3 vjet e gjysmë më parë, kur Partia Demokratike humbi zgjedhjet, dilema e madhe ishte a do të mbijetojë kjo parti pa Sali Berishën. Sot dilemat mbetet dhe pavarësisht asaj çfarë thuhet, në dibër Partia Demokratike humbi. Kjo ka sjellë një shtim të zërave kritikë brenda Partisë Demokratike dhe njëri prej këtyre zërave është Majlinda Bregu.
Për të folur për gjendjen e opozitës, të hënën në Top Story ishte e ftuar Majlinda Bregu.
Sokol Balla: Të flasim pak për Dibrën, që ju ka bërë protagoniste me kritikat brenda partisë. Cilat janë arsyet e humbjes sipas jush?
Majlinda Bregu: Nuk besoj se ka ndonjë arsye protagonizmi, dëshira apo mendimi. Dibra ishte humbje dhe nuk kam ngurruar ta them këtë as në mbledhjen e grupit dhe kam frikë se ajo intuita e gruas të drejton të kesh…
Sokol Balla: Po thoni që e parandjetë?
Majlinda Bregu: Një parandjenjë, kam qenë në Dibër dy herë. Shpesh shkëputemi duke menduar për qendrën tonë dhe botën tonë dhe në momentin që përballesh me njerëzit ka një ndjesi tjëtër, ajo që më ngeli në mendje ishte ajo ndjesia, një stepje që të dëgjojnë për hir të faktit që ke shkuar dhe po flet. Reagova me një status sepse e ndjeva veten të turpëruar kur pashë një bulevard të tërë të papunë. Askush nuk thoshte dot që po do të fitojmë. Unë e njoh pak dibrën dhe nuk mund të vija bast që do e fitonim.
Sokol Balla: Nuk kishte struktura të PD në Dibër?
Majlinda Bregu: Strukturat e PD sot janë në një situatë problematike. Kjo është e vërtetë ishte edhe në Dibër. Për fatin tonë të keq nuk është vetëm në Dibër, por është edhe në zona të tjera të PD. Nuk do ishte kaq kaotike nëse do të ishte bërë kaq problematike nëse do kishte përfunduar procesi i zgjedhjes.
Sokol Balla: Rasti i Dibrës sikur Basha u ul me grupet dhe bisedoi me e dolët me një kandidat të përbashkët.
Majlinda Bregu: Kjo ndodhi në zgjedhjet e vitit të kaluar. Ne gabuam. Dibra ishte një test lokal, ishte prova për të parë se kush do të drejtonte Dibrën. Droga dhe mbjellja e Shqipërisë me hashash është sot një fakt i dukshëm. Një fakt që ndikoi edhe në zgjedhjet e Dibrës e që ka të bëjë me korruptimin e shpresës së shqiptarëve.rezultati i Dibrës, 10 fishimi vjen edhe nga shumëfishimi i plantacioneve me drogë, por kjo nuk do të thotë të mos shohim veten në pasqyrë.
Sokol Balla: Ju jeni cituar nga burime brenda mbledhjes t’i keni cilësuar këto argumente qesharake?
Majlinda Bregu: Kam thënë që janë argumente jo të qëndrueshme. Ne u zhvendosëm në Dibër për të garantuar që të mos vidheshin votat. Ajo që po them është që nëse kjo situatë ishte e parashikueshme do të ishte mirë për të gjetur mënyra sesi ta përballonim. Mbase nuk mund të kishim fituar, por do të shmangnim humbjen kaq të thellë. Ka shumë arsye.
Sokol Balla: Cilat janë këto arsye? Ju folët për mosorganizimi i partisë nuk është problem ndoshta i Dibrës?
Majlinda Bregu: Për këto arsye them që duhet të ulemi dhe të diskutojmë. Krimi dhe droga kanë qenë gjithnjë në zgjedhje në Shqipëri. Problemi është si t’u bëjmë ballë atyre. Na duhet një strategji. Në një mesazh në facebook,. Një i ri më shkruan se do të votojë vitin tjetër, po ashtu edhe vajza ime, por ka një dilemë. Ai më thotë që nuk sheh shpresë në këtë vend.
Sokol Balla: Thatë që jeni rikthyer në 2004 në PD dhe një nga kritikat këto ditë nga shtypi pranë opozitës, thotë që ky është defekti më i madh, që ju nuk keni kontribut. Ju dukeni sikur jeni të pamësuar nga mungesa e pushtetit?
