Akademiku Artan Fuga ka kritikuar deklaratën e Akademisë së Shkencave lidhur me të dhënat dhe situatën me koronavirusin në Shqipëri.
Sipas akademikut dhe profesorit Fuga që e ka kritikuar pak kohë më parë Akademinë e Shkencave se ‘po flinte’ ndërkohë që koronavirusi përhapej ka thënë se deklarata nuk ka argumente shkencore madje pretendohet të gjendet piku, rënia apo thuhet edhe pa asnjë fakt se po bëhen kërkime për vaksinën.
Postimi i plotë:
Artan Fuga
Profesor i Universitetit të Tiranës
Anëtar i Akademisë të Shkencave
Kërkues shkencor i asociuar në Qendrën Kombëtare e Kërkimit Shkencor – Francë
Pedagog i jashtëm i lëndës Menaxhimi i Informacionit për Sipërmarrjet – IPAG (Paris)
Anëtar i Senatit të Universitetit të Tiranës
Përse distancohem nga të dhënat mbi pandeminë covid19 dhe prediktimet e Akademisë të Shkencave ?
Deklaratë për mediat
05.04.2020
Dje më datën 4 prill 2020 Akademia e Shkencave e Shqipërisë botoi në disa media një deklaratë kur ndër të tjera jepeshin disa të dhëna statistikore për përhapjen e epidemisë të rëndë të Covid19 në vendin tonë, bëheshin prediktime për ecurinë e epidemisë, si edhe thirrje qytetarëve për të zbatuar masat e kërkuara, etj.
Kjo deklaratë më përfshin edhe mua si anëtar i atij institucioni dhe më detyron të shprehem publikisht rreth saj. Aq më tepër sepse deklarata në fjalë as është konsultuar, as është diskutuar dhe as është aprovuar në asamblenë e Akademisë të Shkencave qoftë edhe në formë elektronike.
Në gjykimin tim në deklaratën e Akademisë të Shkencave ka më së pari probleme shumë serioze dhe të papranueshme për mua në planin shkencor të metodologjisë dhe epistemologjisë të kërkimit statistikor.
Në deklaratë sikurse thuhet pretendohet të matet shkalla e rritjes të përhapjes të epidemisë pra “përhapja e pandemisë”. Bashkëshoqëruar jepet edhe një shifër në përqindje dalë mbi bazën e një përllogaritjeje shumë të thjeshtë të rezultatit të një thyese shumëzuar me 100.
Këtu ngatërrohen dy gjëra krejt të ndryshme me njera tjetrën, të cilat një statisticien serioz, pa ndonjë specializim të veçantë në fushë, nuk e bën. Akademia e Shkencave përdor shifrat zyrtare të institucioneve të specializuara, por ato në asnjë rast nuk kanë thënë se numri i të ekzaminuarve me coronavirus është i barabartë më numrin e të infektuarit realë. Dhe kanë shumë të drejtë për këtë. Kurse Akademia e Shkencave në deklaratën e saj ngatërron dukurinë reale me rezultatin e matjes të kësaj dukurie. Të infektuarit e dedektuar nga sistemi shëndetësor i barazon me të infektuarit realë. Në këtë mënyrë jep shifrat që pretendojnë të tregojnë shkallën e përhapjes reale të epidemisë të rëndë, ndërkohë që ato shifra që ka huazuar nuk masin veçse shkallën e matjes të përhapjes të epidemisë. Jo përhapjen e epidemisë në realitet. Ngatërrohet fenomeni real me rezultatin e matjes të fenomenit që sigurisht është shumë më i përhapur. Unë nuk përfshihem në këtë formulim që shtrembëron të dhënat dhe ngarkon moralisht çdokënd në këto kohë kaq delikate.
Po ashtu, në atë deklaratë jepen edhe shifra në përqindje që sipas saj masin “ritmin e të shëruarve nga të infektuarit gjithsejt”.
Edhe ky është një pretendim që as organet zyrtare të specializuara nuk e kanë pretenduar ta dinë. Mund ta dish këtë përqindje të të shëruarve vetëm nëse di numrin gjithsejt të të infektuarve realë. Por edhe këtë numur real faktik askush nuk pretendon se e njeh. Sepse ka të sëmurë që nuk shprehin asnjë simptomë dhe iluzivisht e quajnë veten të painfektuar, ka që kanë simptoma të lehta dhe nuk manifestohen në telefonata, shpërndarja e testeve të depistimit është e tillë që nuk mund të japi kurrszesi numrin real të të infektuarve gjithsejt, sikurse ka edhe individë që nuk telefonojnë fare në çdo rast për t’u evidencuar. Nuk ka nevojë të kesh njohuri të thella matematikore për të ditur se thyesa që pjeston numrin e të shëruarve mbi numrin e të infektuarve gjithsejt nuk mund të japi asnjë rezultat në realitet sa kohë as numuruesi dhe as emëruesi i saj nuk shprehin madhësi numerike reale.
