Do opozita të shpëtojë vendin?… Dorëzo mandatet

Lexo edhe

 Nga Frrok Çupi

Pozitën e mazhorancës e marrim vesh nesër, pasnesër, ose së shumti të mërkurën. Megjithatë, tashmë qëndrimi i saj është vulosur: Partia Socialiste në pushtet po mbron krimin shtetëror! Mbrojtja me çdo kusht e ministrit Tahiri, i implikuar në veprimtarinë kriminale të bandave të trafikimit të drogës dhe armëve drejt Italisë e vendeve të tjera të Europës, çimenton regjimin e krimit. Pas Tahirit qëndrojnë banda të tmerrshme krimi, që nga shegertët e deri në kupolën e shtetit. Tanimë Republika nuk mund të quhet më “Demo- kraci”, por “Demo- krim”. Partia Socialiste (ish-komuniste), për herë të dytë në histori po instalon krimin mbi fatin e popullit të vet. Herën e parë- gjysmë shekulli e vendosi regjimin e krimit kundër njeriut- me grushtin e hekurt të ligjit të diktaturës; tani- herën e dytë, po e vendos me grushtin e “butë” të ligjit të demokracisë.

Kjo pozitë tashmë dihet…

Çfarë po bën Opozita, e cila betohet “për popull”? Opozita, qëkurse ra në fund të pusit të lakmisë për pushtet të përbashkët me ish-komunistët, nuk ka pasur asnjë sekondë që populli të ketë nevojë për të; as nevojë, as interes. Tani populli është i rrezikuar me jetë. Opozita ka deklaruar mijëra herë se duhet “të shpëtojmë Shqipërinë” nga krimi…

Vërtet doni ta shpëtoni, të dashur miq?! Apo po ju kapim prej fjale?… Atëherë keni një punë shumë të thjeshtë; një punë që të mos bëni “asnjë punë”. Dhe kjo është:

Shkoni të mërkurën në Kuvend dhe dorëzoni mandatet. Shkruani mbi mandate se në këto tavolina do të kthehet një Kuvend me emra të tjerë, por “pas çlirimit nga krimi”. Dilni “në mal”, ku presin skllevërit e krimit. Dhe kthehuni me fytyrën njerëzore të shtetit… Kjo është puna “e vogël” që duhet të bëni. Po e bëtë këtë, asgjë nuk ka që e ndalon shembjen e krimit…

E bëni dot?… Por që ta bëni duhet të mos keni asnjë kriminel dhe asnjë derdimen në radhët tuaja. Nuk duhet të keni asnjë me rekorde krimi dhe asnjë tradhtar. Ditën e parë që të niseni për në ‘mal’, nisni të këndoni këngën “Fshati ynë nuk ka tradhtar”… Ndërsa për kriminelët që mund të keni në radhët tuaja, prapë e keni të lehtë: Nxirrini jashtë radhëve; ju i njihni emër për emër.

E bëni dot këtë?… Që ta bëni këtë duhet të mos jargaviteni për pagën dhe privilegjet që ua kërkojnë gratë në mbrëmje. Ndoshta më shumë fshiheni “prapa grave”, sepse privilegjet i doni ju vetë. A nuk mund të rrini ca kohë pa pagë? A nuk mund të shkoni të punoni në gurore!? Në gurore ka paga të mira, por edhe një privilegj tjetër: Gurorja është pranë “malit”, ku do të vendoseni për çlirimin nga krimi. Aty nga shekulli XVI filozofët e kohës kishin konstatuar se “gjenitë mbledhin gurë”. Apo trembeni nga fjala “gjeni”, se askush nuk i afrohet këtij lloji njeriu?… Hajde pra, mbajeni fjalën se doni ta shpëtoni Shqipërinë. Nuk ka një ditë tjetër kaq të volitshme për të mbajtur fjalën… Sepse, vendi do të shpëtojë- me ju ose pa ju- mund të shpëtojë edhe nga të huajt, edhe nga revolucioni i smartfonëve, edhe nga vetë kriminelët… Nga kriminelët?… Po, po, pasi të ngopen kriminelët tre-katër shekuj me radhë, një ditë do të shfaqen si zotë…

Apo doni ta shpëtoni ju, të dashur opozitarë?! Ja ku është Shqipëria, ja ku është krimi, ja ku është populli, ja ku është edhe salla e Kuvendit, ku lihen mandatet; përgjithmonë. Pas kësaj nuk ka mazhorancë në këtë botë që del para popullit a para aleatëve që të deklarohet si “zot i vendit”. Pas kësaj zotit Krim i hiqni gurin e themelit- Parlamentin dhe Qeverinë. Zbriteni “zotin” nga kulti i krimit, nëse nuk jeni afërsisht njësoj…

/veritas.com.al/

Të Lidhura

Para

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *