Nga Shoqata e Mikrofinancës Shqiptare
Pandemia e Covid-19, përtej rrezikut shëndetësor akut ndaj mbarë popullatave, përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për çdo ekonomi. Një rrezik që për një ekonomi ende jo të konsoliduar si ajo e Shqipërisë, mund të marrë dimensione dhe më të mëdha.
Bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit, të cilët tashmë janë mbyllur për shkak të karantinës, sëmundjes së pronarit familjar, apo pasigurisë për të ofruar shërbimet karshi një klientele që mund të sjellë rrezik shëndetësor, e gjejnë veten shumë pranë momentit kur nuk do të kenë më të ardhura. Ndërkohë që shpenzimet utilitare, tatimet dhe detyrimet e tjera trokasin si sahat në bilancet e tyre në vështirësi. Flasim për qindra mijë individë e familje.
Nga ana tjetër, bizneset e mëdha, në mos i kanë mbyllur ambientet e tyre, ku grumbullimi masiv do të përbënte rrezik, e kanë reduktuar në maksimum aktivitetin e tyre “on-site” dhe të vetmet që mbijetojnë, janë ato që ofrojnë produkte dhe shërbime të së përditshmes. Ende nuk është zgjidhur dilema e fasonëve dhe call center. Bankat dhe Institucionet financiare operojnë me shumë pak punonjës, orare dhe degë të reduktuara, ndërkohë që shumica e stafit punon në distancë. Është një situatë fantashkencë, që askush nuk e mendoi që mund të ndodhë ndonjëherë në realitet.
Në këtë kontekst, sektori i mikrofinancës meriton vëmendje të veçantë për shkak të shtrirjes së thellë kapilare në ekonominë e vendit, si lider i financimit të biznesit të vogël, të fermës dhe të nevojave bazë të familjes shqiptare.
Rikujtojmë fillimisht se qëllimi primar i veprimtarisë së Institucioneve të mikrofinancës është ofrimi i shërbimeve financiare, kryesisht kredi për fermerë, për biznese të vogla dhe të mesme apo dhe për individë, të cilët e kanë të vështirë të kenë akses normal në rrjetin e bankave tradicionale. Kjo pamundësi mund të lidhet qoftë me vendbanimin e kësaj klientele kryesisht në zona rurale apo semi-urbane, ashtu edhe me vështirësitë që hasin në plotësimin e kritereve komplekse për financim, të vendosura nga sistemi bankar. Përpjekjet e mikrofinancës bazohen në nevojën për t’i shërbyer kësaj shtrese me shpejtësi, komoditet dhe me pasoja të drejtpërdrejta në rritjen e cilësisë së jetesës.
Sondazhi
Sipas një sondazhi të bërë nga Shoqata e Mikrofinancës Shqiptare, 41% e të intervistuarve kanë si të ardhura kryesore pagat nga institucionet private. 46% e të intervistuarve pranojnë se kanë para mjaftueshëm për ushqime, por hasin vështirësi për blerjen e veshjeve dhe pajisjeve shtëpiake, si frigorifer dhe televizor. 64% e të intervistuarve pranojnë se nuk janë në gjendje të kursejnë para nga pagat e tyre, ndërsa në zonat rurale kjo shifër shkon në 71%. Kur pjesëmarrësit në sondazh u pyetën se sa mund të jetojnë me kursimet e tyre nëse do të humbasin vendin e punës, rreth 48% e tyre pranuan se nuk kanë asnjë kursim.
Veçanërisht të intervistuarit të cilët jetojnë në zonat rurale, 57% e tyre pranuan se nuk kanë kursime. Vetëm 3% e tyre thanë se mund të përballojnë shpenzimet e jetesës vetëm për një vit, në rast se humbin vendin e punës. Aksesi në financë dhe marrja e një kredie nga një institucion mikrofinance, është e vetmja mundësi për mijëra familje shqiptare të aksesojnë një elektroshtëpiake, që ul konsumin dhe faturën e energjisë elektrike, e vetmja mundësi për mijëra fermerë të mbulojnë kostot e të mbjellave apo mbarështimit në fillim të çdo sezoni, e vetmja mundësi për mijëra sipërmarrës të investojnë në zgjerimin e biznesit të tyre të vogël.
