Një Y-DNA haplogrup definon linjën atërore. Me një fjalë, ata që kanë të njëjtin haplogrup, ndajnë të njëjtin paraardhes nga linja e babait. Y-DNA gjendet vetëm në meshkuj dhe trashëgohet pa rekombinim nga një brez në tjetrin. Kështu që mund të përdoret për të gjurmuar në mënyrë të qartë një linjë të drejtpërdrejtë të babait. Statistikat aktuale të Y-DNA haplogrupeve të Projektit Shqiptar për ADN nga gjithsej 121 shqiptarë, dhe ata me prejardhje shqiptare (të testuar në FTDNA, YSEQ, dhe Geno 2), janë si vijojnë:
- E1b-V13: 37 ose 30.6%
- J2b2-L283: 34 ose 28.1%
- R1b-M269: 34 ose 28.1%
- I1-M253: 4 ose 3.3%
- I2a-M423: 4 ose 3.3%
- R1a-M417: 2 ose 1.7%
- I2c-L596: 1 ose 0.8%
- J2b1-M205: 1 ose 0.8%
- J1-M267: 1 ose 0.8%
- J2a-M410: 1 ose 0.8%
- E1b-M81: 1 ose 0.8%
- T1a-CTS8862: 1 ose 0.8%
Ende nuk kemi një numër të madh që reprezanton të gjitha trevat shqiptare për me dhënë ndonjë konkluzion më të mirë ose për me pas shifra më precize, meqë shumica e madhe e të testuarëve vinë nga Kosova, dhe pastaj Shqipëria Veriore/Mali i Zi. Sidoqoftë, sipas këtyre shifrash, shihet qartë që kromozomi Y i shqiptarëve në shumicë të madhe dominohet nga tre Y-DNA haplogrupe: E1b-V13, J2b2-L283, dhe R1b-M269 (BY611 dhe PF7563). Kështu që në këtë artikull do të përqëndrohemi në këto tre dhe çka dihet deri tash.
1. Haplogrupi E1b-V13 ose E-V13. Ky haplogrup rrjedh nga E1b-M78>Z1919>L618>V13. Ka disa teori rreth arritjes së E-V13 ose degës paraardhëse te tij, E1b-L618, për në Ballkan dhe Evropë. Teoria me e pranueshme është që ka ardhur ne kohën e Neolitit ose Mezolitit nga ana e Levantit ose Afrikës veriore. Shembulli me i hershëm i degës paraardhëse të tij, E1b-L618, në eshtra të ADN antike është gjetur në një kulturë Neolite në Kroaci (Dalmaci) që daton nga 5485 p.e.r. Që do të thotë se origjina e mutacionit E-V13 duhet të jetë dikund në Ballkan. E-V13 ka pas një përhapje shumë të shpejtë në kohën e Bronzit ku shihet se dega kryesore e tij, E-CTS5856 ndahet në shumë subklada para rreth 4000 vjeç, ose 2000 p.e.r. që koincidon me paraqitjen e popullatave Paleo-Ballkanike, siç janë Ilirët, Thrakët, Grekët e Lashtë. Sipas studimeve anonime shkencore, përqindja më e lartë arrihet te shqiptarët me rreth 35%, pastaj Grekët rreth 20%, dhe në shtetet sllave të jugut midis 10-20%. Poashtu gjendet në përqindje të ulët në vise të ndryshme te Evropës, si dhe për-rreth mesdheut. Në trevat shqiptare E-V13 përqindjen më të lartë e arrin në Kosovë me rreth 45%. Degat kryesore të E-V13 që deri tash jane vërejtur midis nesh janë E-CTS9320 dhe E-S2979. Subkladat ose grupet e tyre janë si vijojnë:
- E-CTS9320>Z17107>Z38456. Nën këtë grup kemi anëtarë nga Dibrri (Mirditë), një Kerçovar, dhe një Tetovar.
- E-CTS9320>Z16988. Nën këtë grup gjendet një pjesë e fisit Kelmend dhe një anëtar nga Elbasani.
- E-CTS9320>BY20093. Nën këtë grup gjendet një anëtar nga Tirana.
- E-S2979>FGC33621>FGC33625. Nën këtë grup gjendet shumica e fisit Berisha dhe Sopi, si dhe një anëtar nga Gjakova.
- E-S2979>FGC11457>FGC11450. Nën këtë grup gjendet një anëtar i fisit Thaçi nga Gjakova, një nga Tirana, një nga Kërçova, dhe një nga Tetova.
- E-S2979>Z16659>L241. Nën këtë grup gjendet Thaçi nga Bugjon të Shqipërisë, Gashi-Bardh, një Gash Shipshaj, si dhe një anëtar nga Vushtrria.
- E-S2979>Z16659>S2972>Z16661. Nën këtë grup gjendet fisi Berisha e Kuqe (Kuqi) nga Fundina e Malit të Zi.
2. Haplogrupi J2b2-L283, ose J-L283. Ky haplogrup rrjedh nga J2b2-M241>L283. Në kohët e hershme të Neolitit para rreth 10 000 vjeç, J2b2-M241 ndahet në dy dega: J2b2-L283 që eventualisht migron për në Ballkan/Evropë, dhe J2b2-Z2432 që eventualisht migron për në Azi Jugore. Pra, supozohet që J2b2-L283 ka ardhur në Ballkan dikund midis Neolitit deri në kohën e Bronzit (para 7000-4000 vjeç) nga drejtimi i Lindjes së Afërt. Shembulli më i hershëm i këtij haplogrupi në eshtra të ADN antike është gjetur në Dalmaci, Kroaci, që daton nga 1550 p.e.r. që do të thotë ka qenë një ndër haplogrupet Ilire. Përqindja më e lartë në botë e J2b2-L283 gjendet në Ballkan, pikërisht te shqiptarët, që sipas studimeve anonime reprezanton rreth 15-25% të linjave atërore, pastaj nën Grek dhe Vlleh midis 5-10%, Itali rreth 5%, në shtetet Sllave të jugut nën 5%, dhe në viset tjera të Evropës në një përqindje të ulët (1-3%). Në trevat shqiptare J2b2-L283 përqindjen më të lartë e arrin në fiset veriore shqiptare, që aktualisht përbën 33% të linjave atërore. Nën këtë haplogrup, deri tash shqiptarët kryesisht gjenden në degën J-Z1296 që është një degë kryesore e këtij haplogrupi. Paraardhësi i kësaj dege ka jetuar para rreth 4200 vjeç, ku pastaj fillon te shpërndahet në subklada ose grupe të ndryshme, siç vijojnë:
- J-Z1296>PH2967 dhe PH1751. Nën këtë grup gjenden disa fise veriore shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova (midis disave: Oroshi, Spaçi, Kushneni nga Mirdita, një pjesë e Krasniqit dhe Gashit), si dhe një anëtar nga Kërçova, dhe një nga Palermo të Italisë që ka traditë familjare Arbëreshe.
- J-Z1296>Z1297>Y23094. Nën këtë grup është një pjesë e fisit Kelmend, shumica e fisit Shkrel, një anëtar nga Prespa, dhe një Arvanit nga Greqia.
- J-Z1296>Z1297>Z1295>Y21878. Nën këtë grup është fisi Hoti, një Krasniq, dhe një Kryezi.
3. Haplogrupi R1b-M269, ose R-M269. Supozohet që ky haplogrup nëpërgjithësi është shpërndarë me përhapjen e gjuhëve Indo-Evropiane në kohën e Bronzit nga Stepat. Përqindjen më të lartë e arrin në Evropën perëndimore me mbi 50% në disa shtete. Mirëpo atje është nën degën R1b-L51 që nuk ka lidhje me degat Ballkanike dhe ato Lindore për 6200 vjet. Në Ballkan ky haplogrup përqindjen më të lartë e arrin te shqiptaret që sipas studimeve anonime reprezanton rreth 20% të linjave atërore, pastaj nën Grek, dhe në shtetet sllave rreth 5%. Degat kryesore të R1b-M269 që gjenden midis nesh janë nën R1b-Z2103 dhe R1b-PF7562, siç mund te shihet në pemën filogjenetike. R1b-Z2103 është gjetur në eshtra të ADN antike ne kulturën e Vuçedolit (Kroaci) në kohën e Bronzit, që daton nga 2725 p.e.r. Subkladat dominuese të këtij haplogrupi që gjenden midis nesh janë si vijojnë:
- R1b-Z2103>CTS9219>BY611. Nën këtë grup gjenden disa anëtarë të fiseve veriore shqiptare nga Shqiperia dhe Kosova. Poashtu është i përhapur në trevat tjera shqiptare, ku kemi anëtarë nga: Tiranë, Kërçovë, Sanxhak, Skrapar, Labëri, Berat, dhe një Arbëresh nga Sicilia.
- R1b-PF7562>PF7563. Nën këtë degë gjendet një pjesë e madhe e fisit Shala, dhe një anëtar i fisit Gash nga Klina.
Përfundim: Rrjedh pyetja si krahasohen linjat atërore (Y-DNA) tona me ato antike nga periudha të ndryshme në Ballkan. Në studimin e sivjetshëm “The Genomic History of Southeastern Europe”, janë analizuar eshtra të ADN antike nga Evropa juglindore nga periudha të ndryshme. Në Ballkan në kohën e Neolitit nga kulturat siç është Vinça, janë gjetur Y-DNA haplogrupe që sot janë gati jo-egzistuese në popullatën shqiptare, siç është G2a. Që do të thotë, gjenetikisht (për nga Y-DNA) nuk ka ndonjë kontinuitet midis popullatash Neolite me etnicitetin tonë, ose me ndonjë etnicitet tjetër modern. Duke u bazuar nga ADN të eshtrave antike të deritanishme si dhe shpërndarja filogjenetike, dy nga haplogrupet kryesor që sot gjenden midis nesh, J2b2-L283 dhe R1b-Z2103, në Ballkan paraqiten në kohën e Bronzit. Haplogrupi E-V13 ose dega paraardhëse e tij, edhe pse ka qenë prezent në kohën e Neolitit në Ballkan, duket që nuk ka qenë ndonjë faktor deri në kohën e Bronzit. Duhen më shumë mostra të ADN antike nga kohët e lashta nga Ballkani për me dhënë diçka definitive, por aktualisht duket që etnogjeneza jonë është formuar në kohën e Bronzit, ndoshta pikërisht në Ballkanin perëndimor, që koincidon me paraqitjen e popullatave Paleo-Ballkanike, siç janë Ilirët.
Nga Flor Veseli, me kontribut nga Arbër Leku, Viktor Paloka dhe Valon Sopi (Viti 2017)
Përbërja Gjenetike e Shqiptarëve Sipas Linjave Atërore apo Y-DNA (2017)