhiu, i zunë pusi Harallambos Serifi me kushëririn e tij, Vasilis Ballumis. Në fillim Jasim Sadikun e qëllon Harallambos, por plumbi nuk e goditi, më pas qëllon Vasil Ballumis dhe e plagosi rëndë Jasimin. Sipas dëshmive të pas luftës, Jasimin Sadiku vdiq më 6 dhjetor 1942 nga gjakderdhja rrugës për në Margëlliç tek lugina e Musa Agës.
Vrasësi Vasil Ballumi ishte një i arratisur nga burgu dhe endej maleve për t’i shpëtuar arrestimit nga forcat e rendit italiane, për t’ju shpëtuar këtyre forcave ai u bashkua me EDES të Napoleon Zervës. Për fat të keq Vasil Ballumi dhe Harallambos Serifi ishin shqiptarë ortodoksë nga fshati Spathar i Margëllëçit.
Deri në kapitullimin e Italisë fashiste, shtator 1943, në Çamëri nuk ishte kryer asnjë masakër, ekzekutim kolektiv apo individual nga italianët, por edhe nga grupet e parregullta të çamëve, të cilët armët i kishin për vetëmbrojtje. Gjithashtu, grekët që ishin policë, xhandarë dhe grupet e rezistencës nuk kishin kryer asnjë sulm kundër shqiptarëve, përveç vrasjeve të lartpërmendura me karakter të zënkave personale, grabitje të pronave dhe gjakmarrjes.
Historigrafia e Greqisë, dokumentet angleze e asaj kohe, italiane, gjermane e më gjerë, nuk sjellin asnjë të dhënë se në Epirin e Jugut-Çamëri gjatë pushtimit italian prill 1941-shtator 1943 të jenë kryer masakra kolektive, djegie të fshatrave, pjesëmarrës të së cilës kanë qenë edhe shqiptarët e Çamërisë.
Italianët kryen një masakër në fshatin Domeniko, më 13 shkurt 1943, ku vranë 19414 njerëz dhe dogjën tërë fshatin. Në 12 mars po të këtij viti, italianët dogjën fshatin Caricani-Tsaritsani, dhe ekzekutuan 40 banorë15. Në të njëjtin muaj, mars 1943, italianët dogjën fshatin Servia. Këta dy fshatra ndodhen afër Larisës, Elassonës dhe Kozanit, ku funksiononin Legjionet Romake të vllehve që bashkëpunonin me italianët fashistë. Këto masakra u kryen, pasi fshatarët e këtyre fshatrave ndihmonin forcat e rezistencës të EAM-ELAS.
Pushkatimi i 49 qytetarëve në shtator 1943 në Paramithi
Pasi kapitulloi Italia fashiste në shtator 1943, zonat që i kontrollonte ajo i kaluan gjermanëve, të cilët mbështeteshin nga Batalionet e Sigurimit dhe trupat SS greke.
Më 24 shtator në Shkallë të Paramithisë vriten gjashtë ushtarë gjermanë nga forcat e rezistencës. Urdhëri i komandantit gjerman ishte që për një ushtar gjerman të plagosur apo të vrarë do të pushkatohen dhjetë grekë. Për 4-5 ditë gjermanët arrestuan 52 grekë për t’i pushkatuar si hakmarrje për vrasjen e ushtarëve të tyre. Më 29 shtator ata pushkatuan 49 qytetarë të Paramithisë. Sipas të dhënave gjermanët kohë më parë kishin informacione për qytetarët e Paramithisë se kush kishte lidhje me partizanët e EAM-ELAS dhe i përkiste ideologjisë komuniste.
Panajoti Camatos, profesor në universitetin e Janinës, me rastin e pushkatimit të 49 qytetarëve të Paramithisë, në shtator 2015 solli një dokument, ku tregohej se komanda gjermane e Paramithisë kishte të dhëna që në gusht 1943 se kush ndihmonte EAM-ELAS-in dhe i përkiste ideologjisë komuniste. Nëse do shohim mbiemrat e 49 të pushkatuarve, 32 prej tyre mbajnë mbiemra që rrjedhin nga gjuha shqipe dhe 17 mbiemra ortodoksë.
