Nëse Enrico Tellini nuk do të ishte vrarë, kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do të ishte matanë Janinës.
Por ajo e hënë e 23 gushtit të vitit 1923 qe fatale jo vetëm për jetën e gjeneralit italian, me detyrë kryetar i Komisionit Ndërkombëtar Kufipërcaktues mes Shqipërisë e Greqisë, por edhe për fatet e Shqipërisë. Në një pusi nga një bandë prej 7 personash gjenerali italian u vra bashkë me 4 personat e tjerë që ndodheshin në makinë me të.
Skena e vrasjes
Eskorta me dy makina, me gjeneral Tellini-n po lëvizte nga Janina në Kakavijë, kur rrugën ia kishin zënë disa pemë të rrëzuara. Me ta nuk ishte makina me përfaqësuesit grekë, e cila nuk e vijoi udhëtimin pas një defekti. Sapo shoferi Reniggo Farneti dhe përkthyesi shqiptar, Thanas Kraveri, dolën për të hequr pemët nga rruga, pjesëtarët e një bande hapën zjarr duke i lënë të vdekur në vend që të dy.
Batareja e pushkëve u drejtua edhe ndaj personave që ndodheshin në makinë. Mjeku Luiggi Corti ishte personi i tretë që mbeti i vrarë. Pas tij u plagos adjutanti Mario Bonacini, që falë një manovre arriti të futej poshtë makinës. Në këtë moment gjeneral Tellini u përpoq të largohej nga makina duke vrapuar dhe qëlluar njëkohësisht me pistoletë ndaj pjesëtarëve të bandës.
Por arriti të bënte vetëm disa hapa drejt pyllit, sepse shënjestra kryesore e banditëve mbeti i vrarë në vend.
Si u organizua vrasja
Fshatrat Pobickë dhe Radat në Leskovik i përfshiu brenda kufirit të Shqipërisë. Fashtrat Peshkëpi, Rrëzë e Zezë dhe Kakavijë i përfshiu brenda kufirit të Shqipërisë. Punonte me ritëm të lartë në mënyrë që të përfundonte shpejt.
Kur Enrico Tellini po bëhej gati ta shpinte vijën e kufirit të Shqipërisë deri në Kallama dhe të gjithë Çamërinë Veriore, duke përfshirë edhe Janinën me rrethinat e saj, kishte vetëm një mënyrë që qarqet greke ta ndalonin: duke e eliminuar fizikisht. Kjo situatë pasqyrohej qartë në gazetat e kohës.
Tiranë, 6 shtator 1923, Përfaqësuesit tonë në Paris, Londër, Romë e Gjenevë na njoftojnë: veprimi i fundit i drejtë i Gjeneral Tellinit ndaj Shqipnisë, i dhanun prej tij, me 2 Gusht, ku, vëndosi që banjot e Vromonerit t’i mbesin Shqipnisë, janë shkaku i vrasjes së Tij…
Se sa ishte masa e shqetësimit të gjeneral Tellini-t kuptohet nga një raport i tij i dërguar në Lidhjen e Kombeve për punën e kryer deri në ato momente:
“Ky delegacion nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t’u larguar…Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet”.
Pakënaqësia e Greqisë nisi që kur Lidhja e Kombeve, pas Konferencës së Paqes në Paris, e emëroi Tellini-n kryetar të Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas pakënaqësisë me fjalë dhe mimikë, grekët ua lanë vendin veprimeve konkrete.
Vetëm pak ditë pasi mori detyrën, gazeta “Dielli” shkruante se 50 ushtarë grekë të lënë qëllimisht në Korçë si “të sëmurë”, hynë përdhunshëm në ndërtesën e komisionit , për të trembur gjeneral Enriko Tellini-n dhe ta detyronin që Korçën ta kalonte brenda kufirit të shtetit grek. Sipas një raporti të konsullatës italiane në Janinë, gjatë një diskutimi një një moment irritimi, përfaqësuesi grek kishte thënë se “Gjeneral Tellini duhet vrarë…” Këtë frazë ky kolonel e ka përsëritur edhe publikisht në një lokal, çka do të ndodhte në të vërtetë.
Kush e vrau gjeneral Telinin?
Përfaqësuesi shqiptar pranë Komisionit Ndërkombëtar dhe përfaqësues i qeverisë shqiptare pranë grupit hetimor, Mehdi Frashëri, është i vetmi personazh i kohës që na i jep vrasësit me emër. Madje, ai jep detaje edhe për përgatitjet që bënë autoritetet greke që kjo vrasje të dukej sikur e kishin bërë shqiptarët.
Por, në fakt e kishin bërë grekët. Frashëri jep një version mjaft interesant se si shteti grek i manipuloi kriminelët për të thënë se vrasja e Tellini-t u bë prej shqiptarëve. Sipas Mehdi Frashërit, krimineli grek Koço Memo, i ardhur në Shqipëri, u burgos në Gjirokastër për vrasjen e shërbëtorit të Myfit bej Libohovës.
