Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Negociatat? Prit gomar të mbijë bar

Nga 27.al 0

Nga Enkel Demi

Sot, do të kisha dëshirë që ai mos të dilte, as mos ta bënte të gëzuarin, as të sakrifikuarin që nuk po e bën dot festën e madhe, pasi na ka rënë sëmundja si pulat e kotecit. Por, kjo është një dëshirë e pamundur, sepse njerëzit që vuajnë nga logoreja nuk do të përmbahen, ani se do të recitojnë të njëjtën vjershë si gjithmonë në këto kohë të mërzitshme. Do thonë se na i hapën negociatat dhe sa të mbarojë kjo “luftë” do plasi peshku. Do u drejtohen atyre që po i mbajnë si delet në haur; doja të thoja në karantinë.

Po, negociatat na janë hapur, por pa datë. Është njësoj sikur të jesh tek dentisti, i cili nuk ta heq kurrë të drejtën e fjalës, por ti nuk flet dot pa mbaruar punë ai, meqë e ke gojën jo të hapur, por të shqyer. Nëse stomatologu do bëj dy mbushje, një heqje, pa kryer punë ai ti vetëm sa psherëtin, lëngon dhe kaq.

Shqipërisë sot i kanë shqyer gojën dhe i thonë që ke një dyzinë me kushte, të cilat do na i plotësosh një më një. Pa i kryer këto nuk ka datë, pra nuk bëjmë dot bisedë bashkë.

Merita e qeverisë sonë është se nga nëntë kushte gjermane që kishim herën e parë, na shtoi dhe tre të tjera. Kuptohet ai që nuk rri dot pa fol mund të krenohet, sepse dikur bënte strike me 9 kushte në një dorë, tani vetëm 3 shtoi.

Njëra prej shtesave është një tekë e tij personale, e cila u shndërrua në kusht; paketa antishpifje quhet, të cilën e mbrojti duke na e shitur që Gjermania e “kishte” ku e ku më të fortë se ne.

Është ajo paketa që duhet ta çonte në atë që s’thuhet atë vetë para ca ditësh, kur mashtroi me videon e Algjerisë, të cilën na e shiti si spanjolle. Po ta bënte këtë gabim ndonjë prej nesh, gazetarëve, sipas paketës së tij magjike duhet të paguanim miliona lekë gjobë pa gjyq, të kyçnim gojën, portalet, madje mund t’i thonim burgut “hapu!”. Tani, këtë paketë e kemi peshqesh-kusht prej atij që i di gjërat më mirë se delet e haurit që për të kullotur kanë nevojë për urdhër qeverie.

Bashkimi Europian gjeti një mënyrë që mos të djegë Maqedoninë e Veriut, duke na thënë se jua hapëm dyert, por më parë lani duart si porosit kat’nari i Surrelit, sepse na infektoni, meqë keni virusin e korrupsionit, trafikut të drogës, vjedhjes së zgjedhjeve, drejtësinë e partisë, shtypjen e medias dhe kështu me radhë.

Kjo është ftesa, të cilën e ka edhe “sulltani” i vërtetë, Erdogani, madje ka mbi dhjetë vjet, por për datë as që bëhet fjalë. Sa t’i jepet data këtij tonit, “sulltanit-kallp” duhet të kalojnë ca kohë të tjera; më optimistët thonë një vit e gjysëm. Pastaj janë kapitujt që me metodologjinë e re, e cila kënaqi Makronin dhe bëhet si lojë “mos u nxeh”; po gabove kthehesh në pikën e fillimit, jo aty ku ke gabuar.

Prandaj, kisha dëshirë që ai mos të fliste sot, sepse sapo i kanë dhënë një lugë bosh, të cilën duhet ta mbushë tek një tas çorbe që quhet: “prit gomar të mbijë bar”.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej