Nga Arben Llalla
Pas shumë presionesh nga SHBA dhe BE, Kuvendi i Shqipërisë me shtrëngim të fortë votoi përfundimisht ligjin dhe nënligjet për pastrimin në rradhë të parë të Kuvendit nga deputetët që kanë patur një të shkruar kriminale, që janë pasuruar tej mase në rrugë joligjore nga tregtia e drogës, prostitucionit, cigareve dhe vrasjeve. Ligji duket se mund të gjejë zbatim, por shumica e shqiptarëve nuk besojnë se administrata shtetërore do të pastrohet aq lehtë nga kriminelët, të cilët gjenden me bollëk në aparatin shtetëror. Për mendimin tim ky ligj i përfolur aq shumë prej disa kohësh ka defektet e veta si fjala vjen ligji nuk ndalon që kryetar partie të jetë një ish-kriminel, përdhunues, kontrabandues i lëndëve narkotike, cigareve apo mashtrues duke dëmtuar qytetarët.
Pra, ai krimineli apo narkomani që ne pretendojmë se me këtë ligj nuk mund të jetë përfaqësues i votës apo punonjës në administratën shtetërore, mundet të drejtojë një parti, mundet të caktojë se kush do jetë kryeministër, ministër, deputet. Për shembull nëse kemi një kryetar partie një ish-të burgosur për vepra të rënda penale si do e ndalojmë? Ky është një shqetësim për t’u patur frikë, sepse ligji i dekriminalizimit që sapo do të fillojë të funksionojnë nuk e parashikon një ndalesë të tillë. Dihet që të paktën një kryetar partie, i cili i përket koalicionit të pozitës është dënuar për vepra të rënda. Atëherë për çfarë ligji çirren politikanët dhe mediat se Kuvendi ka miratuar dhe do gjejë zbatim?
Për fatin e keq mediat në Shqipëri vazhdojnë ende t’u lënë hapësirë njerëzve që dikur janë dënuar për vepra të rënda penale. Shumë prej këtyre keqbërësve i shohim në rolin e këshilluesit të ndershëm, por e shkuara e tyre në të vërtetë është e errët. Kjo është aq tragjike dhe qesharake, kur sheh se si një ish-i burgosur për vepra të rënda jep këshilla për qytetari të denjë e të respektuar. Unë nuk do të pranojë asnjëherë që një njeri i dënuar për tentativë për përdhunim, për nxitje të urrejtjes etnike dhe fetare të jetë në krye të një partie apo ta shohin 2-3 herë në javë nëpër ekranet televizive duke dhënë këshilla juridike dhe administrative.