Nga Kujtim Xhaja
E martë…në punë…pushimi i drekës…
Sapo kam përfunduar vaktin e shpejtë dhe them t’i bëj një kontroll të shpejtë mediave sociale.
Më tërheq vëmëndjen një event, që ma rekomandoi Facebook!
Bëhej fjalë për një koncert klasik, diku në mbrëmje, në qendër të Tiranës, pikërisht tek Muzeu Historik. Hyrja ishte e lirë…
Do të luheshin dy pjesë të Joseph Haydn dhe Franz Schubert nga tre instrumentistë shqiptarë dhe një i huaj.
“Përtej paragjykimeve, rrjetet sociale shërbejnë ndonjëherë edhe për mirë”, mendova me vete.
E vendosa aty për aty që do shkoja në koncert. Kisha qënë edhe njëherë tjetër i pranishëm në një aktivitet të ngjashëm dhe isha larguar me një shije të mirë. Pse mos ta provoja sërish?
Ashtu, me një vetëkënaqësi naïve bëj të ftoj edhe një kolege pune në shfaqje dhe marr si reagim një fytyrë me ca sy të zgurdulluar që më thonë:
“Si ke nerva edhe shkon në ato mbrëmje të mërzitshme me muzikë funebre?!”
Kaq mjaftoi për të ardhur me këmbë në tokë dhe për të kuptuar se mbase unë nuk hyja tek shijet e saj.
Sot, të rinjtë më tepër janë të prirur nga muzika bashkëkohore moderne. Janë një grup “artistësh”që i preferojnë, i ndjekin, i komentojnë, përpiqen t’i marrin si shembull në veshje dhe në stil, madje ua dinë përmendësh edhe tekstet e këngëve. Në YouTube ata numërojnë me qindra e mijëra klikime, e në mediat rozë dalin përherë në faqe të parë. Ata janë më të preferuarit, më të përfolurit dhe ma do mëndja, më të paguarit.
Herë-herë ngjajnë si prodhime të paketuara shëmtuar, të cilat qëndrojnë gati për t’u hedhur në treg për konsumim masiv. Media, i ka ndihmuar këta të fundit të bëhen pjesë e kulturës së gjerë konsumuese. Ata i njohin të gjithë, e nëse nuk i njohin, ca syresh kanë dëgjuar për ta.
Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe disa artistë të tjerë, të cilët qëndrojnë të pavarur në punën e tyre, punojnë fort me vepra, e duket se media nuk flet fare për ta.
“Pak rëndësi” ka që këta artistë vijnë nga ambiente, të cilat i kanë kultivuar me shije për muzikën dhe artin e vërtetë. ‘’Pak rëndësi” ka që ata janë personalitete muzikore, kanë një jetë në violinë dhe luajnë në filarmonitë më të fmshme europiane. Ata janë të famshëm jashtë, e në mjedisin tonë mbeten të fshehur.
Kjo më nxiti më shumë për të shkuar në atë koncert. Desha t’i njihja, të mësoja më shumë për ta dhe për muzikën e tyre.
I hodha mbrapa krahëve perceptimet e njërit apo tjetrit dhe u nisa…
Koncerti fillonte rreth orës 18:00. Ishte konceptuar si një “kaiserquartet” me dy pjesë të zhvilluar brenda një salle të Muzeut Kombëtar.
Me të hyrë brenda, sytë më shquan katër meshkuj të gjatë dhe elegantë, të pashëm, të veshur ashtu, siç etika e mbrëmjes e dikton, me kostume të zinj klasikë, ata ishin ulur në katër karrige mes sallës së gjerë e dukej sikur kuvendonin. Po bënin provat e nisjes…
Njëri prej tyre ishte Arben Spahiu, violinisti, i cili eshtë spale e orkestrës së operës në Mynih. I dyti ish Dorian Xhoxhi, violinist, fitues i çmimit të parë në International Queen Sophie Charlotte Compettition, I treti , Vlorent Xhafaj, violoncelisti virtuoz i Konservatorit të Parisit dhe Lionit si dhe Ivan Vukcevic, viola solo e “Orchestra della Svizzera Italiana”.
Të gjithë këta instrumentistë ishin muzikantë profesionistë me një karrierë të gjatë jashtë vendit.
U ula, zura një vend nga radha e parë me qëllim t’i kisha sa më afër dhe mbeta ashtu, i heshtur dhe i tronditur në të njëjtën kohë. Radhët e tjera mbas meje u zunë të gjitha. Nga të katër cepat ku hidhja sytë, shihja të rinj dhe të reja, burra e gra, madje kish dhe nga ata që erdhën me vonesë, por kurrsesi nuk ia falnin vetes, t’iu humbte ajo shfaqje. U rreshtuan në këmbë në rradhën e fundit dhe ashtu ishin të gatshëm të qëndronin deri në fund. Këta të fundit më bënë të kuptoj, se rinia shqiptare nuk është vetëm ajo rini e kafesë me orë të zgjatura, rinia e tallavasë, apo turbofolkut. Ja, këta të rinj, kishin vendosur të shijonin diçka ndryshe, e mbushën sallën plot dhe me kërshëri prisnin që koncerti të fillonte.
Katër artistët filluan me një “allegro”, më pas radhën ia lanë një “poco adagio cantabile” Menuetto Allegro, e në fund me një Finale-Presto siç u kishte hije. Për një çast mbylla sytë dhe shijova atë magji.
Ato ndërthurje melodish më çuan në një botë tjetër. Këtë fuqi ka arti, ai është i aftë të bashkojë njerëz të panjohur me njëri-tjetrin, t’i vendosë ata në një tërësi perceptimesh dhe emocionesh ndijore, shqisore. T’i përhumbë ata nga realiteti. Ashtu siç do thoshte edhe OSHO: “Jeta është ajo çfarë po ndodh tani dhe këtu” Është vetë çasti. Ashtu është edhe arti.
Ato orë duket se fluturuan shumë shpejt, gati pa e kuptuar kish mbërritur fundi.
Të katër instrumentistët e mëdhenj u rreshtuan në qendër të skenës dhe me një përkulje të lehtë të trupit na përshëndetën përzemërsisht. Duartrokitjet e gjata të publikut i rikthyen ata edhe dy here të tjera.
U çova, dola nga ajo sallë dhe u largova sërish me një mbresë të paharruar, me mendimin se, mbrëmje të tilla i duhen më shumë këtij vendi, jo vetëm kryeqytetit, por edhe të gjithë qyteteve të tjera.
Të rinjtë kanë nevojë për art të mirë dhe cilësor. Ata kanë nevojë, sikur për një natë të vetme të arratisen diku gjetkë, me mendje dhe me shpirt, larg problemeve aktuale, që ky vend prodhon me shumicë, larg politikës fjalëshumë dhe boshe, larg kronikës së zezë të mediave, apo kafeve me orë të gjata.
Vallë ç’ju kushton istitucioneve shtetërore ta kthejnë këtë në një traditë?
Atyre ju duhet thjesht një mbështetje, të cilën shpesh herë e gjejnë tek subjektet private, që shërbejnë si sponsor të këtyre eventeve.
Duke kontribuar në art, këto institucione, nuk kanë bërë gjë tjetër veç kanë kontribuar në një rini dhe shoqëri më të mirë nesër.
Kjo është fuqia e artit…