Nga Mero Baze
Partia Republikane po shkon drejt formimit të një grupi parlamentar fallco, me gjashtë deputetë të marrë “hua” nga PD, katër prej të cilave janë katër deputetet e reja të PD në Kuvend.
Akti i krijimit të një grupi të ri parlamentar, me deputetë të marrë nga partitë e tjera, është i paligjshëm dhe korruptiv. Deputetët janë legjitimuar nga Komisioni i Mandateve si deputetë të PD dhe sipas çdo neni të rregullores së Kuvendit, vetëm pas gjashtë muajsh ata mund të kenë të drejtën të rishprehen për pozicionin e tyre politik në raport me Partinë Demokratike. Në nenin 15 të Rregullores së Kuvendit, në pikën 2, thuhet: “...Një deputet mund të largohet nga grupi parlamentar, dhe mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar, vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit.”
Pra për këtë legjislaturë ata janë shprehur që janë me PD dhe nëse duan të shkojnë tek Partia Republikane, e cila nuk ka formalisht asnjë deputet, duhet ta bëjnë pas gjashtë muajsh.
Kështu që ikja nga PD dhe shkuarja tek PR në këtë sesion, është i paligjshëm dhe shkelje e rëndë e rregullores së Kuvendit.
Për më tej akoma, ky është një akt i pastër korruptiv, pasi Kuvendi i Shqipërisë me vetëdije bën një akt politik i cili ka pasoja financiare në buxhetin e shtetit. Pra, Kryesia e Kuvendit, voton një akt korruptiv, për t’i dhënë një buxhet fallco një njeriu që edhe vetë nuk del dot deputet si republikan.
E gjitha kjo është një turp, dhe dikush prej deputetëve të Kuvendit duhet ta çojë në Gjykatë Kushtetuese për ta ndalur, nëse Rama nuk ka qejf t’i prishë pazaret me Lulzim Bashën.
Por nga ana tjetër, marrëveshja për republikanët tregon dhe talljen e Lulzim Bashës me gratë e reja deputete që ka sjellë në Kuvend. Deputetja e dytë e Tiranës, deputetja e dytë e Vlorës, e dyta e Durrësit dhe e Kurbinit, kanë pranuar me qetësi të shkojnë të regjistrohen si deputete republikane. Janë të katërta prurje të reja në PD, pa asnjë lidhje me PD dhe për të cilat ka pasur akuza në shtyp se kanë lobuar edhe financiarisht pranë njerëzve të afërt të Lulzim Bashës, për të qenë në lista.
Lehtësia me të cilën ato kanë pranuar që të bëhen republikane, ende pa ngrohur “vezët” si demokrate, tregon jo vetëm distancën e tyre reale nga PD, por dhe talljen e Lulzim Bashës me prurjet e reja në PD. Me sa duket, të vetmet që i janë bindur të shkojnë tek Mediu, janë ato që kanë ardhur me kontrata personale me të dhe Kunatin e tij në listën e PD. Të tjerët që kanë pak lidhje me PD, nuk kanë pranuar të firmosin. Kjo është një shenjë e fortë se me çfarë figurash po e mbush PD-në, Lulzim Basha. Dhe mbi të gjitha, një poshtërim për gratë, të cilat i konsideron më të kollajtat për t’i shitur.