Në kontekstin e pandemisë Covid-19, sado që plani i Qeverisë për shtyrjen e detyrimeve të klientëve karshi sistemit financiar tingëlloi shpresëdhënës në momentin e parë, asnjë institucion financiar nuk e fsheh faktin që këto detyrime thjesht do të grumbullohen për t’u paguar në një moment të dytë. Edhe pse pa penalitete, ato nuk do të falen. Me shumë gjasa, do të ketë klientë të cilët do të vihen para një rreziku real falimentimi financiar, nëse mblidhen 3 – 4 këste për t’u paguar njëherazi. Ndaj nëse klientët nuk kanë absolutisht mundësi ripagimi, e vetmja alternative mbetet rinegocimi i skeduleve të ripagimit të kredive, për të eliminuar efektin ortek të detyrimeve që do të shkaktonte vonesa e tyre.
Le të ndalemi më në detaj te ky proces dhe rrezikun që paraqet për sektorin e mikrofinancës. Në dallim nga sektori bankar, i cili jo vetëm që ka likuiditet të mjaftueshëm për shkak të mbledhjes së depozitave të klientëve, por edhe për shkak të furnizimit me likuiditet nga Banka e Shqipërisë, institucionet e mikrofinancës nuk i kanë këto mundësi.
Fondet e përdorura nga mikrofinanca për të akorduar kredi klientëve të tyre, janë fonde të kapitalit të brendshëm, instrumente financimi (si obligacionet apo letra të tjera me vlerë), dhe linjat e financimit që ato përfitojnë nga institucione financiare më të mëdha, si bankat e nivelit të dytë, apo ato rajonale të zhvillimit. Ndaj shtyrja e ripagimit të kësteve nga huamarrësit e vegjël ka ndikimin e vet në zinxhirin e furnizimit me likuiditet dhe respektimin e detyrimeve të Institucioneve të Mikrofinancës, dhe duhet konsideruar me seriozitetin që i takon.
Po kështu, detyrime të tjera për mikrofinancat janë pagat e stafit, qiratë e ambienteve, utilitetet dhe çdo shpenzim tjetër operacional që nuk mund të shtyhen në kohë. Fatkeqësisht kjo pandemi i gjen këto institucione dhe mbarë ekonominë në muajin kur bëhen të pagueshme dhe detyrimet tatimore, të cilat po ashtu duket sikur nuk do të shtyhen. Duke qenë se institucionet e mikrofinancës kanë një cikël shumë të shpejtë të shlyerjes së kredisë, ato mund të qëndrojnë në këmbë ekonomikisht, vetëm nëse cikli kredimarrje-pagesë nuk shkëputet.
Në këto momente që flasim, ky cikël është përçudnuar dhe pothuajse jo ekzistent, duke bërë që institucionet e mikrofinancës të gjenden pa likuiditet të mjaftueshëm për të qëndruar në biznes. Nëse këtyre kompanive nuk u lejohet një periudhë shtyrje për pagesën e taksave apo detyrimeve të tjera financiare ndaj shtetit, ato do të gjenden përpara një kolapsi dhe do të detyrohen të ndërpresin një pjesë të mirë të kontratave që kanë me punonjësit e tyre. Theksojmë këtu që 1,600 punonjës të mikrofinancës sot jetojnë në pasigurinë e pozicionit të punës dhe të ardhurave të familjeve të tyre, një fakt mjaft shqetësues për industrinë tonë.
Por ndikimi më i madh negativ i kësaj situate, dhe masave financiare të ndërmarra nën kërcënimin e pandemisë COVID-19, është pamundësia e Institucioneve të mikrofinancës për të vijuar normalisht për të ofruar kredi dhe financime për individët, bizneset dhe fermerët në nevojë. Këto të fundit, gjithashtu kanë pësuar ulje të ndjeshme, në mos ndërprerje të të ardhurave të tyre për shkak të izolimit dhe bllokimit të aktivitetit ekonomik. Mungesa e likuiditetit e shpjeguar më sipër, jo vetëm që nuk lejon që ritmet e kredidhënies për institucionet e mikrofinancës të vijojë në përputhje me kërkesën e tregut, por nuk premton as për mbështetje minimale, nëse këstet nuk shlyhen në kohë.
