Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

KPK konfirmon në detyrë kreun e Gjykatës Administrative, Kastriot Selita

Nga Ejona 0

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë kreun e Gjykatës Administrative, Kastriot Selita vetëm pak minuta më parë.

Në seancën dëgjimore që u zhvillua në KPK katër ditë më parë, u ngritën dyshime mbi vendimin e dhenë nga Selita në favor të Bledar Valikajt, bashkëshortit të deputetes së PS Ermonela Felaj.

Vendimi ishte lidhur me padinë e ngritur nga ky i fundit kundër Presidentit të Republikës dhe shqyrtimi i çështjeve ku palë ka qenë Drejtoria e Tatimeve ku punonte bashkëshortja e tij.

Konstatimet në KPK:

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të enjten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit u lexua po ashtu edhe denoncimi i një grupi gjyqtarësh anonimë të Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë, të cilët pretendonin për lidhje të mundshme të gjyqtarit Selita me një person të përfshirë në krimin e organizuar.

Por relatorja tha se pretendimet në denoncim nuk u vërtetuan, ndërsa Komisioni nuk evidentoi gjatë leximit të relacionit ndonjë problematikë lidhur me deklarimin e pasurisë së Selitës, megjithëse i kishte kaluar barrën e provës për disa prej pasurive.

Selita kundërshtoi dyshimet se kishte favorizuar Valikajn dhe u mbrojt me vendimin kontravers të KLP që i dha atij statusin e magjistratit. Ai e cilësoi denoncimin nga një grup anonim kolegësh si një “tentativë për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në proces” dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Trupa gjykuese e KPK për këtë çështje përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Kijlstra.

Në fillim të seancës dëgjimore, relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi u shpreh se KPK e kishte mbyllur hetimin për të tri kriteret për gjyqtarin Selita, por pas një informacioni sekret të mbërritur pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ishte rihapur sërish hetimi që është përfunduar më pas më datë 24 maj.

Selita ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor. Ai ka nisur punë në vitin 2001 në Durrës e më pas, në vitin 2002 është emëruar kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër. Në këtë post ka shërbyer deri në vitin 2010, kohë kur është transferuar si gjyqtar në Durrës. Pas dy vitesh ai është promovuar si kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit.

Çështja Valikaj dhe denoncimi

KPK bëri me dije se ndaj Selitës kishte 17 denoncime, por gjatë seancës u veçua denoncimi i kryer nga një grup gjyqtarësh anonimë, që pretendonin se gjyqtari Selita kishte vepruar në kundërshtim me legjislacionin në çështjen me palë paditëse Bledar Valikajn, bashkëshortin e deputetes socialiste Ermonela Felaj, dhe Presidentit të Republikës.

Bledar Valikaj ishte pjesë e një liste prej 9 kandidatësh që ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ia propozoi Presidentit Bujar Nishani për dekretim si prokurorë në nëntor 2015. Kërkesa për promovimin e Valikajt u rrëzua në heshtje nga Presidenti i Republikës, por ai e paditi Presidencën në Gjykatën Administrative, duke pretenduar se kishte plotësuar kriteret dhe kishte fituar konkursin për t’u emëruar prokuror në Kukës, duke e konsideruar të paligjshëm qëndrimin e Presidentit.

Pasi e fitoi gjyqin në të dyja shkallët e Gjykatës Administrative, Valikaj iu drejtua Këshillit të lartë të Prokurorisë me kërkesën për ekzekutimin e vendimit gjyqësor. KLP në një vendim kontravers për të cilin nuk u arrit shumicë, por u përdor vota e kryetarit si zhbllokuese, i dha atij statusin e magjistratit dhe më pas e emëroi prokuror.   Ndërkohë ende nuk është e qartë situata nëse Valikaj do t’i nënshtrohet ose jo procesit të rivlerësimit.

Relatorja Bekteshi tha se nga verifikimi i kësaj çështjeje duket sikur trupi gjykues pjesë e të cilit ishte Selita, ka luajtur rol aktiv në këtë process duke u favorizuar paditësin ndryshe nga sa parashikohet në ligj. Sipas Bekteshit, subjekti ka shpjeguar se është bazuar në vendimarrje në të drejtat kushtetuese. Ajo shtoi se gjyqtari Selita ka paraqitur si provë edhe vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të sipër përmendur dhe ka theksuar se ky institucion ka vendosur të mos kryejë rekurs.

Në fjalën e tij Selita tha se kishte vepruar në përputhje me ligjin. “Në lidhje me çështjen e Bledar Valikajt kemi vepruar në përputhje me ligjin dhe kushtetutën”, tha Selita. Ai la të kuptohej se ndryshimet ligjore bënin që veprimi të dukej me probleme, duke shtuar se në atë kohë ishte bërë kalimi procedurial i kopetencave nga Presidenti tek KLP dhe se gjykata nuk mund të mos e merrte parasysh padinë.

