Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka në një deklaratë për mediat tha se Kryeministri Edi Rama po provon çdo ditë se prioriteti i tij nuk janë qytetarët dhe fatet e tyre, por garantimi i biznesit të drogës
“Në funksion të biznesit të drogës Edi Rama ka shtrirë inkriminim e drejtuesve të Policisë, siç raportohet edhe nga qytetarë dhe punonjës me integritet të Policisë së Shtetit. Drejtori i Qarkut Durrës, Perlat Cullhaj, bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, Erjon Ismaili drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, duke vjelë 30 përqindëshin e parave për çdo rrënjë kanabis për shefin e madh në Tiranë. Ata kanë sigurisht një aleat të mirë për këtë biznes kriminal, që është kryetari i Bashkisë, Bushi i famshëm, i proceduar në Itali për trafik droge”,u shpreh, nënkryetari i PD-së.
Sipas Palokës këta persona sigurojnë kalim të lirë të mallit për në Itali në Portin e Durrësit, përmes Drejtorit të kufirit, Boge Budini dhe zëvendës drejtorit të Kufirit, Moisi Sula.
“Aranit Arapi, Drejtor i Qarkut të Gjirokastrës, vegla qorre e Ramës, gardiani besnik i plantacioneve dhe hambarit të madh të drogës që shtrihet në gjithë zonën, veçanërisht në vendlindjen e ministrit të brendshëm. Dritan Lenja është proceduar nga shërbimi i kontrollit të brendshëm për shkelje, abuzime dhe lidhje me narkotrafikun. Me lobimin e fuqishëm të Armando Prengës, ai vjen në krye të policisë së Qarkut të Lezhës, deputetit të Edi Ramës që gjakosi qytetarët në derën e komisariatit të Kurbinit. Kushëriri i afërt i Tahirit, që ishte drejtor në Lezhë, Alban Çela, shkon me ngritje, drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër”,deklaroi Paloka.
Sipas opozitës, këto janë shenja sesi inkriminohet Policia e Shtetit, sipas nevojave të baronëve të drogës.