Nga një dokument i CIA-së i botuar në vitin 2000, i ofruar nga Shërbimi inteligjent grek të pranuara gjatë vitit 1944, ku tregohen shifrat zyrtare të krimeve të luftës të kryera nga nazistët gjermanë si ekzekutime, vrasje dhe zjarrëvënie. Në paragrafin për krimet naziste në Epir jepen të dhëna:
Dokumenti i ofruar nga CIA që është dhënë nga Shërbimi Informativ Grek me seli në Kajro të Egjiptit, pretendon se janë pushkatuar 60 qytetarë në 30 shtator 1943 në Paramithi dhe jep vetëm 44 emra nga të pushkatuarit (një emër përsëritet dy herë). Ndërsa pllaka përkujtimore në Paramithi, ku për çdo vit organizohet aktiviteti në kujtim të tyre ka vetëm 49 emra. Në dokumentin në fjalë thuhet se janë ekzekutuar nga toga gjermane. Në të gjithë librat grekë që shkruajnë për këtë ngjarje thuhet se shqiptarët e Çamërisë nuk morën pjesë në pushkatim, por ata ishin bashkëpunëtorë. Një akuzë që kurrë nuk u vërtetua me fakte se a ishin bashkëpunëtorë çamët. Shumica e të pushkatuarve ishin shqipfolës dhe përkrahës të ushtrisë partizane EAM-ELAS.
Çamët në ushtrinë partizane EAM-ELAS
Shumica e popullsisë shqiptare në Çamëri përkrahu forcat e majta të rreshtuara në ushtrinë partizane EAM-ELAS. Kjo përkrahje lidhej edhe me faktin se shqiptarët në Çamëri i urrenin forcat politike të djathta, të cilat ndër vite ushqenin popullin me nacionalizëm ekstremist grek kundër minoriteteve, por edhe me faktin që shqiptarët në Shqipëri luftonin kundër pushtuesve si ushtri çlirimtare e majtë partizane.
Nga të dhënat e fundit që i lexojmë në librin e akademikut të ndjerë, prof.dr. Kristo Frashërit mësojmë se disa herë kryetari i forcave guerile të djathta Napoleon Zerva u kishte bërë ofertë krerëve shqiptarëve në Çamëri që të bashkoheshin me EDES.
Në shtabin e EDES-it u përgatit terreni që me anën e misionarëve anglezë të bëhej takimi i parë i Nuri Dinos me Zervën. Oficeri anglez i ndërlidhjes, Myers, që vepronte pranë shtabit të EDES-it, bëri të mundur që takimi të mbahej në manastirin e Paganionit, në fshatin Selan të Paramithisë, në fund të muajit maj 1943. Pala e EDES-it u përfaqësua nga koloneli anglez Myers, kapiteni Zhupa dhe 2-3 oficerë të tjerë. Pala e Ballit Kombëtar çam u përfaqësua nga Mazar Dino, myftiu i Paramithisë, Ferhat Kaso e Sali Meto. Përfaqësuesit e palës së EDES-it kërkuan nga forcat e Ballit Kombëtar të Çamërisë tu bashkohen atyre të Napoleon Zervës kundër EAM-it dhe ELAS-it16.
Në Pargë, më 10 gusht 1943, u takuan përfaqësuesit e të dyja palëve EDES dhe të Ballit Kombëtar. Këtë radhë Balli Kombëtar çam përfaqësohej nga Mazar Dino dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij çamë. Pala e Napoleon Zervës kërkoi nga Balli Kombëtar: 1. Të bëhej çarmatimi i menjëhershëm i çamëve dhe gjithë forcat çame të armatosura si dhe ato të afta për luftë, të kalonin nën komandën e EDES-it. 2. Në Çamëri të organizohej një administratë e re në formë këshilli, me emrin EA (Ethiniki Agona). 3. Ndihmat që do të mblidheshin nga popullsia të shkonin për EDES-in. 4. Në krahinat që ishin nën juridiksionin e EDES-it, të mos shkelte asnjë çam i armatosur17.
