Nga Xhuljo Ferzaj
Nuk e kisha parë asnjëherë më parë në bibliotekë, Me siguri është një dashamirëse e librit, përderisa ka ardhur në bibliotekë.
Qëndroi për disa minuta para rafteve, ku ishin vendosur librat e historisë, u mendua disa minuta për të zgjedhur librin, ndoshta pati menduar se cilin do lexonte, ndaj po mundohej një çik.
Pas 10 minutave kërkim, zgjodhi njërin prej librave të historisë, ulet në karrige më pas hoqi çantën me nxitim dhe e vendosi sipër tryezës. Me shpejtësi hapi faqen e parë të librit. Aty po vështronte, por nuk gjeti asgjë interesante, shfletoi me radhë deri sa arriti në mes të librit, ndoshta faqja numër 100, diçka e tillë.
As faqen që zgjodhi nuk po e lexonte, por papritur nxori nga çanta Iphone-in e nisi të shkrepte foto. Një lexuese moderne mendova, ndoshta lexon më vonë librin, fundja disa foto po bën, të gjithëve na pëlqejnë fotot.
Nuk ndodhi kështu, ajo vazhdoi të shkrepte 5,10, 50 foto me radhë, asnjëra nuk po e bindte, kështu vazhdoi të bënte disa të tjera.
Në atë moment ishte ajo, celulari, biblioteka dhe libri që përdorej si dekor zbukurimi, ose për të përcjellë mesazhin që ajo lexonte libra, por me siguri nëse e pyesje për dy tituj ose emra autorësh a mund t’i dinte vallë?
Nuk jam i sigurtë, shpresoj që po…
Nuk u kënaq, kështu vendosi të nxirrte nga çanta pudrën, buzëkuqin dhe një rimel, për pasqyrë nuk kishte nevojë se përdorte celularin, u rregullua disa minuta dhe nisi sërish të bënte foto, madje duke buzëqeshur shtirej sikur lexonte, biles për këtë fotografoi dy faqe të librit të historisë dhe kopertinën.
Të gjitha fotot i postoi në facebook dhe instagram, shikonte sa like merrte, mundësisht i numëronte.
Buzëqeshte sa për foto e më pas nuk dihej, ku ishte buzëqeshja.
Një orë bëri veç foto, as që shqetësohej për zhurmën e shkrepjes së tyre, as për blicin që ndriçonte.
A e dini pse u largua nga biblioteka?!
I kishte mbaruar bateria e celularit, kjo ishte arsyeja.
Librin e historisë e la sipër tavolinës, aty të hapur e pa lexuar asnjë fjalë a rresht. Kjo është gjëja më e tmerrshme për një libër.
Ata u shkruan për t’u lexuar, as për t’u shfletuar e jo të përdoren për foto e të lihen sipër tavolinës.
Kur ti dole nga biblioteka libri të tha “Ti nuk je lexuese”.
P.S. Meqenëse ishte një libër historie, i shkruar për Aleksandrin e Madh, m’u kujtua një histori e shkurtër para se të ndërtohej biblioteka e Aleksandrisë. Aleksandri dërgoi tregtarë në çdo vend të botës për të blerë libra nga të gjitha kombet, ndërtoi bibliotekën më të madhe.