Ambasada amerikane në Tiranë ka shpërndarë për mediat një njoftim urgjent, në të cilin thuhet se ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështje Europiane dhe të Euroazisë, Victoria Nuland i ka telefonuar udhëheqësit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha për të nxitur përparim lidhur me përpjekjen për reformën në drejtësi.
“Ndihmës-Sekretarja Nuland theksoi se udhëheqësit e partive politike duhet ta përdorin takimin e 6 qershorit midis zotit Basha dhe kryeministrit Rama për të rënë dakord për miratimin e shpejtë të një pakete reforme kuptimplotë dhe tërësore në drejtësi.
Nuland theksoi se kjo reformë gëzon mbështetje të mirë mes popullit shqiptar dhe mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.