Po e zgjasni reformën në drejtësi, me qëllim që ta zvarrisni si ka ndodhur në gjithë këto vjet tranzion.
Deputetja Mesila Doda ka qenë shumë e ashpër në fjalën e saj në Kuvend, duke i akuzuar pushtetin dhe opozitën se kanë gjetur mënyrën të bien dakord që ta zvarrisin reformën në drejtësi, me qëllimin e vetëm që të kontrollojnë, pse jo dhe të përpjestojnë sistemin e drejtësisë.
Sipas saj, gjithmonë është lënë litari jashtë nga klasa politike, e cila si majtas, si djathtas është e interesuar që kjo reformë mos të kryhet siç duhet.
Akuza të forta ka bërë ligjvënësja e PDIU-së për të gjitha forcat politike që zgjodhën heshtjen në lidhje me deklaratat e Komisionerit Hahn për Çështjen Çame.
Më poshtë fjala e plotë e mbajtur nga Mesila Doda në Kuvendin e Shqipërisë.
I nderuar kryetar, të nderuar kolegë,
Përgjatë gjithë këtyre viteve nga këtu, nga ky institucion, prodhohen ligje e më shumë se to, retorika, vetëm një parim nuk e kemi shkelur kurrë: atë të lënies së litarit jashtë, atë të zvarritjes së sistemit, të mbrapshtisë së lënë pezull në çdo hap të mirë e shpresëplotë që ndërmerret.
Sido që ka qenë moti me diell apo i vranët, litarin e kemi lënë përherë jashtë.
Kjo është arsyeja kryesore dhe e vetme që kemi tërhequr këmbën zvarrë për të zgjatur dhe bërë tërkuzë, atë të cilin e kemi quajtur tranzicion.
Kanë qenë orët e para të mëngjesit të fundkorrikut, kur arritëm të gjejmë fjalën dhe votuam ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi. Pas shumë debatesh, yçklash, mesazhesh, pse jo presionesh të drejtpërdrejta ardhur nga faktori ndërkombëtar, arritëm të bashkojmë votat për reformën në drejtësi.
Ma merr mendja ka qenë një ditë e bukur për qytetarët që ndoqën atë tiradë të gjatë fjalimesh, akuzash, kundërakuzash, hartimesh patetike, të cilat u interpretuan me aq zell në këtë sallë.
Por, qytetarëve nuk ua mori mendja se edhe në atë ditë, ku besuan se triumfoi demokracia, litari ishte lënë jashtë, në mënyrë që edhe kjo reformë të zvarritej në gjolin e tranzicionit. Disa ditë më vonë u tha dhe doli sheshit që kjo reformë e aprovuar me aq dëshirë nga të gjithë këtu në sallë, është nul, nuk funksionon as gjysmake, nëse nuk aprovohen të famshmit shtatë ligje.
U tha që Kuvendi do të mblidhet në korrik, në gusht, shtator… Sot, jemi 6 tetor dhe mirë apo keq të gjithë kanë tërhequr litarin që lanë jashtë atë ditë fundkorriku.
Qeveria e bën që të zotërojë sistemin, kundërshtarët e saj që ta përpjestojnë sistemin. Kjo është e vërteta dhe këtë nuk ka përse ta fshehim më as në deklaratat e tipit “fanari ndriçues”. Për fat të keq politikanët tanë sillen në këtë sallë si hokatarë, si hokatarë dhe si narcizistë të pashpresë, tek thurin ditirambe fjalimesh pafund e akuzash po aq të pafund, por të cilat me shumë se njerëzve i flasin vetes.
Kundërshtitë ndaj këtyre ligjeve që kemi sot përpara për të votuar janë të gjitha kundërshti meskine, të cilat në fund përfundojnë në emra të përveçëm. Janë pengesa, të cilat gjithsecili nga ne, nëse do kish patur dëshirën e mirë mund t’i kapërcente duke pirë një kafe rreth një tryeze bisedimesh.
Por, këtu është e keqja. Ne nuk ulemi, sepse nuk dëshirojmë marrëveshje. Për sistemin e drejtësisë, por edhe për sektorë jetikë e që tejkalojnë ndasitë partiake si arsimi apo shëndetësia palët kundërshtare duhet të ulen dhe të hartojnë strategji shumëvjeçare që s’duhet t’i prekë asnjë forcë politike, kushdo që të fitojë pushtetin. Kjo, sepse kundershtitë politike po i ktheni në eksperimente me njerëzit, me sistemin, me fëmijët, të rinjtë e të moshuarit dhe ndërkohë ju vazhdoni të ndiheni po aq krenar që i ktheni hallet e shqiptarëve në baltë për njëri-tjetrin. Në asnjë rast klasa politike e këtij vendi nuk ka dashur të zgjidhë mosmarrëveshjet, të gjitha palët janë të interesuar që kjo histori të vazhdojë rrëshqansi sikur të jenë zvarranikë.
Sot, me konsensus kalojmë vetëm ligjin për SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, por ligjet e tjera për mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë nuk kanë gjetur marrëveshje. Ndaj edhe nëse këto ligje marrin shumicën e votave sot, dikush qysh dje kërcënoi sërish me Gjykatën Kushtetuese.
Ja pra, ku litari mbetet sërish jashtë dhe puna nuk bëhet për së mbari.
Të dashur kolegë, brenda kundërshtisë suaj, këtyre polemikave banale, me akuza drithëruese keni gjetur veç konsensusin që ta zvarrisni procesin, sepse këtë dëshironi të gjithë. Nuk ka rëndësi kush i nxjerr gështenjat nga zjarri, rëndësi ka për të gjitha palët, që urat e sherrit të mbeten përjetësisht ndezur.
Ka dhënë dhe më parë prova politika shqiptare, e cila ka zotëruar më së miri prodhimin e konfliktit, litarin e sherrit.
Po ju përmend vetëm ligjin e tokës, 7501, i cili shpesh mallkohet si nga e majta, si nga e djathta, por në fakt aty është sherri, konflikti, zvarritja edhe pas një çerek shekulli, kur disa të tjerë e aprovuan me ata kartonë që keni në dorë.
Këtë dëshironi të bëni dhe me reformën në drejtësi. Doni ta vdisni një foshnje të porsalindur, në mënyrë që zullumi mos të ekspozohet para një sistemi që nuk e kontrolloni dot.
Zonja dhe zotërinj,
PDIU edhe për pak muaj, derisa të vijnë zgjedhjet do ketë në këtë sallë vetëm ata ligjvënës që ka. Më pas do të shihni vetë se sa do të jemi, por edhe me kaq sa jemi sot, e kemi thënë dhe do të vazhdojmë ta themi, se nuk kemi ndër mend të këmbejmë këto vota me asgjë, nuk kemi ndër mend të kushtëzojmë asgjë me reformën në drejtësi, sepse jemi të bindur në nevojën e funksionimit sa më të shpejtë dhe sa më të pavarur të kësaj reforme.
Sot, i keni votat tona për ligjet që duhet të kalonim prej kohësh, por sërish po ua kujtoj, litarin po e lini jashtë dhe në lojën e marionetave Ju nuk na keni me vete.
Po bëhen thuajse dy vite qysh kur u miratua ligji për hapjen e dosjeve, por komisioni nuk ngrihet. Çfarë po ndodh me ligjin, pse shkeni në mënyrë skandaloze ligjin që miratuat vetë? Pse e miratuat tek e fundit, kur nuk e doni ndarjen nga e kaluara? A ju vjen ndopak zor tek hiqeni një ditë si parimor e si gur i moralit dhe ditën tjetër të tërhiqni zvarrë krimin e djeshëm, e si përherë lini litarin jashtë.
Ne nuk ju ndjekim pas në këtë lojë, sepse është shumë e lehtë të zbulosh në këtë jetën tonë të politikës sa pak dashuri ka për këtë vend, për të cilin betoheni nga e gdhira në të ngrysur.
Vetëm një javë më parë nënkryetari i Kuvendit, Shpëtim Idrizi ju komunikoi deklaratën e Komisionerit Hahn për Çështjen Çame. Me hall të madh e dëgjuat, pothuaj jua mori mikrofonin nga dora, sepse ashtu si sot dhe përherë në këto vite, kishit hall të grindeshit me njëri-tjetrin, të ngrinit kultin e mallkimit, në këtë foltore që po shndërrohet si shtylla e turpit.
Një javë më parë kemi përjetuar një nga ngjarjet historike më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Bashkimi Europian kërkon që në agjendën e bisedimeve mes Tiranës dhe Athinës të hyjë Çështja Çame.
Në Greqi qysh prej asaj dite nuk ka më paqe. Po lëvizen të gjithë gurët, ka deklarata, kundërdeklarata, mund të ketë ndryshime të ekuilibrave politikë. Atje, si përherë arrijnë ta kuptojnë mesazhin më mirë se këtu tek ne. Atje, tani e kanë të qartë se gjeopolitika po ndërron kah dhe për fat të mirë duket sikur erërat e ngrohta po flladisin këtë vend.
Nuk bëhet fjalë për mot të mirë në ndihmë të kulturave haluçinante të bujqësisë, por është mot i mirë që ndryshon rrotën e historisë. Dora Bakojanis kerkoi në mënyrë urgjente interpelancë me ministrin Kotzias. Kjo, sepse të djathtë e të majtë janë dakord njëzëri të mos lëshojnë asnjë pëllëmbë nga atdheu i vjedhur, të mos kërkojnë asnjë ndjesë për krimin kolektiv, të mos i japin asnjëherë nderimin viktimës e fajin xhelatit.
Po çfarë ndodhi në Shqipëri pas kësaj deklarate të Komisionerit Hahn?
Asgjë! Heshtët të gjithë si peshqit në ujë. Nuk u ndje kush, përkundrazi. Mediat që kontrolloni u munduan të përgënjeshtrojnë vetë Komisionerin. Shkruan me zell se ai u tërhoq një hap pas, por deklarata e mëtejshme e zëdhënëses Maja Koçijançiç e zbrapsi edhe këtë sulm malinj.
Kështu që u zgjodh heshtja.
Turp i madh!
Për herë të parë flitet për një çështje jo krahinore, por atdhetare, shqiptare dhe zgjidhni heshtjen, madje kërlesheni për çdo gjë tjetër, në mënyrë që vëmendjen ta çoni përtej. Parlamenti i Shqipërisë në kushtet e reja do duhet te mblidhet veç për këtë çështje dhe te ketë një qëndrim të perbashket per kete moment historik.
Të nderuar deputetë,
Gjatë një interviste në Zërin e Amerikës, ambasadori Christopher Hill u shpreh se nuk e kishte patur frikë asnjëherë nga Shqipërinë e Madhe, sepse Shqipëria nuk dëshironte të bashkohej me Kosovën. Diplomati tha një të vërtetë tronditëse që qeveritë tona, të majta apo të djathta, kurrë nuk kanë dëshiruar që ky vend të bëhej i madh aq sa na takon, që ekonomikisht tregjet tona mos të qëndronin si parcelat e tokave të dhëna me 7501-in, por të paraqiteshin tok, të imponoheshin në rajon dhe më gjerë me kapacitetin e vet njerëzor, ekonomik e natyror.
Kjo që deklaroj unë sot, nuk është nacionalizëm, por sistem ekonomik, politik, sistem i përbashkët vlerash, pragmatizëm real, nëse duam të mbijetojmë në këtë rajon, me këta fqinjë dhe të trajtohemi si të barabartë mes të barabartëve.
Por, ne nuk e donim atëherë dhe nuk e duam as sot. Sepse shumë nga udhëheqësit tanë, bejlerët e vegjël e plot “lavdi” të Prishtinës dhe Tiranës do mbeteshin pa zotërimet e tyre të vogla, meskine, mediokrre, por që i bëjnë të ndjehen fanarë ndriçues.
Kështu, atë që armiqtë e shqiptarisë nuk e bënë dot ndër shekuj, shpërbërjen e kombit, po e bëjmë vetë.
Sot, në mbrëmje në Shkodër Kosova do të luajë futboll me Kroacinë dhe Fadil Vokrri ka ndaluar simbolet kombëtare, duke u fshehur pas burokracive të UEFA-s. Po pse more zotëri, copa e letrës do e ndalojë shkodranin dhe pejanin të vishet kuq’ e zi?
Natyrisht që jo. Por ky soj udhëheqësi që ka në dorë politikat, jo vetëm sportive, dëshiron llokmën e vet të vogël, brenda sinorit të ndarjes, sesa atdheun e madh.
Ndaj heshtët për Çështjen Çame dhe Komisionerin Hahn, sepse keni hall mos u zgjerohet Shqipëria dhe vetë zvogëloheni. Halli është se nuk e zotëroni dot më, ndaj edhe në këtë rast e lini litarin jashtë.
Jeni gati t’i bëni fresk grekut, serbit, rusit vetëm që mos të humbni atë copëzën e pushtetit që ju ka rënë për hise.
Dikur prijësit shqiptarë të mesjetës, kur grindeshin me njëri-tjetrin thërrisnin në ndihmë pushtuesin që t’i thyenin hundët kundërshtarit.
Këtë po bëni dhe ju, po ata po thërrisni në ndihmë…