Ilir Meta ka marrë pjesë në mbledhjen e fundit të Komitetit Drejtues Kombëtar (KDK) të LSI-së, përpara se të bëjë betimin si President i Republikës.
Kryetari në detyrë i LSI-së tha se largimi nga forca politike të cilën ai e themeloi 13 vite më parë, ishte një sakrificë e jashtëzakonshme.
Megjithatë, Meta shtoi se edhe me Petrit Vasilin në krye, LSI do njohë rritje, ndërsa shtoi se drejtuesit të ri të kësaj force politike duhet t’i jepet një shans edhe për qeverisjen e vendit.
“LSI ka njohur rritje në çdo zgjedhje dhe në këto zgjedhje me kryetar Vasilin do të arrini një sukses të merituar. T’i japim edhe një shans Petrit Vasilit që të jetë njëshi i partisë, me përkrahjen tuaj le t’i japim shans që të jetë edhe njëshi i qeverisë”- tha Meta.