Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka deklaruar se Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve.
Në një reagim në “Facebook”, Manjani shkruan se pas dekretit të Presidentit vendi nuk është në një proces zgjedhor, ndaj dhe debati ka apo jo të drejtë një subjekt të largohet apo të rrijë në zgjedhje nuk ekziston.
Reagimi i plotë
Sqarim: Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë ankesa të subjekteve politike jashtë proçesit zgjedhor.
Formalisht pas Dekretit të Presidentit ne nuk jemi në proçes zgjedhor. Ndaj debati ka apo jo të drejtë një subjekt të largohet apo të rrijë në zgjedhje nuk ekziston përsa kohë që ska zgjedhje. Në të shkuarën janë shqyrtuar kërkesa të tilla, por gjithnjë brenda një proçesi apo periudhe zgjedhore. Rasti këtë radhë nuk është njësoj, sepse formalisht jemi jashtë proçesit.
Fakt është se nuk ka ende një datë zgjedhjesh. Fakt është gjithashtu se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në fuqi. Fakt është se fuqinë e këtij dekreti e anulon ose vetë Presidenti ose Gjykata Kushtetuese.
Përsa kohë dekreti është në fuqi, Kolegji Zgjedhor nuk ka juridiksion të shqyrtojë mosmarrëveshje që lidhen me një proçes inekzistent. Nga ana tjetër Kolegji nuk ka fuqi ligjore të bëjë ekzistent një proçes të tillë, qoftë dhe indirekt siç pretendon partia në pushtet.
Pra duke pranuar gjykimin e kërkesës së zotit Idajet Beqiri kundër KQZ, Kolegji gabon sepse së pari ajo mosmarrëveshje nuk lidhet me një proçes zgjedhor legjitim dhe, së dyti indirekt merr një kompencë të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se mund të mos shprehet për legjitimitetin e dekretit. Ndaj rruga e vetme e ligjshme është pushimi i gjykimit të çështjes.
Ose nëse duan ta gjykojnë, do duhet ta pezullojnë gjykimin dhe ti kërkojnë Gjykatës Kushtetuese interpretimin përfundimtar është apo jo Kushtetues Dekreti i Presidentit. Vetëm kështu mund të shqyrtohet ajo çështje në mënyre korrekte sipas ligjit.