Industria e mikrofinancës ka pasur një rritje të madhe në vitet e fundit, pavarësisht që e parë në një këndvështrim më të gjerë ajo përbën vetëm 3.1% të të gjitha aseteve të sistemit bankar, dhe vetëm 5% e volumit të të gjitha kredive të dhëna në vitin 2019, krahasuar me bankat. Por nëse në vlerë krahasimi është jodomethënës, numri prej rreth 250.000 financimesh të disbursuara gjatë vitit 2019 e vendos qartazi sektorin e mikrofinancës në një pozicion lideri në financimin e individit dhe të biznesit të vogël në vend, krahasuar me sektorin bankar. Dhe nëse kjo nuk do të mjaftonte, rikujtojmë lexuesit se në 3 kërkesa për kredi në vend, 2 shkojnë drejt institucioneve të mikrofinancës dhe 1 për institucionet bankare.
Përpos zhvillimit të shpejtë, licencimit dhe shkëmbimit aktiv me Bankën e Shqipërisë, kjo industri nuk merr ende vëmendjen e merituar nga ligjvënësit dhe autoritetet publike. Vendimmarrja aktuale që shtyn financimet vetëm për huamarrësit fundorë pa krijuar asnjë lehtësim për institucionet financiare ndërmjetëse, është një dëshmi e këtij realiteti. Si pasojë aktualisht, sektori i mikrofinancës nuk mund ta përballojë pa humbje të mëdha, kufizimet e vendosura nga Qeveria Shqiptare. Theksojmë që kostot më të mëdha do të paguheshin në çdo rast në fund nga qytetarët, sipërmarrësit e vegjël dhe fermerët shqiptarë, pasi ata nuk do të kenë më akses të shpejtë dhe të përshtatur ndaj nevojave të tyre. Financimi dhe premtimi për gjithëpërfshirje financiare nuk do të kishte mundësi të mbahej.
Pikërisht për efektin e thellë që Mikrofinanca ka në vënien në lëvizje të ekonomisë vendase, duhet të studiohet imtësisht efekti që sjell kriza pandemike. Po kështu, duhen riparë dhe masat e marra deri më tani, të cilat do të sillnin pasoja të tjera të rënda financiare.
Në një artikull nga ekspertë ndërkombëtarë të mikrofinancës (publikimin e plotë mund ta lexoni këtu) shkruhet:
“Të gjitha kompanitë e Mikrofinancës kanë numër të lartë të pagesave të kësteve në mënyrë të vazhdueshme. Statistikisht, një ulje në normat e ripagimit nga 95% në vetëm 85% do t’i vinte Institucionet Financiare jo Banka në pozita të vështira ekonomike në më pak se një vit. Për shkak të të gjitha kufizimeve, ripagimi i detyrimeve është në norma shumë të ulëta. Krizat botërore në industrinë e mikrofinancës duhet të na japin një mësim të mirë: kur normat e ripagimit bien, ato bien me shpejtësi. Gjithçka bëhet edhe më e vështirë për shkak të rregullit të distancimit social dhe kufizimit kohor.”
Të gjitha pikat e mësipërme na japin një parashikim aspak optimist për të ardhmen e industrisë së mikrofinancës. Efektet kanë filluar të ndihen në ekonominë shqiptare dhe po bëhen gjithmonë e më kokëforta, dhe ata që do t’i vuajnë më shumë pasojat e kësaj krize do të jenë vetë qytetarët. Ata qytetarë, për të cilat Institucionet e Mikrofinancës u krijuan dhe që autoritetet publike zotohen se do t’i marrin në mbrojtje.