Në gjykimin tim duke ndërmarrë këto përllogaritje, që pretendojnë të kenë përmasë shkencore, Akademia e Shkencave edhe një herë tjetër ka treguar se pozicionohet keq dhe gabim në misionin e saj të përcaktuar me ligj.
E them këtë sepse ato përllogaritje të thjeshta përqindjesh i bën çdo nxënës që ka njohur tashmë tabelën e pjestimit dhe të shumëzimi. I kanë medoemos edhe të gjitha organet zyrtare ne fushën e shëndetësisë.
Akademia e Shkencave do të justifikohej në atë përçapje që deklaron nëse do të mblidhte në mënyrë autonome të dhëna të pavarura sasiore duke krijuar bazat e saj të të dhënave.
Duke i krahasuar pastaj ato me të dhënat zyrtare. Ose nëse do të përpunonte procedura matëse shumë të specializuara, alternative, që do të jepnin rezultate të pavarura për përhapjen e pandemisë, shkallën e të shëruarve, shkallën e vdekjeve etj.
Në këtë mënyrë Akademia e Shkencave do të jepte një kontribut real nëse do të krijonte pikërisht këto baza të dhënash autonome si teste kontrolli të të dhënave zyrtare. Jo vetëm nuk e bën këtë, jo vetëm përdor të dhëna që nuk janë te sajat, por edhe ngatërron epistemologjinë e procedimit statistikor duke ngatërruar në disa raste dukurinë që matet me matjen e dukurisë. Merr si reale, të dhëna që nuk janë veçse rezultate të prodhuara nga procedurat e matësit. Ngatërron objektin e matur me rezultatet e matjes të objektit. Këtu gabimi epistemologjik është uluritës.
Nuk dua të ndaloj në atë që Akademia e Shkencave pretendon se di që po kryhen veprime për prodhimin e vaksinës kundër covid19, pa dhënë burimet e këtij informacioni!!!!
Por, nuk di se në çfarë mënyre dhe në çfarë mase ajo pretendon që njësitë shkencore që ka krijuar në nanoteknologji janë angazhuar në këto përllogaritje të thjeshta të dala nga të dhëna të marra tashmë nga dorë e dytë, çka kërkon testim dhe verifikim aq të domosdoshëm nga ana shkencore. Një tabelë e thjeshtë llogaritëse do të mjaftonte. Ose edhe një telefon celular.
Por, di me siguri që ai që quhet komision i ekonomisë, drejtësisë, etj, ku edhe unë jam integruar, nuk ka kryer deri më tash asnjë studim lidhur me çfarë pretendohet në deklaratën e Akademisë të Shkencave. Pretendimi i saj në këtë pikë është i pavërtetë. Dhe nuk ka bërë sepse nuk mund t’a bëjë nga mënyra sesi janë organizuar ato komisione dhe njësi studimi.
Mbi të gjitha, Deklarata e Akademisë të Shkencave pretendon të gjejë edhe se kur do të arrihet piku dhe kur do të nisi rënia e epidemisë!!!
Pa dhënë asnjë argument shkencor, çka është pjesë e etikës minimale të shkencës. Këto orvajtje të pabazuara kur epidemia po shkakton marrje jete në vend dhe në të gjithë botën janë me rrezikshmëri shoqërore dhe ngarkojnë me përgjegjësi etike. Unë nuk pranoj të jem pjesë e tyre. Eshtë detyra e deklaruesve tani të na i provojnë prediktimet e tyre!
Nisur prej këtyre rezervave shkencore serioze, etike, si edhe e faktit se Akademia e Shkencave nuk të pyet edhe kur deklarohet gjoja në emrin e akademikëv,e distancohem publikisht nga ajo deklaratë e saj duke qendruar aktiv që mesa mundem të kontribuoj në përballimin e pandemisë si qytetar, pedagog dhe kërkues shkencor.
Si edhe qendroj aktiv për të bërë që komuniteti shkencor të japi kontributet që duhen në këtë kauzë, larg deklaratave, propagandës dhe qendrimeve të padobishme.