Rreth 450. 000 qytetarë të Kosovës votuan për ndryshim, kurse 2 qytetarë nuk po merren vesh për të nisur ndryshimin. Ti më jep mua Kryetarin e Kuvendit, unë të jap ty Presidentin, ti më jep mua Ministrinë e Punëve të Brendshme, unë të jap ty atë të Financave. A, jo, këtë nuk mundem.
Nga Berat Buzhala
Fillimisht katër orë takim. Pastaj dy orë takim. Pastaj asnjë orë takim. Pastaj intervista televizive nëpër media duke e akuzuar njëra palë palën tjetër që po e bllokon arritjen e marrëveshjes. Pastaj çdo gjë nga e para.
Kështu kaluan 3 muaj.
Dy partitë më të mëdha në vend, ato që me vite të tëra kërkuan zgjedhje në mënyrë që t’i fitonin ato, në mënyrë që ta qeverisin vendin si është më së miri, për ta shkapur atë nga klani Pronto, tash janë barrikaduar nëpër llogoret e tyre duke e drejtuar gishtin akuzues kundër njëra tjetrës, ose duke i akuzuar mediat se po spekulojnë.
E gjithë kjo sagë është gati e pabesueshme. Rreth 450. 000 qytetarë të Kosovës votuan për ndryshim, kurse 2 qytetarë nuk po merren vesh për të nisur ndryshimin. Ti më jep mua Kryetarin e Kuvendit, unë të jap ty Presidentin, ti më jep mua Ministrinë e Punëve të Brendshme, unë të jap ty atë të Financave. A, jo, këtë nuk mundem. Nëse nuk mundësh të më japësh këtë, atëherë as nuk mundem që të jap ty atë. Atëherë nëse është kështu puna, që ti nuk më jep mua këtë dhe unë nuk të jap ty atë, atyre 450.000 qytetarëve që na besuan ndryshimin ne po ua japim për momentin hamamin e Hyrës, ose të trashtë e surles.
Kjo nuk është skenë politike, kjo është thjesht një parodi politike. Është një shfaqje pa krip, një humor i zi, ku qytetarët janë edhe publiku, që kohë pas kohe qeshin me shfaqjen, por njëkohësisht janë edhe viktima.
“A po mirren bre vesh?”
“Kush ka faj?”
“Le të mbahen zgjedhjet, e ta shohim kush po fiton!”
“Qysh i tha ashtu ai?”
“Sa ministri i kish lypë LDK’ja? Gjashtë? Shumë bre, kurrë nuk ia kisha dhanë.”
“E qysh Vetëvendosja edhe Kryetarin e Kuvendit edhe Kryeministrin a? Kurrë e përjetë?”
Mirëpo për sa kohë që qytetarët dhezën kundër njëri tjetrit, kërkojnë zgjedhje, kërkojnë hakmarrje politike, i shajnë analistët dhe gazetarët, e shajnë Klanin Pronto, ky klani tjetër, ky më në krye Profën dhe Eruditin, këta që ishte e supozuar ta shpëtonin vendin, zhvillojnë takime të gjata, për t’u pajtuar në fund që të takohen prapë.
Në filmin Dy Papët, Kardinali Bergolio, ose tash Papa Francesku, në një bisedë që e zhvillon me Papa Benediktin, i thotë këtij të fundit “a e din ti që unë jam nga Argjentina? Ne të Argjentinës e kemi egon aq të lartë, sa mund të bëjmë vetëvrasje nëse hidhemi prej saj”.
Krejt cfarë kanë demonstruar Kurti e Mustafa është kjo, se e kanë egon aq të lartë, sa këta vërtet nëse do të hidheshin prej saj do të bëheshin copë e grima. Egoja e tyre është më e rëndësishme se sa marrëveshja, fisi i tyre politik, to kryesirëra dhe këshilëra të përgjithshëm që i kanë, për ta, janë më të rëndësishëm se sa besimi që ata e morën prej 450.000 votueseve.