Majlinda Bregu: Shqetësimi im është sesi PD të kthehet si forcë e parë politike në vend në 2017.
Sokol Balla: Mendoni që kjo do të ndodhë kështu siç janë kushtet sot?
Majlinda Bregu: Dua që kjo do të ndodhë.
Sokol Balla: Do t’i thoni vajzës tuaj dhe atij djalit që të votojë PD vitin tjetër?
Majlinda Bregu: Absolutisht po. Partia Demokratike erdhi në pushtet sepse bashkoi demokratët dhe nisi të shohë nga vetvetja. Kam frikë sepse çështjet që shqetësojnë shqiptarët, nuk po adresohen siç duhet nga ne. Marrim rastin e maturantëve, a u thamë neve atyre sesi dilet nga kjo situatë? Kam dëgjuar plot, por nuk ka një diskutim.
Sokol Balla: Ju thoni që problemi që ka PD është identifikimi apo dhënia e zgjedhjeve?
Majlinda Bregu: Të dyja bashkë. Përsa kohë kemi një krah që bën sulme ndaj qeverisë, pjesa tjetër është ajo që duhet të zhvillojmë dhe duhet të jetë pjesë e një debati tonë të brendshëm që si të bindim shqiptarët që ne jemi alternativa më e mirë në këtë vend. Ne duhet të punojmë që të mbërrijmë me strategji të qartë në 2017. Duhet të punojmë për identitetin e PD. E kam nisur që në verë kur flitej për variantet me qeverinë teknike. E thashë atëherë përse Edi Rama dhe Ilir Meta të ndahen nga njëri-tjetri, sepse kanë ndarë sinorët e pushtetit? A mund të vijë PD me forcën që po mban Ramën në pushtet?
Sokol Balla: LSI ju mbajti ju 4 vjet ministre…
Majlinda Bregu: Po dhe është pjesa që akuzohemi më shumë për korrupsion.
Sokol Balla: Mund të ndodhë që në një qeveri e mundshme nesër PD-LSI nuk ju gjen ministre…
Majlinda Bregu: Kjo nuk ka asnjë lidhje me mua, po flas për një frymë dhe model për të bashkuar dhe dhënë shpresë demokratëve.
Sokol Balla: Ju keni deklaruar se keni votuar Sokol Olldashin, i ndjeri ka qenë kundër aleancës me LSI dhe e ktheu këtë në platformën e tij në fushatën për kryetar të partisë. Përse nuk e votuat atëherë Lulzim Bashën?
Majlinda Bregu: E kam votuar sepse mendoja që ishte figura më e mirë për të zëvendësuar Berishën dhe me Sokolin kemi ndarë të njëjtën frymë që ishte ajo për të forcuar dhe patur një PD sa më të fortë. E kam votuar sepse kam menduar se do të ishte një kryetar shumë i mirë. Nuk kam mundësi sot që të jap provën e kësaj që them, po të ishte gjallë do të ishte prova. Por ajo që po ndodh sot, fatkeqësisht përveç humbjes së një miku është edhe një minus shumë i madh i PD.
Sokol Balla: Ju thoni që vota juaj provohet sot nga gabimet e Lulzim Bashës?
Majlinda Bregu: Besoj që kam bërë një zgjedhje të duhur për frymën që Olldashi. Asnjëri nga ne, përfshirë edhe të ndjerin në asnjë moment nuk do të bëhej shkopinj nën rrota për liderin e PD. Unë di që ka patur një frymë dhe një model Olldashi, që sot e kanë demokratët e thjeshtë. Lulzim Basha është kryetari i PD sot…
Sokol Balla: Ju sapo thatë që PD ka qenë më mirë me Sali Berishën…
Majlinda Bregu: Sali Berisha është modeli i politikanit luftëtar. Sërish është ai që ka mbushur boshllëkun e opozitës në këto tre vite. Nuk e kisha pritur që shumë prej nesh nuk do të kishim identitetin. Sali Berisha është personi që ka mbështetur zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye.
Sokol Balla: Ju thoni që Sali Berisha është historia e PD, por që tashmë duhet t’i përkasë të shkuartës dhe ju të flisni për një lidership të ri?
