Nga Branisllav Nushiq
U dashurova me Persën, fqinjën tonë, sepse atë kisha më afër. Persa ishte pikaloshe, mbante çorape të verdha dhe thembrat i kishte gjithmonë të shtrembëruara nga këpucët.
Sa nuk isha dashuruar, nuk i kushtoja vëmendje, por që nga momenti kur rashë në dashuri, më dukej hyjnisht e bukur dhe më mjaftonte ta shihja, edhe nga larg, të shihja vetëm thembrat e saj te shtrembëra, dhe të emocionohesha e të nxitoja t’i dilja përpara që të ndeshja sa më shpejt buzëqeshjen në fytyrën e saj pikaloshe.
Ajo ishte vajza e profesorit që na jepte aritmetikën dhe që për mua, nuk e di përse, nuk kishte mendim aq të mirë. Ishte nëntë vjeçe dhe mësonte në klasën e tretë të shkollës fillore.
Dashurinë ia shpreha në një mënyrë romantike të pazakontë. Njëherë, kur po luanim hapadollapa, u fshehëm të dy në një fuçi, në të cilën ime më bënte lakrën turshi. Aty, në atë fuçi, i shpreha asaj dashurinë, dhe prej atij kujtimi të dashur, edhe sot prekem sa herë kaloj pranë ndonjë fuçie.
Njëherë rastisëm pas mësimit dhe u kthyem bashkë në shtëpi. I dhashë një kifël, të cilën ia blija çdo të premte, pasi të enjteve pasdite fitoja te krajcaricat, të paktën aq sa të mundja një herë në javë me një kifël t’i shprehja asaj simpatinë dhe vëmendjen.
Me atë rast e pyeta me seriozitet:
– Si mendon ti Persa, a do të të japë babai, nëse kërkoj dorën tënde?
Ajo u skuq, uli sytë dhe e hutuar theu legishtrin në tri pjesë.
– Nuk besoj!-m’u përgjigj me gjysmë zëri.
– Po pse?-e pyeta i emocionuar dhe sytë m’u mbushën me lot.
– Sepse në lëndën e tij je nxënës i dobët!
Iu betova se do ta mësoja natë e ditë aritmetikën vetëm që të përmirësoja notën. Dhe mësova, por, a mund të isha unë më i fortë se ajo ndjenjë, tek e cila aq njerëz kishin thyer forcën e tyre? A mundja vallë të pajtoja dashurinë me aritmetikën? Duke pasur për të zgjedhur midis dashurisë dhe aritmetikës, zgjodha si më të lehtë dashurinë dhe orën e ardhshme në vend të dyshit, që kisha deri atëherë, mora njësh.
Të enjten tjetër nuk fitova asgjë te krajcaricat, prandaj të premten në mëngjes u futa në dollapin e teshave, preva nga këmishat e dimrit të babait nja njëzet kopsa dhe i shita në shkollë për dhjetë qindarka, aq sa më nevojiteshin për kiflën.
Në drekë prita Persën para shkollës dhe duke ecur pas saj, pranova se tani isha edhe më keq, sepse kisha marrë njësh në lëndën e babait të saj. Ajo me dhimbje tha:
– Atëhere kurrë nuk do të jem jotja!
– Ti do të jesh imja, në mos në këtë botë, në botën tjetër!-thashë me zë të lartë fjalët që disa ditë më parë i kisha dëgjuar në teatër.
– Si mund te bëhet kjo?- pyeti ajo kureshtare .
– Do të helmohemi, po qe se pranon.
– Po si do të helmohemi?
– Ashtu!-vazhdova gjithnjë e më i vendosur,-do të pimë helm.
– Mirë!-u përgjigj e vendosur,- pranoj! Po kur?
– Nesër pasdite.
– E, nesër pasdite kemi shkollë – u kujtua ajo.
– E vërtetë-u kujtova edhe unë. – Nuk mundem as unë nesër se do të më vënë mungesë, dhe kam tashmë njëzet e katër, dhe mund të më përzënë nga shkolla. Por, nëse dëshiron, të enjten pasdite, kur nuk kemi shkollë as unë, as ti.
Ajo ra dakord dhe u morëm vesh që unë të përgatisja gjithçka për helmimin.
Të enjten tjetër pasdite marr fshehurazi nga shtëpia kutinë e shkrepëseve dhe shkoj ne takimin që kisha lënë me Persën, ku do të iknim së bashku në atë botë.
U takuam në kopshtin tonë dhe u ulëm në bar, frymëmarrja e thellë na merrej nga dhimbja dhe mallëngjimi. Nxora nga xhepi kutinë e shkrepëseve.
– Ç’do të bëjmë tani?-pyeti Persa.
– Do të hamë shkrepëse.
– Si do t’i hamë?
– Ja, kështu!-u përgjigja, hoqa kokën e shkrepëses dhe e hodha, kurse drurthin e hëngra.
– Po pse e hedh atë?
– Të kall krupë.
Edhe ajo zgjati me vendosmëri dorën. Hoqa kokën e shkrepëses dhe i dhashë drurthin. Ajo e mori dhe nisi ta hajë me guxim. Hëngri tri dhe nga sytë i dolën lot.
– Nuk mundem më! Nuk kam ngrënë kurrë drurtha, nuk mundem më.
– Atëherë duhet të jesh helmuar.
– Mundet!-u përgjigj.- Por ndjej diçka që më gërvisht fytin.
– E, ajo është. Je helmuar tashmë!
Vazhdova i palodhur dhe hëngra nëntë drurtha, edhe mua më iku oreksi dhe ndjeva gërvishtjen në fyt.
– E përkryer! Edhe unë u helmova!-thashë me solemnitet, siç duhet thënë në një çast të tillë. U bë një qetësi e tillë, në te cilën po mendoja sa bëjnë katër herë shtatë dhe kurrsesi nuk kujtohesha dot, kurse ajo, nuk e di ç’po mendonte, por e di që po qëronte dhëmbët, sepse një drurth i kishte ngecur mes dhëmbëve. Më në fund ajo e ndërpreu atë qetësi solemne duke pyetur:
– Po tani ç’do të bëjmë?
Ajo pyetje më hutoi tmerrësisht ngaqë, vërtet, helmimin si gjënë më kryesore e kishim kryer dhe unë nuk e dija çfarë duhet të bënim tjetër. Më në fund më erdhi një mendim i lumtur.
– E di çfarë, meqë u helmuam, hajd’ bëjmë kryqin!
Ajo bëri kryqin, të njëjtën gjë bëra dhe unë.
– Kurse tani-vazhdova unë- të shkojmë të vdesim secili në shtëpinë e tij. Eshtë turp të vdesim këtu, në bahçe. Jemi fëmijë nga shtëpitë më të mira dhe është turp të vdesim në bahçe. – E vërtetë- tha ajo dhe u larguam.
Megjithatë, e gjithë kjo punë mbaroi kështu:
Ajo shkoi në shtëpi dhe e luti nënën t’i përgatisë shtratin e vdekjes. Me atë rast pranoi se ishte helmuar, pra se kishte ngrënë drurtha me mua. E ëma, pa pyetur fare për gjendjen dhe për ndjenjat e saj i tha:
– E po, kur paske mundur të hash drurtha në bahçe, do t’i hash edhe këtu në dhomë!…
– I ngriti pas kësaj fundin dhe që andej filloi t’i dëbonte ndjenjat që Persës i ishin ngulitur në zemër.
Prej asaj të rrahure Persa më mori shumë inat dhe ashtu përfundoi dashuria ime e parë.