Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar ku u ndërmorën vendime të rëndësishme mbi ecurinë politike të kësaj force.
Shpetim Idrizi ka lajmëruar se PDIU do të largohet e zhgënjyer nga koalicioni me Partinë Socialiste për t’iu bashkuar opozitës.
“Po të nderuar miq, edhe unë kam faj e po ju rrëfej me zemër në dorë se si çdo njeri normal në këtë vend gaboj, sepse mendova dhe besova që do e çonim përpara këtë kauzën tonë të jetës e të shpirtit edhe në një koalicion me këtë mazhorancë. Kurrë e për asnjë moment nuk kam besuar se dikush mund të arrinte sa ti lozte fatet tona në lojëra pushteti e ky dhe vetëm ky është faji im. Sot shpall para jush vendimin e Kryesisë së PDIU që votoi në unanimitet që kryetari i PDIU të mandatohet për të përmbyllur marrëveshjen me opozitën zyrtare në vend e që së bashku të sjellim një realitet të ri për vendin e për të djathtën shqiptare që duhet t’i përmbledhë gjithë copëzat e saj në emër të një qëllimi të madh, nje politikë normale që t’i kundërvihet krimit, varfërisë, dhunës e arrogancës shtetërore, një politikë që do bashkoj shqiptarët dhe do kërkoj zgjidhje të mençura e larg gjuhës së urrejtjes për kauzën tonë e për të gjithë kauzat kombëtare“, tha Idirizi.
https://www.facebook.com/pdiu.al/videos/894449657421312/
Fjala e Shpëtim Idrizit:
Të nderuara zonja dhe zotërinj, anëtarë të Këshillit Kombëtar të PDIU. Me vendimin e para 3 ditëve të Kryesisë së PDIU u vendos thirrja e mbledhjes së Këshillit Kombëtar, me qellim :
Diskutimin e situatës Politike në vend ,
Riorganizimin e PDIU si forca e 4-t parlamentare dhe përgatitjen dhe vitalizimin e strukturave të PDIU për Zgjedhjet e Ardhshme,
Diskutimi i vendimit të Kryesisë për Koalicionin e ardhshëm të PDIU duke vendosur si pikën kryesore e vijën e Demarkacionit, Raportin me Çështjen e Shqiptarëve të Çamërisë dhe të Çështjes Kombëtare Shqiptare ..
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, të ndërgjegjshëm për momentin e rëndësishëm dhe delikat në të cilin po kalon vendi, ku gjendja ekonomike, politike, proceset e integrimit të vendit në BE por edhe e Çështjes Çame dhe asaj Kombëtare ndodhen ne nje moment delikat, për të cilin jemi thellësisht përgjegjës e të vëmendshëm si partia parlamentare e katërt në vend.
Do doja të nisja duke ndarë me ju shqetësimin për ato çka shohim e dëgjojmë përditë dhe për gjendjen e vështirë ekonomike ku po rrokulliset jeta e biznesit dhe çdo shqiptari të ndershëm.
Fatkeqësisht nuk ka ditë që mos të shohim e dëgjojmë në edicionet e lajmeve për dhunën, vrasjet e për trafiqet e trafikantët që kapen nga shërbimet e shteteve fqinj.
Por dhe situatë ekonomike e vendit po tregon që disa që numërohen me gishtat e dorës po bëhen edhe më të pasur e shumica e shqiptarëve po varfërohen .
Ne nuk jemi një vend që po orientohemi nga prodhimi e që të jemi konkurrues në rajon për asgjë.
Zhvillimi ekonomik nuk është rastësi dhe kaos. Zhvillimi ekonomik është rend dhe ligj, respekt dhe kohezion social e mjedisor
Zhvillimi ekonomik, në një shoqëri pa kohezion social, dhe me fragmetarizim e dasi të thella është gjithmonë një zhvillim i rrezikuar.
Shteti i së drejtës është domosdoshmëri që zhvillimi ekonomik të jetë i qëndrueshëm dhe substancial, por shteti i së drejtës, ndërtohet vetëm nga një shoqëri ku qytetaret janë të ndërgjegjësuar për identitetin e tyre dhe të plotësuar e respektuar në dinjitetin e tyre.
Sondazhet tregojnë se shqetësimet kryesore të shqiptarëve janë për ekonominë, papunësinë, mungesën e shtetit ligjor dhe zhgënjim për ecurinë e Reformës në Drejtësi.
Ky nuk është vendi ku ne mund të shpresojmë të jetojmë normalisht e as vendi ku një qytetar normal ëndërron të rrisë fëmijët e tij.
Kjo gjë demonstrohet nga zhgënjimi i qytetarëve, largimi masiv, aplikimi për greencard amerikan, bashkimi masiv familjar me emigrantët, rënies së pjesëmarrjes në votime.
Është tronditëse se si nga mungesa e shpresës afro 400.000 shqiptarë janë larguar nga ky vend përgjatë katër viteve, një këmbanë alarmi për cilindo që ende e ka në zemër ardhmërinë e këtij vendi.
E janë larguar në pjesën dërrmuese të rinj e të reja duke e lënë këtë vend një fjetore të madhe të atyre që nuk punojnë e nuk janë në gjendje të sigurojnë rritjen e mirqënies për ata vetë e rritjen e ekonomisë në vend.
Shqipëria po plaket e po firon çdo ditë, dhe a e dini pse ndodh kjo dukuri? Se shqiptarve ju është vrarë shpresa, shpresa që ky vend do ndryshojë e do bëhet normal për to.
Në konceptimin e kësaj tabloje jam munduar të mos jem subjektiv, por kjo është pasqyra e realitetit që po jetojmë sot. Shqipëria në 2018 nuk kap më shumë se 2 milionë e pak banorë, e ky është akti më i rëndë që politika e mbrapshtë kryen ndaj popullit të vet.
Sot nuk ka më insitucione që të garantojnë ekuilibrin e demokracisë në vend. Drejtësia është paralizuar e nuk ekziston më as filtri i Gjykatës Kushtetuese e as Gjykata e Lartë që do mund të ndihmonte zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Sot oferta politike qe u ofrohet Shqiptareve është Populizmi dhe jo Reformizmi.
Populizmi ka të bëjë me shfrytëzimin problemeve në mënyrë oportuniste për interesa të ngushta politike duke luajtur me emocionet dhe përkatësitë identitare si dhe duke i nxitur, provokuar, stimuluar dhe ekzagjeruar ato.
Reformizmi ka të bëjë me partitë të cilat e kuptojnë se çfarë kërkon shoqëria, ballafaqohet me problemet dhe synon që t’i zgjidhë në mënyrë praktike e institucionale.
Tabloja e problemeve të mëdha institucionale e ekonomike në vend nuk mund të mos ishte kryefjala ime e sotme, megjithëse të gjithë e dinë që ne si PDIU kemi një kredo e arsye dhe personale, që është Çamëria e zgjidhja dinjitoze e tragjedisë tonë kolektive dhe Çështja Kombëtare Shqipare.
Të nderuar miq!
Më duhet t’i jap sot një përgjigjie kryeministrit grek, Cipras, i cili me shumë arrogancë e kënaqësi deklaroi se Çështja Çame nuk ekziston, por dhe të deklarimeve të Koziasit e Pamenos ku njëri thotë që jemi pranë një marrëveshjeje strategjike me Shqipërine dhe tjetri “morëm çfarë deshëm nga Shqipëria e nuk flasim për Çështjen Çame”…Ky i fundit ju kujtoj që një vit më parë kërcënonte Shqipërinë me trupa në kufirin grek.
Natyrshëm lind pyetja: Çfarë ka ndryshuar në këtë vit që këta janë shumë të kënaqur?
Ne nuk impresionohemi dhe çuditemi nga deklaratat arrogante tipike të një lideri ballkanik si Cipras sepse që të njohësh e pranosh genocidin, vrasjet, marrjen e jetëve të fëmijëve, pleqve, grave, marrjen e pronës duhet të jesh lider i madh, si një ndër korifejtë e mëdhenj të humanizmit si ish-Presidenti i Çekisë, Vaslav Havel.
Ky burre i madh i humanizmit dhe dinjitetit njerëzor pa komplekse kërkoj falje të madhe publike për gjermanët e Sudeteve që u përzunë masivisht nga trojet e tyre duke dënuar fajësinë kolektive.
Po e marr këtë shembull jo se ka paralelizëm për rolin e tyre në Luftën e Dytë Botërore se çamët nuk u përdorën për të nxitur luftën por u bënë viktimë e saj duke u rreshtuar me batalionin “Ali Demi” me 1200 partizanë në Greqi dhe Batalionin Çamëria në Shqipëri …
Po ky burrë i madh i humanizmit deklaronte: Një shtet etnikisht i pastër është më i keq se komunizmi.
E pra, Greqia është i vetmi vend që ka përzëne jo vetëm çamët por dhe hebrenjtë e sllavo-maqedonasit dhe nuk njeh minoritetet.
Nuk ka firmosur as Konventën Kuadër për Minoritetet dhe guxon të na imponohet ne për toponimet, për varrezat, për detin, për shkollat, etj .
Pala shqiptare deklaron se ne kemi folur për Çështjen Çame por Greqia nuk pranon. Kaq dhe pastaj një valle me Kozias-in dhe gati për të bërë partner strategjik Greqinë.
Si mund të kemi një marrëveshje për bashkpunimin strategjik me një vend që nuk njeh Çështjen Çame dhe Kosovën?
Uroj shumë që të mos jetë kështu dhe që kjo maxhorancë që deri dje kishte partner strategjik PDIU dhe Çështjen Çame sot ka për partner strategjik, Cipras.
Ne i jemi adresuar ministrit Bushati si Shoqatë Çameria me 16 pyetje për të na sqaruar ne dhe opinionin publik.
Por çuditerisht dhe sot e kësaj dite Ministria e Jashtme nuk ka pranuar të takojë as PDIU, partinë e 4-t parlamentare dhe as Shoqatën Çamëria.
Nuk është e mundur të imponohesh e të japësh argument për Çështjen Çame pa bërë konsulta me faktorin politik përfaqësues të shqiptarëve të Çamërisë, Shoqata Çameria e PDIU, pa ju referuar korifejve të diplomacisë si Fan Noli, Mehdi Frasheri e Rauf Fico, që mbronin me dinjitet e arsye Çështjen Çame në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë apo po të doni diplomacisë së shtetit shqiptar në vitin 1992–1995 kur Meksi e Sereqi diskutonin për Çeshjen Çame pa komplekse, madje ishin ngritur dhe grupet e punës reciproke për varrezat e çameve dhe Çështjet pronësore.
Ja ku po ju them, për sa kohë që të ekzistojnë shqiptarët e Çamërisë, për sa kohë të ekzistojnë shqiptarët nga Vermoshi në Konispol, shqiptarët e Kosovës dhe Diaspores, Genocidi mbi shqiptarët e Çamerise dhe dhënia e drejtësisë është çështje kohe.
Po ç’ka ndodhur? Sot jemi më të dobët, tani që jemi në NATO dy shtete të të njëjtit komb.
Po çfarë i duket këtyre, që mund të lozin me punën e përkushtimin tonë, me besimin tonë e të 76.000 vetëve që janë një armatë e njerëzore që na besojnë se duan një politike kombtariste e që qëndron në këmbë me dinjitet?
Po të nderuar miq, edhe unë kam faj e po ju rrëfej me zemër në dorë se si çdo njeri normal në këtë vend gaboj, sepse mendova dhe besova që do e çonim përpara këtë kauzën tonë të jetës e të shpirtit edhe në një koalicion me këtë maxhorancë. Kurrë e për asnjë moment nuk kam besuar se dikush mund të arrinte sa t’i lozte fatet tona në lojra pushteti e ky dhe vetëm ky është faji im.
Na kanë vënë lloj lloj epitetesh, na kanë anatemuar, fyer, vrarë me plumba matanë kufirit e me fjalë e persekutim në këtë anë të kufirit për 50 vjet, po ne nuk e ulëm kokën. Kjo politikë agresive e intrigante kundër nesh u ndoq edhe sot.
Sipas një strategjie të qartë për të zhbërë PDIU, u ekzekutuan mandatet parlamentare dhe 76.000 vota të PDIU.
E çfarë do bëjmë tani do më pyesni??? Do ngrihemi në këmbë siç kemi bërë gjysmë shekulli e do luftojmë.
Sot shpall para jush vendimin e kryesisë së PDIU që votoi në unanimitet që kryetari i PDIU të mandatohet për të përmbyllur marrëveshjen me opozitën zyrtare në vend e që së bashku të sjellim një realitet të ri për vendin e për të djathtën shqiptare që duhet t’i përmbledhë gjithë copëzat e saj në emër të një qëllimi të madh, nje politikë normale që t’i kundërvihet krimit, varfërisë, dhunës e arrogancës shtetërore, një politikë që do bashkojë shqiptarët dhe do kërkojë zgjidhje të mençura e larg gjuhës së urrejtjes per kauzën tonë e për të gjithë kauzat kombëtare.
Ky është qëllimi ynë, Kjo është beteja jonë.
Tani kam dy fjalë për ato që kanë thjesht arsyen e pranisë së tyre në PDIU përfitimin e tyre e lugën që e kanë vënë në brez.
PDIU është parti e ngritur me njëmijë e një sakrfica.
Ka brenda e përfaqëson mund e vuajtje sa mund të kenë popuj biblikë në historinë e njerzimit…
Mos rrini më në PDIU nëse mendoni se mundet veç të zhvatni e të përdorni emrin, vuajtjen e sakrificat tona…
Ne jemi parti e kauzës njerzore, genocidit çam e me ne nuk mund të nxirrni përfitime a të zgjidhni hallin tuaj…
Ne do mbetemi e do qëndrojmë fort në ruajtje të parimeve tona dhe cilido që mendon se do na blejë a do na shesë, ata që vijnë si emisarë e si të dërguar për të blerë qëndrimin tonë sus, sot i them publikisht…Larg nga PDIU!!!.
Ne nuk do heshtim, do shkojmë në çdo qytet ku kemi mbështetje e njerëzit tanë e do u kërkojmë të riorganizojnë e të nisin një fushatë të re… e do jemi përsëri në këmbë si e vetmja rrugë që kemi për të kthjelluar qëllimin e arsyen, do rinisim rrugën e re bashke me forcat që mendojnë si ne për një vend normal e për zgjidhje normale situatash absurde e kjo është rruga jonë e vetme, kjo është rruga jonë e së ardhmes.
Do vëmë në dispozicion të kësaj rruge mendjen zemrën dhe qëllin tonë të mbarë për të ndryshuar këtë vend.
Kjo është strategjia jonë që të kemi një të ardhme e t’i qëndrojmë fort zgjidhjes së problemeve tona.
Të gjithë bashkë do ringremë shtëpinë tonë PDIU në vendin ku i takon e ashtu siç i ka hije.
Ju faleminderit!