Majlinda Bregu: Sali Berisha tha që kur Basha u bë kryetar tha që mbështes liderin e ri të PD. Historia e PD nuk mbaron dhe nuk mbyllet me Sali Berishën. Sali Berisha nuk do të ngulte këmbë që historia e PD të ngelte tek historia e Sali Berishës. Duhet të shohim se përse shqiptarët nuk na votojnë. Mund të kishim fituar edhe zgjedhjet e 2015, sepse kjo qeveri i ka dhënë shumë shpejt shenjat e degradimit të saj.
Sokol Balla: Përse e përjashtoni LSI?
Majlinda Bregu: Është e pozicionuar në mes të spektrit politik dhe është në të drejtën e Metës për të kërkuar dhe vendosur aleanca të reja. Unë besoj se ne me akuzat që kemi ngritur gjatë gjithë kësaj kohe…dhe nuk na jep pikë me kartën e luftës kundër korrupsionit, krimit dhe mashtrimti, një aleancë me Metën. Ky është mendimi im. Aleanca që PD duhet të ndërtojë, duhet të jetë sa më e gjerë me qytetarët. Nuk ka parti politike, sado të përdorin blerjen e votës, ara me kanabis, nuk ka parti që t’i kundërvihet një revolte popullore. Besoj që PD, që ka patur forcën për ta bërë këtë, ka absolutisht mundësinë për t’u rikthyer në 2017, si partia që duhet t’i ndryshojë faqen këtij vendi, por duhet që fillimisht të shohim nga vetja.
Sokol Balla: Ka shumë që nuk ju shikojnë fare në zgjedhjet e 2017. Kjo ekziston si tezë dhe mundësi. Thatë që keni hyrë në PD nga dera dhe nuk do lejosh që të dalësh nga dritarja? Çfarë do të bëni nëse nuk do të jeni pjesë në listën e deputetëve në 2017, ju dhe një grup i rëndësishëm tjetër?
Majlinda Bregu: As që dua ta mendoj dhe rëndoj Lulzim Bashën që kjo po bëhet se një pjesë e jona nuk do të jetë në PD. Secili ka të drejtë të zgjedhë kandidatët e vet. Unë do të bëj të njëjtën gjë, të forcojmë PD. A ka kjo hapa realë? Eduard Selami hodhi në mbledhjen e grupit një ide për thirrjen e Këshillit Kombëtar. Unë po e çoj më tutje, një nismë që në bazë të statutit që me 1/4 e votave të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, të thirret një mbledhje. A është një rrugë për të konsumuar debatin tonë? Është një rrugë shumë e mirë dhe nuk ka arsye përse mos të shohim njëri-tjetrin në sy.
Sokol Balla: Ju e mbeshtesni tezën se me këtë qeveri nuk shkohet në zgjedhje dhe se duhet të ketë një qeveri tjetër?
Majlinda Bregu: Janë dy elementë që duhet të jenë bazë për zgjedhjet e 2017, një është zbatimi i dekriminalizimit dhe e dyta zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe mbledhja e komisionit të reformës zgjedhore, ku për hir të së vërtetës vetëm PD ka paraqitur propozime.
Sokol Balla: Nuk i druheni reagimeve të kësaj që thatë? Ju thatë që do të nisni një aksion politik për mbledhjen e 1/4, që mund të interpretohet si aksion kundër Bashës?
Majlinda Bregu: Aksion politik se po respektohet neni i statutit? Këtë mund ta mbajë Partia Socialiste. PD është ngritur me respektin dhe mendimin e lirë dhe nuk shoh asnjë pengesë. Është çështje diskutimi. Të gjithë kemi nevojë që të dëgjojmë strategjinë, profilin, idetë që partia do të përcjellë në zgjedhjet e 2017. Nëse çështje të sulmit të drejtpërdrejtë të kundërshtarit na sjellin vota, duhet parë sepse u pa çfarë rezultati na dha.
Sokol Balla: A është e vërtetë se kishte dhe deputetë të tjerë që do ta votonin reformën në drejtësi, jashtë vullnetit të partisë, një numër nga 10 deri në 14?
Majlinda Bregu: Nuk e kam deklaruar as unë që do ta votoj reformën në drejtësi pavarësisht qëndrimit të PD. Por isha e bindur që PD do të dilte kundër vetes së vet pasi ne kemi qenë të parët që e kemi kërkuar këtë reformë. Ne nuk kishim arsye pse ne t’i kundërviheshim. Kur diskutoheshin problematikat e draftit, unë kam menduar se PD nuk duhet të merrte asnjë kosto të pamerituar.
