Ndryshimet klimatike kërcënojnë shëndetin dhe mirëqenien tonë, pasi bëhen shkak për rikthimin e sëmundjeve infektive. Eugena Erindi Tomini, Doktore Shkencash, specialiste e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik në një intervistë për “Mapo” sqaron se si ndodh kjo.
“Ndryshimet klimatike apo ngjarjet e motit ekstrem, kanë efekte shëndetësore të drejtpërdrejta dhe të tërthorta te popullata humane. Ngjarjet ekstreme të motit, përfshijnë thatësirat, përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës të lidhura me to, stuhitë, ciklonet, goditje e të nxehtit dhe goditjet e të ftohtit. Zonat e lagështa ka të ngjarë të bëhen më të lagështa, me episode më të shpeshta të përmbytjeve, ndërsa zonat e thata mund të bëhen më të thata, me periudha më të gjata thatësire, që çon në një rrezik në rritje të shkretëtirëzimit. Kudo që jetojmë, në një metropol të madh, në një qytet bregdetar ose në fshat, ndryshimet klimatike kërcënojnë shëndetin dhe mirëqenien tonë”, thotë ajo. Më tej zonja Tomini thekson se ‘ndryshimet e shpeshta të klimës, mund të ndryshojnë ndërveprimin midis ndotësve të ajrit dhe alergeneve të frymëmarrjes, duke rritur kështu sëmundshmërinë në pacientët astmatikë me shkak nga pjalmi. Ndryshimet klimaterike, temperaturat e larta nxisin rritjen e baktereve në produktet ushqimore. Infeksionet nga salmonela rriten me 5-10% për çdo një gradë temperaturë përgjatë një jave, në një ambient me temperaturë mbi 5 °C. Shumë sëmundje infektive mund të rizgjohen në zona gjeografike të caktuara, apo të përhapen në zona të tjera për shkak të ndryshimeve klimatike”.
Ajo flet për rikthimin e sëmundjeve të tilla si Malaria që bota e kishte konsideruar të fituar betejën me to. “Shumë sëmundje infektive, mund të rizgjohen në zona gjeografike të caktuara apo të përhapen në zona të tjera për shkak të ndryshimeve klimatike. Malaria është një nga problemet më të mëdha të shëndetit publik në botë, e cila bashkë me ndryshimet klimaterike dhe jo vetëm, bëjnë që vektori mushkonjë që mbart parazitin, të pickojë popullatë të shëndoshë dhe të transmetojë sëmundjen. Ndryshimet klimaterike, mund të ndikojnë në përqendrimin dhe shpërndarjen e ajrit të ndotur. Sëmundjet infektive të transmetueshme, mund të ndryshojnë si rezultat i ndryshimit të klimës në zona të ndryshme gjeografike. Shfaqja në Europë e disa sëmundjeve me origjinë vektoriale, parazitare dhe sëmundjeve infektive (disa prej tyre të interesit zoonotik) ka shkaktuar alarm, veçanërisht në lidhje me rrezikun e transmetimit lokal të patogjenëve ekzotikë, të tilla si: shpërthime të sëmundjeve infektive të virusit Chikungunya në Itali, apo virusi Zika në vendet e Amerikës Latine etj. Kështu që shqetësimi është se si të shmangen shpërthimet e reja të sëmundjeve me origjinë nga vektorët apo vazhdimësia e sëmundjeve të tjera, qofshin këto edhe autoktonë. Si në rastin e encefalit, të shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor, ka encefalite të tjera, të shkaktuara nga viruset të transmetuara nga mushkonjat. Disa janë të pranishme në Afrikë dhe disa në Azi, disa në Amerikën Latine”, thotë ajo.
Këshilla:
- Të mbahen ambiente të ventiluara dhe të ajrosura mirë;
- Të pakësojmë ndërhyrjen tonë sado të vogël, në shtimin e karbonit në mjedis për minimizimin e ndotjes;
- Kërko ndihmë mjekësore në rastet e “goditjes nga të nxehtit” apo ndonjë sëmundje tjetër që lidhet me ndryshimin klimaterik;
- Duhet gjithashtu, përforcim i shërbimeve shëndetësore dhe sistemeve ndër-sektoriale, për të përmirësuar në mënyrën e duhur reagimin e tyre ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike;
- Inkurajimi i sjelljeve të shëndetshme dhe energji eficiente, në të gjitha mjediset dhe dhënien e informacionit dhe mundësive për ndërhyrje në zbutjen dhe përshtatjen, me një fokus të veçantë në grupet e riskut, përmes fushatave të ndërgjegjësimit publik;
- Përshtatja dhe integrimi i mbikëqyrjes dhe sistemeve të kontrollit, për disa sëmundje ngjitëse dhe vektorë të caktuar, që kanë gjasa të preken nga ndryshimi i klimës.