Për kundërpeshë ndaj formacioneve të parregullta të vëllezërve Dino, të cilët bashkëpunonin me administratën italiane dhe më tej gjermane u themelua në Çamëri, Këshilli Nacionalçlirimtar. Në krye të Këshilli Nacionaçlirimtar Çam u vu personaliteti i njohur Musa Demi18.
Shumë djem të Çamërisë si: Muharrem Demi, Petrit Musa Demi, Dervish Dojaka, Mustafa Dauti, Qamil Izeti, Ismail Hmaiti, Gani Demi e të tjerë u përfshinë që në fillim në batalionet mikse19.
Më 2 shkurt, (1943), në kuadrin e FNÇL u formua në Konispol çeta që mori emrin “Çamëria”, me fushë veprimi kryesisht në zonat e jugut të Shqipërisë dhe të vijës kufitare, çetë e cila mbante njëkohësisht kontakte dhe bashkëpunonte me forcat e ELAS-it. Në muajin mars 1943 çeta “Çamëria” dhe një prej grupeve të rezistencës të ELAS-it, ranë dakord për të bashkëpunuar në fushën ushtarake. Paralelisht, anëtarë të këtyre dy grupimeve kaluan nëpër fshatrat e zonës së Theollogos në Epirin e Veriut dhe organizuan një takim të përfaqësuesve të fshatrave të zonës së Filatit, ku u folën për qëllimet e përbashkëta të luftës si dhe për t’u rreshtuar së bashku në luftën kundër pushtuesve20.
Një grup partizanësh të ELAS-it, në mars 1943, i përbërë nga çamë dhe grekë, Petrit Demi, Taqis Theologjis, Panajotis Micis, Kostas Sternaras të ELAS, u takuan në fshatrat e jugut të Shqipërisë me partizanët Janis Kondis, Vangjel Pulis dhe dy të tjerë21.
Çeta “Çamëria” u zgjerua në batalion dhe në nëntor 1943 mori emrin “Thoma Lulo”, për nder të luftëtarit grek nga Gjirokastra që ishte vrarë ato kohë22.
Tashmë grekët dhe shqiptarët e Çamërisë luftonin bashkë kundër pushtuesit gjerman.
Nga popullsia shqiptare e Çamërisë u përfshinë në formacionet luftarake shqiptare dhe greke mbi 1.000 luftëtarë, pa llogaritur qindra të tjerë që punonin në terren. Vetëm në radhët e ELAS-it dhanë jetën 68 partizanë çamë23.
Sipas dokumenteve të autoriteteve gjermane në fillim të 1944 pushtuesit gjermanë krijuan strukturën e një batalioni çam me gjysmë efektivi prej 300 vetësh, por atë e dislokuan në Konispol e jo në Çamërinë e përtejme (brenda territorit shqiptar) për të mos krijuar ndërlikime politike me qeverinë mike greke të J. Rrallis24.
Në 10 janar 1944, me iniciativë të regjimentit të 15-të të ELAS-it dhe me aprovimin e FNÇl shqiptar u formua batalioni miks për krahinën e Çamërisë. Bashkëkomandantët e batalionit ishin emëruar fillimisht Muharrem Demi dhe Spiro Shqevi, por më vonë, pas kalimit të batalionit nën komandën ekskluzive të ELAS-it, komandant i tij u emërua Joannis Sarafis25.
Pra, nga burimet e ndryshme del përfundimi se shumica dërrmuese e popullsisë shqiptare në Çamëri ishte rreshtuar përkrah forcave të majta të rezistencës EAM-ELAS, duke përkrahur pa rezerva luftën për çlirim nga pushtuesit italian dhe gjerman. Greqia e udhëhequr nga qeveritë kuislinge Çolakoglu, Logothetopulos dhe Rrallis kishte krijuar huti tek popullsia, saqë atë periudhë kishte disa qeveri paralele greke dhe forca të ndryshme të rezistencës, të cilat disa herë u përplasën me njëra-tjetrën duke harruar luftën kombëtare për çlirimin e Greqisë.
Masakrat në Çamëri nga EDES
Pas pushtimit fazë-fazë të Epirit të Jugut-Çamërisë nga grekët që në vitet 1880 dhe deri në fillim të vitit 1913, kur u mor Janina, shqiptarët kanë qenë nën presionin shtetëror grek për të braktisur trojet e tyre. Ashtu siç e kam thënë ndër vite, Greqia me dhunë largoi mijëra familje shqiptare nga Çamëria për në Turqi, Shqipëri dhe gjetkë duke mos u kthyer më kurrë. Por, gjenocidi më i egër dhe fatal ishte ai i viteve 1944-1945, ku forcat ushtarake të EDES të udhëhequr nga klerikë ortodoksë grekë me veshje ushtarake kryen masakrat çnjerëzore mbi popullsinë e pambrojtur çame.
Ishte e martë, 27 qershor 1944, ku rreth 2.500 trupa ushtarake të EDES të udhëhequr nga Napoleon Zerva dhe të shoqëruar nga Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, i cili kishte veshur teshat ushtarake të EDES, hynë qetësisht në qytetin e Paramithisë. Asnjë kundërshtim me armë nga ana e popullsisë shqiptare, Mitropoliti Dhorotheos nis bisedat me krerët shqiptarë, me Myftiun Sali Hafizi duke ju premtuar se asnjë e keqe nuk do t’ju ndodhë.
Pas dreke, pas një ngrënie të mirë nisi masakrimi kudo në çdo vend, ku gjenin çamë. Masakrimet janë bërë nëpër shtëpi me gra dhe fëmijë. Burrat janë vrarë mizorisht nëpër rrugë dhe hedhur nëpër hendeqe. Numri i të vrarëve gjithsej 165. Në qarkun e Paramithisë në katundet e quajtura Gardhiq, Dragoni, Amini e Karkunar një ditë më pas u masakruan tmerrësisht 600 punëtorë dhe bujq, 150 plaka, gra dhe vajza26.
Më 28 gusht 1944, në Pargë bandat e Zervës vranë 49 burra dhe 8 gra, Më 14 shtator autoritetet ushtarake zerviste në Filat grumbulluan gjithë burrat e mbetur në qytet, shumica e të cilëve ishin pleq dhe pas një “gjyqi” formal i dënuan të gjithë me vdekje, me përjashtim të 7 vetëve. Pas tri-katër ditësh u pushkatuan 51 vetë të tjerë afër spitalit të Filatit dhe te Përroi i Shejlës. Kështu numri i të vrarëve dhe i të humburve në qytetin e Filatit arrinte në 259 vetë27.
Në Filat, gjatë periudhës qershor 1944 – mars 1945, u masakruan dhe u vranë 1.286 persona, në Gumenicë u vranë 192, në Margëlliç e Pargë 626 persona. U shkatërruan 68 fshatra, u dogjën dhe u rrënuan 5.800 shtëpi, u shkatërruan të gjitha objektet e kultit si dhe u grabitën pasuritë, pronat e këtyre kulteve (mbi 80 xhami)28.
Sipas një liste, ku u regjistruan emrat e të vrarëve dhe vendit të tyre të origjinës më pas se 1200 viktima civile janë identifikuar për periudhën 1944-194529.
Përfundimi i genocidit grek kundër popullsisë shqiptare në Epirin e Jugut-Çamëri ishte tragjik. Pothuajse Çamëria u spastrua nga etniteti shqiptar. Në fshatrat ku banonin shqiptarët myslimanë u vendosën refugjatë grekë të ardhur nga Azia e Vogël dhe grekë të ardhur nga pjesët e tjera të Greqisë. Shumë fshatrave ju ndërruan emrat, ju ndërruan toponimet për të zhdukur çdo gjurmë shqiptare në Epirin e Jugut.
Nga një popullsi prej 35.000 vetash, që ishte paraluftës, mbetën vetëm disa dhjetëra familje. Të vrarët dhe të humburit arrijnë shifrën 2300 vetë. Të vdekurit gjatë emigracionit për mungesë ushqimesh dhe nga sëmundjet e ndryshme 2400 vetë30.
Nga të dhënat e botuar kohëve të fundit del se sipas qyteteve janë masakruar në genocidin grek ndaj popullsisë çame 2.877 shqiptarë. Në Filat dhe rrethinë numri i të masakruarve është 1.286, Gumenica me rrethinë, 292, Paramithia me rrethinë, 673, në Margëllëç dhe Pargë, 62631.
Përveç pjesëmarrësve ushtarakë që kishin shërbyer në qeverisjen fashiste të Metaksait, në masakrat kundër çamëve, morën pjesë dhe dhjetëra priftërinj si Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, prifti Serafeim i ardhur nga Athina me porosi të kryepeshkopit të Greqisë, Damaskino. Serafeimi do të bëhej më tej Mitropolit i Janinës dhe më vonë kryepeshkop i Greqisë, vëllai i Napoleon Zervës, Aleko Zerva i cili ishte prift.
Kapiteni Kristos Stavropulos në rolin e gjykatësit të ushtrisë EDES nënshkroi ekzekutimet pa gjyq të qindra shqiptarëve në genocidin e viteve 1944-1945 në Çamëri. Në vitin 1953 ushtaraku Kristos Stavropulos u zgjodh kryetar i Gjykatës së Lartë të Greqisë.
Plani për genocidin e viteve 1944-1945 nga EDES, nuk lindi aty për aty, ai plan për përzënien e shqiptarëve nga Çamëria me masakra, përdhunime, grabitje ishte planifikuar shumë vite më parë që kur grekët pushtuan Epirin e Jugut.
Në qeverisjen e Metaksait u vranë 2.300 persona dhe vdiqën nën torturë 450 të tjerë32. Një shifër e përafërt me masakrat që kryen disa vite më vonë Napoleon Zerva dhe ushtarakët e Metaksait të grupuar në EDES.
Shteti grek sekuestroi shtëpitë dhe tokat pa të drejtë me ligje dhe gjyqe të montuara, mijëra bagëti u vodhën, ngordhën dhe u dëmtuan. Por, tragjedia çame nuk do të përfundonte me largimin nga Greqia dhe ardhjen në Shqipëri. Shqiptarët nga Çamëria u persekutuan nga pushteti komunist, trajtoheshin me përbuzje si qytetarë të dorës së dytë. Shumica e tyre u vendosën në periferitë e qyteteve, nëpër baraka dhe jetonin si në geto. Ky ishte një persekutim edhe më i dhimbshëm, kur mendon se ata keqtrajtoheshin nga shtetin amë, nga shteti për të cilin kishin sakrifikuar gjithçka për mbijetesën e tij.
I gjithë aparati shtetëror i Greqisë pas vitit 1945 u vu në lëvizje për ngritjen e historive të gënjeshtrës për bashkëpunimin e popullsisë çame me gjermanët, për të mbuluar masakrat dhe genocidin e kishës greke pjesëmarrës të trupave ushtarake të EDES.
Roli i klerikëve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë në masakrat kundër popullsisë shqiptare në Çamëri ka qenë i rëndësishëm. Kjo del qartë edhe në letrën-kërkesat e Mitropolitit të Paramithisë, Dhorotheos dërguar më 18.05.194433, Këshillit të drejtuar nga Mazar Dinos.
1 Niko Stylos, Prevezani Abedin Pasha Dino, poezitë e tij dhe Dinot e tjerë, Mulheima A.D.R.2014, fq.141
2 Muharrem Dezhingu, Abedin Dino dhe Çështja Çame Sot, Tiranë, 2010, fq.127-128
9 Η ΚΑΘΗΜΕΡΙΝΗ, Ενθετο Επτα Ημερεζ, Athinë, 15, prill, 1999
11 Citim, Pëllumb Xhufi, Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë, Tiranë, 2015, fq.317
12 Μάριος Μπίκας ,Στ’ απόσκια του Κορύλα, Θεσσαλονίκη, 1999, fq.186
13 Citim, Pëllumb Xhufi, Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë, Tiranë, 2015, fq.317-318
14 ΡΙΖΟΣΠΑΣΤΗΣ, Η Σφαγή στο Δομένικο, Athinë, 1, mars, 1996
15 www.zougla.gr/page.ashx?pid=80&aid=442218&cid=122
16 Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë, Tiranë, 2015, fq.294
17 Citim, Po aty
18 Po aty, fq.289
19 Hajredin Isufi, ÇAMËRIA, Tiranë, 2006, fq.128