Në fakt, krimineli donte të vriste Myfit Libohovën nga ana e jashtme e murit të sarajeve të rij, por e ngatërroi me shërbëtorin. Dy shtytësit në këtë vrasje të ngatërruar, ministri i Luftës, Ismail Tatzati, dhe qarkkomandanti i Xhandarmërisë, Ahmet Selenica, organizuan edhe arratisjen e Koço Memos nga burgu.
Por këtu historia bëhet edhe më e ngatërruar dhe intriguese. Pas arratisjes, strehuesit e rinj të Koço Memos ishte pjesëtarë të familjes Karagjozati, të cilët i këkuan Memos të vriste hasmin e saj, Boço Kalo.
“Grekët, me anën e kantundarëve grekë të Gjirokastrës kishin dijeni të plotë për këto ngjarje dhe menduan ta falnin Koço Memon, ta mësonin mirë e mirë dhe ta nxirrnin dëshmitar përpara Komisionit Ndërkombëtar, të cilëve do t’u kallzonte përgatitjen e shqiptarëve për të vrarë Boço Kalon, me ndryshimin që në vend të emrit Boço Kalo do të thoshte emrin e gjeneral Tellinit”.
Këtu nisi dhe mori jetë zbatimi i planit për ekzekutimin e Tellini-t. Mehdi Frashëri tregon se autorë të kësaj vrasjeje ishin 5-6 banditë e bashkë me ta edhe një kriminel nga Nivica, që u kap rastësisht në Sarandë i armatosur. Në raportin që Frashëri i dërgoi në frëngjishte komisionit hetimor shkruan:
“Nga ndjekjet e xhandarmërisë shokët grekë të bandës kishin hyrë përsëri në Greqi dhe nivicioti kishte mbetur në Shqipëri, ku u zu i armatosur. Sipas Kolë Tromarës, kjo bandë greke kishte qenë vrasësja e gjeneral Tellinit dhe mbas vrasjes kishte kaluar kufirin e Shqipërisë për të përgatitur prova kundër shqiptarëve”.
Eksperimenti Tellini
Eksperimenti ishte në modë në kohën e Tellini-t. Gjenerali italian ndeshi në shumë pengesa dhe mosmarrëveshje me grekët për pretendimet e tyre territoriale ndaj Shqipërisë. Nisur nga kjo ai bëri një eksperiment që do të kthehej në legjendë.
I hidhte karamele një turme fëmijësh dhe aty dëgjonte së çfarë gjuhe flisnin, kur ziheshin për t’i kapur. Të gjithë flisnin shqip. Kaq i mjaftonte italianit dhe e vendosi kufirin duke e lënë këtë fshat brenda territorit shqiptar. Kjo i zemëroi grekët pa masë dhe pati shumë incidente me anëtarët e komisionit.
Hhetimi i dështuar
Në vitin e largët 1923 teknikat e hetimit për të zbuluar një ngjarje të rëndë lidheshin më shumë intuitën sesa me shkencën. Kjo i shkon më shumë eksperimentit që bëri kryetari i grupit hetimor, koloneli japonez Shibo.
Me të mbërritur në vendin ku u ekzekutua Tellini, japonezi nxori pistoletën dhe qëlloi dy herë në ajër. Menjëherë një grup ushtarësh grekë që gjendeshin afër vendit të ngjarjes, mbërritën për pak minuta dhe rrethuan të gjithë anëtarët e komisionit hetimor. Në këtë moment koleneli japonez nxori nga goja thënien lapidare:
“Hetimi mbaroi. Kur krismat e dy të shtënave të revolverit u dëgjuan nga ushtarët, si është e mundur që qindra të shtëna pushkësh nuk u dëgjuan prej tyre?!”
E ndërsa nuk ka dyshime që grekët e vranë, ne shqiptarët nuk i kemi dhënë atë nderim që duhet gjeneralit italian. Një shtatore që u ngrit në vitin 1933, me autor Odhise Paskalin, u prish në vitet e para pas ardhjes së komunistëve në pushtet.
Për të kuptuar dashurinë dhe respektin e tij për shqiptarët, por edhe mungesën e nderimit ndaj tij, mjafton të lexojmë këto radhë të shkruara nga vetë gjeneral Tellini.
“I dua dhe i nderoj shqiptarët, sepse janë zemërbardhë dhe trima. Mjerisht, ata po vuajnë keqbërësitë e fqinjëve. Do të përpiqem t’ua pakësoj mundimet dhe t’ua lehtësoj dhimbjet kombëtare, që shqiptarët të jetojnë të lirë si kombet e tjera”.
Kështu shkruante një italian që luftoi aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por që për këtë shkak mbeti i vrarë nga grekët.
*Marrë nga libri i Roland Qafokut “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar (në të gjitha trojet shqiptare)”