Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë në Parlament, Flamur Noka i është drejtuar me një letër përfaqësuesit të shtetit Italian në Tiranë, ambasadorit Cutillo për t’i dhënë informacionet e monitorimit të drogës nga ajëri, pasi sipas tij qeveria shqiptare i fsheh.
Flamur Noka, i kërkon që komisioni i sigurisë të vihet në dijeni të raportit te monitorimit nga ajri nga Guardia di Financa.
Noka thekson se qeveria dhe Edi Rama kanë tendencën ti fshehin rezultatet e monitorimit të terrenit nga ajri, dhe është në interesin më të lartë publik, dhe në interes të sigurisë kombëtare që Komisioni i Sigurisë të vihet në dijeni të imazheve e të dhënave të përftuara nga ky monitorim.
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë iu drejtua ambasadorit Italian me një kërkesë me 19 prill të këtij viti, për të kryer sa më shpejt fotografimin dhe filmimin e parcelave me drogë nga ajri me anë të avionëve të Guardia di Financa, sipas marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare të vitit 2011.
I nderuar Shkëlqesia Juaj Ambasador Cutillo,
Më lejoni edhe një herë t’ju shpreh mirënjohjen time për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vijueshëm që Italia i ka dhënë vendit tonë, e në veçanti Policisë së Shtetit, dhe të shpreh vlerësimin për rolin tuaj në vijimin e këtij bashkëpunimi.
Krahas shqetësimit të thellë për rëndimin e situatës së rendit dhe sigurisë, siç dhe ju kemi vënë në dijeni nëpërmjet komunikimeve të mëparshme, vazhdojmë të ndjekim precipitimin dramatik të situatës së kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike. Të dhënat e raportit të BE-së për drogat, përgatitur nga EUROPOL, në lidhje me situatën dramatike të kultivimit masiv dhe trafikimit të bimëve narkotike në vendin tonë, që rendisin Shqipërinë si vendin kryesor në kultivimin dhe trafikimin e cannabis-sativa drejt vendeve të BE-së, kryesisht drejt Italisë, konfirmohen plotësisht nga informacionet tona nga terreni.
Invesitigimet mediatike kryesisht të ditëve të fundit, raportimet e qytetarëve dhe hulumtimet që PD ka bërë në terren, tregojnë qartë se kultivimi i cannabis-sativa tashmë ka mbuluar thuajse gjithë territorin e vendit tonë, duke pesëfishuar sipërfaqet ne raport me një vit me parë. Të dhëna konkrete nga brenda radhëve të policisë konfirmojnë se ky aktivitet kriminal ka mbështetje nga segmente të larta të Policisë së Shtetit, dhe nga drejtimi i lartë politik i Ministrisë së Brendshme. Në shumicën dërrmuese të rasteve parcelat ruhen nga individë të armatosur ose nga punonjës policie të besuar të drejtuesve të policisë.
Sikundër jemi në dijeni, në bazë të marrëveshjes nënshkruar mes dy vendeve tona në vitin 2011 për monitorimin nga ajri për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, avionët e Guardia di Financës kanë kryer monitorimin dhe fotografimin e terrenit. Në kushtet e lartpërmendura duke marrë në konsiderate edhe faktin që nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe Qeverise ka përpjekje të dukshme për të fshehur të informacionet e disponuara, ju kërkojmë ju që të na mundësoni këto të dhënat dhe imazhet e përftuara nga ky monitorim.