Sokol Balla: Qëndrimi që mbajti PD i dha asaj një kosto kundrejt ndërkombëtarëve?
Majlinda Bregu: Mund ta kishim trajtuar çështjen që të mos kishin ardhur ato deklarata të pashoqe nga ndërkombëtarët. Ne të parët nuk jemi të vendosur për të zgjidhur këto probleme madhore dhe duhet patjetër ndërhyrja e ndërkombëtarëve.
Sokol Balla: Nuk i druheni një interpetimi se mënyra si flisni sot, duket sikur flisni më keq për Lulzim Bashën se Edi Ramën?
Majlinda Bregu: Nuk flas keq as për Bashën dhe nuk më intereson të flas keq për Edi Ramën. Kritikat dhe qëndrimet janë publike. Unë kam qenë personi më i goditur kur Edi Rama ishte në opozitë. Kanë kërkuar që të jepja dorëheqjen sepse isha e lidhur me një organizatë mafioze.
Sokol Balla: Kampi kundërshtar mund t’ju mirëpriste në radhët e tij?
Majlinda Bregu: Të siguroj që më shumë dëm po i bën Ben Blushi qeverisë sesa ne. Por nuk është kjo situata në Partinë Demokratike. Armiku mund të lëvizë me diversonin sa të dojë. Nëse prisni që unë të kaloj me sistemin e sharjeve, kot prisni. Sokol Olldashi thoshte që kemi një problem që tani nuk mund të flasim kot më kot se na janë rritur fëmijët.
Sokol Bala: Keni besim tek lidershipi i Lulzim Bashës në zgjedhjet e 2017?
Majlinda Bregu: PD mund të fitojë zgjedhjet nëse nis urgjent riogranizimin e strukturave, zgjedhjen e tyre, përfshirjen e grupit në vendimet politike të degëve. Ka nevojë urgjente për rishikim, ribashkim dhe për të rritur PD edhe me ata që kanë dhënë kontribute. Fryma e Re Demokratike mund të jetë edhe në aleancë me PD, pse jo për t’u rishkrirë me të dhe unë nuk di vend më të mirë për t’u diskutuar se Këshilli Kombëtar i PD.
Sokol Balla: Nëse kjo mbledhje ju refuzohet, nëse nuk jeni në listën e deputetëve, do të jeni në PD? Do mbështesni Lulzim Bashën?
Majlinda Bregu: Këto janë raste hipotetike. Ajo që duhet të ndodhë është që PD duhet të ketë një listë shumë të mirë. Të ishte për mua duhet të kemi një sistem mazhoritar, sidomos në këtë kohë kur besimi tek politika ka rënë.
Sokol Balla: Nuk e përjashtoni mundësinë që pas 2017 të nisni një jetë krejt tjetër?
Majlinda Bregu: I druhem faktit që PD të mos fitojë në 2017.
Sokol Balla: Keni qenë gjithmonë e sulmuar, më shumë se ju mund të jenë sulmuar vetëm dy persona, Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Një pyetje që lidhet edhe me background-in si ish-ministre, do të ketë një datë për hapjen e negociatave këtë vit?
Majlinda Bregu: Kam patur dy takime shumë të mira. Kam një informacion të çuditshëm se cçarë ndodh. Jam takuar me Josez Daul dhe Komisionerin Hahn. Tek të dy kam kërkuar mbështetjen për anëtarësimin në BE. Kjo mund të tingëllojë paradoksale dhe duke e krahasuar me ato ditët e djeshme, kur opozita e asaj kohe mundohej të na bllokonte në çdo hap. Besoj se kjo i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve për të patur vëzhgim më të madh të ndërkombëtarëve që Shqipëria të mos jetë nesër diktaturë demokratike. Shqipëria dhe shqiptarët ja vlen të mbështeten se janë populli me besnik për integrimin dhe për pozicionin paqedashës në rajon dhe që gjithmonë e kanë drejtuar këtë proces para politikës. Shpresoj që Komisioni të ketë një propozim, por jam e bindur që nuk do të vijë pa kushte që kanë të bëjnë me zbatimin e reformës në drejtësi.
Marrë me shkurtime nga Top Story
/ Top Channel