20 Eleftheria Manda, Çamët mysliman të Epirit (1923-2000), Tiranë, 2015, fq.157
21 www.labastia.blogspot.gr/2014/12/blog-post_4.html
22 Eleftheria Manda, Çamët mysliman të Epirit (1923-2000), Tiranë, 2015, fq.158
23 Beqir Meta, Tensioni Greko-Shqiptar (1939-1949), Tiranë, 2002, fq.163
24 Citim, Hajredin Isufi, ÇAMËRIA, Tiranë, 2006, fq.340
25 Citim, Eleftheria Manda, Çamët mysliman të Epirit (1923-2000), Tiranë, 2015, fq.189
26 Përgatiti për botim, Kastriot Dervishi, Masakra në Çamëri, Tiranë, 2009, fq.33-34
27 Beqir Meta, Tensioni Greko-Shqiptar (1939-1949), Tiranë, 2002, fq.159
28 Hasan Minga, Hilmi Saqe, Genocidi Grek kundër Çamërisë Vazhdon, Tiranë, 2006, fq.11
29 Citim, Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë, Tiranë, 2015, fq.314
30 Beqir Meta, Tensioni Greko-Shqiptar (1939-1949), Tiranë, 2002, fq.161-162
31 Rasim Bebo, Dodona Tempulli i Lashtë i Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq.509
32 Grup Autorësh, Sami Repishi, Epiri i Jugut, Çamëria, Tiranë, 2014, fq.81
33 Rasim Bebo, Dodona Tempulli i Lashtë i Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq.483
1 Niko Stylos, Prevezani Abedin Pasha Dino, poezitë e tij dhe Dinot e tjerë, Mulheima A.D.R.2014, fq.141
2 Muharrem Dezhingu, Abedin Dino dhe Çështja Çame Sot, Tiranë, 2010, fq.127-128
9 Η ΚΑΘΗΜΕΡΙΝΗ, Ενθετο Επτα Ημερεζ, Athinë, 15, prill, 1999
11 Citim, Pëllumb Xhufi, Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë, Tiranë, 2015, fq.317
12 Μάριος Μπίκας ,Στ’ απόσκια του Κορύλα, Θεσσαλονίκη, 1999, fq.186
13 Citim, Pëllumb Xhufi, Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë, Tiranë, 2015, fq.317-318
14 ΡΙΖΟΣΠΑΣΤΗΣ, Η Σφαγή στο Δομένικο, Athinë, 1, mars, 1996
15 www.zougla.gr/page.ashx?pid=80&aid=442218&cid=122
16 Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë, Tiranë, 2015, fq.294
17 Citim, Po aty
18 Po aty, fq.289
19 Hajredin Isufi, ÇAMËRIA, Tiranë, 2006, fq.128
20 Eleftheria Manda, Çamët mysliman të Epirit (1923-2000), Tiranë, 2015, fq.157
21 www.labastia.blogspot.gr/2014/12/blog-post_4.html
22 Eleftheria Manda, Çamët mysliman të Epirit (1923-2000), Tiranë, 2015, fq.158
23 Beqir Meta, Tensioni Greko-Shqiptar (1939-1949), Tiranë, 2002, fq.163
24 Citim, Hajredin Isufi, ÇAMËRIA, Tiranë, 2006, fq.340
25 Citim, Eleftheria Manda, Çamët mysliman të Epirit (1923-2000), Tiranë, 2015, fq.189
26 Përgatiti për botim, Kastriot Dervishi, Masakra në Çamëri, Tiranë, 2009, fq.33-34
27 Beqir Meta, Tensioni Greko-Shqiptar (1939-1949), Tiranë, 2002, fq.159
28 Hasan Minga, Hilmi Saqe, Genocidi Grek kundër Çamërisë Vazhdon, Tiranë, 2006, fq.11
29 Citim, Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë, Tiranë, 2015, fq.314
30 Beqir Meta, Tensioni Greko-Shqiptar (1939-1949), Tiranë, 2002, fq.161-162
31 Rasim Bebo, Dodona Tempulli i Lashtë i Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq.509
32 Grup Autorësh, Sami Repishi, Epiri i Jugut, Çamëria, Tiranë, 2014, fq.81
33 Rasim Bebo, Dodona Tempulli i Lashtë i Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq.483