Pavarësisht nëse sektori i mikrofinancës do të mbijetojë nga pandemia, do të duhet që COVID-19 të trajtohet si një kërcënim themelor për industrinë, sepse ka shumë të ngjarë të jetë. Kjo industri ka nevojë për një tërësi masash “shpëtimi” për të lehtësuar disi hendekun që po krijohet çdo ditë e më shumë nga pamundësia e huamarrësve për të paguar këstet e tyre normalisht.
Së pari, sistemi bankar do të duhej të rishikonte financimin e këtij sektori me kushte të lehtësuara, si dhe shtyrje në afatin e pagesave, në mënyrë që të krijonte një frymëmarrje dhe akses për fonde. Kjo do të ndikonte menjëherë në nivelin e normave të interesit të mikrokredive dhe do t’u krijonte mundësi institucioneve të mikrofinancës që të respektojnë ripagimet e financimeve, duke sjellë dhe një nivel më të lartë likuiditeti.
Së dyti, Banka Qendrore duhet të fillojë të shohë industrinë e mikrofinancës si një entitet më vete dhe jo pjesë e sektorit bankar tradicional, dhe si pasojë të gjenerojë një sërë masash të personalizuara për këtë industri. Nëse këto institucione nuk do të konsiderohen për ndihmë nga programet publike, shëndeti operacional i tyre do të vihej në diskutim.
Në planet e Qeverisë për mbështetjen dhe zhvillimin e agrobiznesit, agroturizmit, ndërmarrjeve të reja, bizneseve lokale, mikrofinanca duhet të ketë vendin e vet si ndërmjetëse e fondeve rajonale dhe kombëtare nga Qeveria apo donatorët te klienti fundor. Për shkak të specifikave të aktivitetit të saj në financimin e bujqësisë dhe sipërmarrjes së vogël, i takon të jetë pjesë e grupeve konsultative, si dhe përfituese e paketave mbështetëse për këtë qëllim. Në fund të fundit, mikrofinanca është kanali më i duhur i shpërndarjes së këtyre skemave në të gjithë territorin, tek klienti fundor.
Qeveria gjithashtu duhet të mbështesë nismën e këtyre kompanive – disa edhe Fintech në origjinën e tyre – për të orientuar të gjithë individët drejt përdorimit të shërbimeve nëpërmjet internetit. Kjo përfshin lejimin e përdorimit të zgjidhjeve të tjera që këto institucione ofrojnë, përveç nënshkrimit elektronik që ekziston sot. Këtu përmendim identifikimin biometrik të këtyre individëve, që do të mundësonte disbursimin direkt në llogarinë bankare të klientit pa pasur nevojë praninë fizike të klientit në degët e institucionit.
Institucionet Financiare sot gjenden përpara vendimeve të vështira, të cilat kanë ndikim negativ direkt në biznesin e tyre. Kjo do të thotë që të gjitha këto institucione kanë pranuar udhëzimin e Bankës së Shqipërisë për të shtyrë dhe për të ristrukturuar kreditë për të gjithë individët dhe bizneset, e prekur nga COVID-19. Edhe pse është një ndihmë e madhe për individët dhe bizneset përfituese, pothuaj të gjitha këto Institucione Financiare nuk kanë mundësi të zëvendësojnë mungesën likuiditetin që kjo ndihmë nënkupton.
Dhe duhet ta themi, disa mund të mos e rimarrin veten më kurrë në nivelet e tyre të financimit para krizës. Kjo nënkupton, që janë dhjetëra miliona euro më pak të injektuara çdo vit në ekonominë rurale, të biznesit të vogël dhe të familjes shqiptare çdo vit.
Nëse zgjidhja do të ishte e lehtë, kjo nuk do të quhej një krizë. Duket se pa mbështetje të konsiderueshme dhe veprime të bashkërenduara, Mikrofinanca në Shqipëri që sot shërben rreth 68% të numrit total të aplikimeve për kredi në vend, është në rrezik në stuhinë që ende duket se nuk ka shpërthyer në potencialin e saj maksimal.
Tani kemi nevojë të mobilizohemi si një industri për të dalë nga kjo krizë dhe për të siguruar të ardhmen e merituar. Në mënyrë që të mbajmë premtimin e përfshirjes financiare të të gjitha shtresave në nevojë.