Të gjitha detajet e debatit në grupit parlamentar të PD-së për nenin 25 të Reformës në Drejtësi dhe praninë e ambasadorëve
Ish-ministrat e PD-së i kërkojnë kryetarit Lulzim Basha një tjetër çasje për reformën në drejtësi. Burime nga PD i thanë 27.al se ish-kryeministri Berisha, ka kërkuar që reforma zgjedhore dhe specifikisht votimi elektronik, të jetë kusht i opozitës për reformën në drejtësi. Berisha, por edhe deputetë të tjerë të PD-së, kanë kërkuar që me paketën e ndryshimeve kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi, të përfshihen edhe ndryshimet që rregullojnë reformën zgjedhore.
Astrit Patozi ishte i pari që shtroi për diskutim çështjen e votimit elektronik. Ai është shprehur se pa votimin elektronik, PD është e humbur. Patozi ka theksuar se reforma Zgjedhore është po aq e rëndësishme se ajo në drejtësi. Patozi ka theksuar që nëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të ketë votim elektronik, PD e ka të sigurt humbjen në këto zgjedhje. “Do ta shohim veten duke bërë analizën e humbjes…”, mësohet të ketë thënë Patozi, nëse nuk do të bëhet reforma zgjedhore.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ka pasur dy probleme të tjera, me të cilat Basha është përballur me deputetët. E para prania e ambasadorëve në mbledhjen e grupit dhe e dyta neni 25, i draft-reformës në drejtësi.
Debatet për nenin 25 të draftit të reformës në drejtësi
Ish-ministrat, Imami, Ruli, Bode i kanë kërkuar Bashës të jetë më i kujdesshëm me qëndrimet për reformën dhe i kanë kërkuar atij që të të mos luhet me nenin 25. Madje, ata i kanë kujtuar Bashës se edhe vetë ai duhet të jetë i interesuar për këtë nen. Neni 25 i projektit të miratuar sot në parim, për reformën në drejtësi parashikon përjashtimin e ish-ministrave nga gjykata speciale.
Pas miratimit në parim të draftit për reformën në drejtësi, në grupin parlamentar të PD ka pasur debate mes deputetëve.
Debate për praninë e ambasadorëve
Ndërkohë që deputetja demokrate Jozefina Topalli kishte një tjetër hall, atë të cënimit të sovranitetit, pasi prania e ambasadorëve të SHBA e BE-së e cënon sovranitetin e grupit parlamentar sipas saj.
Por, Basha është përgjigjur prerë se qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së janë të njëjta me ato të opozitës dhe në këtë mënyrë nuk preket aspak sovraniteti i PD-së.
Ambasadori i SHBA-së Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së Romana Vllahutin, do të marrin pjesë në mbledhjet e grupeve parlamentare të tri partive, PS,PD dhe LSI. Prania e tyre në këto forume ka për qëllim votën pro reformës në drejtësi.
Ndërkohë komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, miratoi në parim draftin final, me votat e shumicës dhe opozitës. Ndërkohë që ditët në vazhdim, pritet të miratohet nen për nen.