Nga Klodian Tomorri
Ekonomia e Eurozonës po ngadalëson me ritme të shpejta duke rrëzuar të gjitha pritshmëritë e Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar.
Po vijnë kohë të vështira prapë.
Gjasat janë që rritja ekonomike në bllokun e Euros të ketë rënë nga 3.5 për qind në fund të vitit të kaluar në 1.5 për qind në muajt e parë të këtij viti dhe më tej akoma në 1.2 për qind në Prill. Të gjitha ekonomitë po bien me radhë njëra pas tjetrës. Gjermania, Franca, Spanja.
Ngadalësimi i shpejtë i Eurozonës i ka kapur të gjithë të papërgatitur. Deri tani Banka Qendrore Europiane ka mbajtur skenarin se rimëkëmbja ekonomike e zonës së Euros do të vazhdojë të jetë e fortë edhe gjatë vitit 2018, ashtu si vitin e kaluar.
Por të dhënat e fundit mbi shitjet, prodhimin industrial dhe treguesit e ndjesisë nëpër tregjet e BE-së sugjerojnë se aktiviteti ekonomik ka pësuar një ngadalësim të fortë.
Ky është lajm shumë i keq për Shqipërinë.
Studimet empirike tregojnë se për çdo 1 për qind rritje ekonomike në Eurozonë, Shqipëria përfiton 0.5 për qind rritje ekonomike shtesë.
Nëse Eurozona rritet me 4 për qind, rritja jonë ekonomike vetëm si pasojë e kësaj shtohet me 2 për qind. Kur Eurozona ngadalëson nga 4 për qind në 1 për qind, rritja ekonomike e shqipërisë humbet 1.5 për qind.
Në raportin e fundit për ekonominë shqiptare, Banka Botërore listoi ngadalësimin e Eurozonës si riskun më të madh. Edhe FMN po ashtu liston ngadalësimin e Eurozonës si riskun më të madh të ekonomisë.
Shpresa e vetme është që ngadalësimi i Eurozonës në muajt e fundit të jetë i përkohshëm dhe aktiviteti ekonomik të fitojë terren gjatë muajve në vijim.
Ndaj është ende shpejt për të thënë se makthi ynë më i keq ka filluar të vërtetohet. Por sirenat e alarmit kanë filluar të bien.