Politika nëse asgjë tjetër nuk është, është kompromis. Palët ulën, bisedojnë, lëshojnë pe, e qetësojnë situatën, shikojnë mënyra të tjera, shikojnë kënde të tjera, e hapin perspektivën dhe bëjnë marrëveshje. Kurse këta sillen e pshtillën dhe rikthehen te kryetari i Kuvendit, te formulimi për Presidentin, te “ty t’i jap pesë, vetit ia jap pesë” ose “ty katër, vetit gjashtë”, pa pikën e vizionit, pa trohën e dhembshurisë dhe simpatisë për ato 450.000 vota të marra në emër të ndryshimit. Tek e fundit, nëse e dojnë ndryshimin aq shumë, nëse aq shumë kanë trumbetuar për qeverisje ndryshe, për qeverisje jopartizane, atëherë përse duhet që më patjetër pozita e ministrave të ndaheshin në këtë formë? Nëse kaq shumë e doni ndryshimin, përse nuk mirreni vesh për të kaluar në formula tjera jopartizane? Që Mustafa dhe Kurti të bëjnë një listë intelektualësh, ose teknokratësh jopartiak, në mënyrë që disa prej ministrive t’u jepeshin atyre? Të dyja palët janë pajtuar me programin qeverisës. Të dyja palët e kanë shumë të qartë se cfarë do të bëjnë me ekonominë, çfarë do të bëjnë me drejtësinë, çfarë do të bëjnë me shëndetësinë dhe arsimin. Nëse është kështu, atëherë personat që do t’i implementojnë këto politika duken të parëndësishëm sepse i rëndësishëm është projekti dhe implementimi i tij. Biles, nëse ministrat nuk do të ishin militant partiak, ata do të ishin shumë lehtë për t’u shkarkuar nëse do të devijonin prej parimeve qeverisëse. Madje do të ishte shumë më e lehtë edhe për Kurtin dhe Mustafën, ose Osmanin, që kohë pas kohe të ulëshin dhe t’i analizonin punët e kryera. Mirëpo jo, nuk duket që ekziston ky vullnet politik. Gatishmëria për kompromis është minimale, Palët janë të etura për fitore të plotë mbi njëra tjetrën. Ato dëshirojnë që në momentin që nënshkruhet marrëveshja, nëse ndonjëherë nënshkruhet, të dalin fitimtarë para militantëve partiak. Këta të fundit, përveç që janë karburanti kryesor politik në kohë zgjedhjesh, janë edhe pengesa më e madhe për partitë politike pas zgjedhjeve. Këta janë të udhëhequr nga impulset, e jo nga arsyeja. Për ta, secili që e ka të veshur një fanellë tjetër partiake punon kundër interesave të vendit, është armik politik dhe të njëjtin duhet nënshtruar me cdo kusht. Kjo është logjika që po dominon në dy taborët politika në tre muajt e fundit. Mjafton që t’i shohim reagimet e tyre në rrjete sociale.
“Ju jeni partia e Agim Veliut e Lutfi Haziri, ju jeni parti e SHIK-ut”.
“Ju jeni komunistë dhe të majtë ekstremë, ju jeni partia e Sali Zybës dhe Xhelal Sfeqles”.
“Hajde shkojmë në zgjedhje”.
“Po, hajde shkojmë në zgjedhje”.
Dhe cfarë do të bëhet nëse shkohet në zgjedhje?
“Nuk e dimë cfarë do të bëhet, por hajde le të shkojmë. Do ta shihni ju kush jemi ne”.
Në anën tjetër, derisa këto dy formacionale politike zihen me njëri tjetrin, luftojnë për interesa partiake dhe jo për interesa të përgjithshme, Kosova vazhdon t’i këtë të njëjtit ministra në krye të institucioneve. Kosova vazhdon të mbetët e izoluar nga bota, derisa një vend diktatorial si Bjellorusia merr liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.
Në një situatë të tillë, kur të dyja palët i kanë rrëfimet e tyre, është e pandershme të mbështetet njëri apo grupi tjetër. Ne thjesht dhe vetëm duam t’u besojmë fjalëve të tyre kur thoshin që do ta bëjnë qeverinë për 24 orë. Kur i kanë thënë këto fjalë, ne kemi menduar që Kurti e Mustafa e kanë pasur një ide a një koncept se si do të materializohet një skenar i tillë. Ne nuk e paskemi ditur që këta po flisnin gjepura, që po i mashtronin qytetarët sa për t’ua marrë votat, se, në fakt, këta kur është fjala për të arritur një kompromis për të mirën e përgjithshme nuk po dallokan shumë prej (oh çfarë fjale e dhimbshme) PAN-it.
Në muajin korrik Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Tash ne po shkojmë drejt pranverës duke vazhduar që ta kemi Haradinajn kryeministër të vendit, i cili është krejtësisht i pafajshëm për këtë kaos politik. Ai thjesht po e mban timonin e shtetit në dorë, duke e pritur Kurtin që t’ia dorëzojë. Ky i fundit jo vetëm që nuk po e merr, ani pse ka kohë që e kërkon, por as nuk po dëshiron ta marrë nominimin e partisë për ta dërguar atë deri në presidencë të Hashim Thaçi. Në vend të kësaj ai dhe partia po kërkojnë qime në vezë, nëse Thaçi ka të drejtë ta nominojë atë a nuk ka. Kjo është krejtësisht irrelevante. Është qesharakisht irrelevante. Kurti dhe LVV nuk munden pafundësisht t’i shmangën përgjegjësisë së tyre. Kjo lojë fëmijësh po e arrinë vetëm një efekt: po e bën Thaçin të duket lojtar konstruktiv.