Nga Neda Karafili
Jo pa faj, në kokën tonë si prindër e në stereotipin e krijuar në shoqëri, na janë rrënjosur skena absurde e të dhimbshme ndaj fëmijëve, nëpër çerdhe e kopshte.
Nëse është truri apo inercia e pashmangshme në të cilën bie sjellja e kushtëzuar e njeriut, nuk e di, por dimë që na ndodh se djegim (thotë shqiptari) – të njomin me të thatin.
Prej atyre edukatoreve që kanë doren e dhunës dhe jo të përkëdheljes, shpesh djegim pa shkak edukatoret që kanë fytyrën e buzeqëshjes dhe jo të cinizmit të maskuar. Prej edukatoreve me nervat kaçurrel nga palumturia që u shkakton bota që nuk kanë, gjykojmë edukatoret që kaçurreli u bëhet i drejtë si fije bari sapo shkelin pragun e klasës dhe po si fije bari të sapo kapura nga vesa, duken të fresketa e të bukura çdo ditë. Prej edukatoreve që nuk ditën kurrë të duan e të duhen prej fëmijëve, dënojmë edukatoret që dashurinë e kanë si përgjigje edhe ndaj fëmijëve që u adresojnë refuzimin, lotët dhe të bërtiturat e tyre kapriçoze.
Si fëmija im, së fundmi, sot, që është i aftë të shkaktojë skandal vetëm që të mos largohet nga ngrohtësia e gjyshërve, nga hyzmeti i tetës për pjaten e preferuar dhe nga kënaqësia e gjithëfare makinash lodra shumëngjyrëshe kudo nëpër shtëpi.
Por edukatoret e presin çdo ditë, me buzëqeshje, me një mirëmëngjes të pakushtëzuar nga hallet që mbartin në shpirt, me durimin që shumë shpesh dhe ne, nënat e bijve tanë nuk kemi, me vullnetin për ta bërë atë klase çdo ditë e më shumë vendin e preferuar të vogëlushëve, me interesimin e sinqertë për shëndetin e tyre të një nate më parë.
Për edukatoret e mira të bijve tanë, që shumë shpesh as mendimet e tyre zor se degjojnë vetëm nga zhurma orkestrale e zërit të vogelushëve tanë, kur flasin e bërtasin të gjithë së bashku. Për edukatoret e mira të bijve tanë që punojnë me dashuri dhe duan punën që bëjnë.
Për edukatoret e mira të bijve tanë, heroinat e fëmijerisë sëe tyre.