Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Maks Velo, pak Perëndim në Orientin e trishtuar të së shkuarës

Nga 27.al 0

Nga Lorenc Vangjeli

Ka njerëz, të cilët janë si adresa për një qytet. Maks Velo është njeriu që i ka dhënë disa të tilla qytetit të Tiranës. Ka dhuruar pak shkëlqim në trishtim. Ka afruar pak fisnikëri në kohë brutale. Solli pak rikthim në kohën e atyre që ikin me radhë.

Adresat do të jenë edhe nesër: Te Maksi si piktor; Mbrapa Maksit si arkitekt; Mes Maksit si polemist, si estet dhe Maksit si e shkuar e trazuar e këtij vendi plot trazime dhe kujtesë për të ardhmen.

Maks Velo është dëshmia e gjallë e një vendi që nuk gjen dot ende paqen e ëndërruar. Sepse, shpesh paqja nuk vjen as nga vdekja. Ndoshta, sepse nuk ekziston, por është vetëm shpikje e fantazisë së të lodhurve dhe e indiferentëve; ndoshta është sajesë e njerëzve-bimë apo molusqeve-njerëz. Atyre që rriten ku i mbjell fati dhe lënë fatin t’i rrisë deri në zverdhje apo i atyre, që pavarësisht formës jashtë, rrallë, shumë rrallë ndodh edhe të mbajnë perla në brendësi.

Maks Velo nuk pati kurrë paqe në jetën e tij. Ndoshta e deshte, por nuk ja dhanë! Atëherë kur mund ta kishte, e vetërefuzonte. Sepse, ai ishte nga raca në zhdukje e njerëzve të trazuar, edhe kur vinte në orientin e lodhur shqiptar me çertifikatë lindjeje Parisin, edhe kur jetonte në Tiranën provinciale si parizienët e fillimshekullit të shkuar.

Ka qenë fat i shkruar: ka patur shumë pak vend për pak Maks, në vendin ku mbret ishte tymi i qofteve, mbretëreshë ishte rakia e bekuar e sazeve, ëndërr ishte beli i çingijeve ezmere dhe politikanëve absurdë e qesharakë, si absurditeti qesharak i të shkuarës që idiotët e quajnë më të mirë se ishte më keq. Thjesht, sepse e keqja, njëlloj si marrëzia, është e pafundme!

Maks Velo nuk priti të ikte që të dëgjonte mirë për veten edhe nga njerëzit që nuk e donin. Nuk u ngut të jepte ndjesën, nëse do t’i kërkonin falje për kalvarin që i kishin shkaktuar bijtë e egërsisë shqiptare. Vetëdija e luftëtarit, që edhe kur flet për plagët e tij, e bën duke ikur drejt luftërave të së nesërmes, e bëri atë adresë që do të qëndrojë edhe mbas ikjes. E meritoi mermerin, edhe kur urrejtësit e donin të ishte gur.

Latinët ngulnin këmbë dikur se një burrë, mbas të dyzetave fillon dhe mban përgjegjësi për portretin e tij. Maks Velo e kaloi dy herë e ca këtë kufi moshor. Ai vetë dhe fati i tij i trazuar, projektuan dhe gdhendën në mish e eshtra kryeveprën e tyre të përbashkët: portretin e tij vetjak. Atë pamje që me vite u shndërrua në një vepër arti që dëshmonte shpirtin e shqetësuar të artistit, të artistit njeri që tentuan ta vrasin, por i mbijetoi krimit, që e hodhën në turrën e druve, por dogji zjarrin, që e zhytën në terr, por doli në dritë që të dëshmonte për terrin, tmerrin dhe ferrin.

Maks Velo është më shumë se njeriu që do të ekzistojë si adresa e qytetarit në Tiranë, është më shumë sesa piktor, arkitekt dhe intelektual i trazuar. Ai është një dëshmi e gjallë që do të mbetet edhe mbas ikjes së tij, dëshmia e një kohe të shkuar të ligë dhe prolog i një të nesërmeje pa paqe.

Ka pak njerëz që dëshmojnë me jetën e tyre se një qytet nuk e bëjnë vetëm ndërtesat e tij. Nuk e bëjnë dot as rrugët, sheshet, statujat, godinat historike dhe vetë historia. Nuk e bashkojnë mozaikun e të qenët qytet as pjesët e tij të ndara nga lumenjtë, nuk mjaftojnë tempujt, teatrot e parqet. Një qytet nuk mund të jetë i tillë me të gjitha këto bashkë, pa adresën e qytetarëve të tij, pa praninë e atyre që duke gdhendur në mish, eshtra e shpirt portretin e tyre vetjak, kujtojnë ekzistencën e përjetshme të marrëdhënies së trishtuar mes Zotit dhe priftërinjve: botën e drejtojnë politikanët, por e kanë krijuar artistët!

/fjala.al/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej