Presidenti Ilir Meta ka komentur sot çështjen e vizave duke u shprehur se vendi ynë është nën monitorim nga Schengen.
Gjatë konferencës së ambasadorëve në Tiranë, kreu i shtetit tha se Shqipëria është në monitorim nga BE dhe Schengen sa i takon vizave dhe çdo hap në këtë drejtim do rikthente regjimin e vizave si dhe do të dëmtonte perspektivën europiane të Kosovës.
“Kosova meriton liberalizimin e vizave. Izolimi i këtij shteti është i padrejtë. Besoj se dhe ju ndjeni atë presion që ne ndjejmë ne këtu, me dëshirën për ta tejkaluar këtë pengesë apo izolim, përmes marrjes së shtetësisë shqiptare nga qytetarët e Kosovës, gjë që nuk është zgjidhje, jo për shkak të mungesës tonë të dëshirës, por për faktin se ne vetë jemi në monitorim për çështjen e liberalizimit të vizave nga vendet e BE-së dhe të zonës Shengen. Çdo veprim emocional nuk do të zgjidhte problemin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve të Kosovës por do të bllokonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të Shqipërisë. Ndërsa në një plan më afatgjatë kjo nuk do të thoshte asgjë për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, përkundrazi do i vinte ato në një pozitë edhe më të vështirë”, u shpreh Meta.