Duke u nisur nga i njëjti denocnim relatorja Brunilda Bekteshi deklaroi se figura e Selitës ishte verifikuar dy herë. Në raportin fillestar, sipas KPK, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, gjyqtari Kastriot Selita ka rezultuar i përshtatshëm për të vazhduar detyrën.

Por, në muajin shkurt ka mbërritur një denoncim anonim nga kolegët e tij, ku pretendohej se gjyqtari Selita kishte kontakte të papërshtatshme me një person të përfshirë në trafik narkotikësh dhe evazion fiskal.

Bekteshi u shpreh, se edhe pas verifikimeve të kryera nga Komisioni nuk u provuan pretendimet e denoncuesve anonimë. “Subjekti ka mohuar të ketë lidhje të tilla”, shtoi Bekteshi.

Gjatë deklarimeve që gjyqtari Selita dha në fund të seancës, ai u shpreh ndër të tjera se denoncimi i një grupi gjyqtarësh anonimë, është një tentativë për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në proces. “Kam zbatuar gjithmonë ligjin”, tha Selita, duke vënë në dukje që bëhej fjalë për denoncim anonim.

Ndërkohë Komisioni po ashtu bëri me dije se ka kryer hetime për gjendje të konfliktit të interesit nga ana e gjyqtarit Selita, duke qenë se në Gjykatën Administrative të Apelit janë shqyrtuar çështje me palë strukturat tatimore ku prej vitit 2006 është e punësuar bashkëshortja e tij, edhe si drejtuese.

Relatorja vuri në dukje se Komisioni kishte verifikuar 11 raste ku gjyqtari Selita mund të kishte vepruar në kushtet e konfliktit të interesit. Sipas relatores Bekteshi, subjekti ka deklaruar se në 6 raste nuk është tërhequr nga gjykimi, pasi bashkëshortja nuk ka qenë drejtuese e palës ndërgjygjëse në kohën e gjykimit dhe se nuk ka nxjerrë akte.

Por, KPK ka konstatuar se në një rast gjyqtari e ka dhënë dorëheqjen nga një çështje ku palë ndërgjyqëse ka qenë Drejtoria e Tatimeve, tetë muaj më vonë nga shortimi dhe sipas Bekteshit duket se Selita ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit.

Ndërkohë një tjetër denoncim ka shtyrë KPK të bëjë një verifikim të dosjeve, në të cilat sipas relatores u identifikuan dy vendime në të cilat nuk është mbajtur i njëjti qëndrim në analizën ligjore nga ana e subjektit.

Gjyqtari Selita kundërshtoi dyshimet për konflikt interesi. “Nuk ka asnjë rast që të çon tek dyshimet për konflikt interesi”, theksoi Selita. “Për marrëdhënien e punës tek tatimet e kam mbajtur gjithmonë parasysh këtë fakt. Në çdo rast e kam përjashtuar veten nga konflikti i interesit duke hequr dorë nga çështjet, kur gruaja ime ka qenë palë në gjykim”, tha ai.

Gjyqtari Selita u pyet, nga kryesuesi Komici, anëtari Hamitaj dhe vëzhguesi ndërkombëtar Hans Kijlstra se kur njiheshin gjyqtarët me aktet e dosjeve të shortuara. Selita sqaroi se për shkak të ngarkesës së madhe që kanë gjyqtarët e Gjykatës Administrative të Apelit, disa prej të cilëve janë duke shqyrtuar aktualisht çështje të fillimit të vitit 2016, ata njihen me vonesë me aktet, por tha se kjo nuk ndikon në konfliktin e interesit.

“E rëndësishme për konfliktin e interesit është të mos marrësh pjesë në gjykim. Nuk kemi të bëjmë me vonesë të heqjes dorë”, sqaroi Selita. Ai theksoi se ka kërkuar dorëheqjen 201 herë dhe kjo tregon se ka qenë gjithmonë i vëmendshëm lidhur me konfliktin e interesit.

Sipas KPK veç DSIK-së që e kishte cilësuar të përshtatshëm edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë e kishte vlerësuar pozitivisht Selitën sa i përket aspektit profesional.

Verifikimi i pasurisë

Sipas relatores Bekteshi, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, gjyqtari Selita ka kryer deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, s’ka mungesë burimesh financiare, nuk ka kryer deklarim të rremë apo fshehje të pasurisë e nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Bekteshi pohoi se KPK kreu një hetim të thelluar për pasuritë e pasqyruara në deklaratën vetting. Për apartamentin e blerë në vitin 2015 në vlerën e 177 370 eurove dhe për mobilimin në vlerën 21 354 euro,  ku subjekti ka pjesë takuese 50% të kësaj pasurie, gjyqtari Selita ka deklaruar disa burime krijimi.

Relatorja Bekteshi tha se ai ka deklaruar si burim krijimi; një kredi 85 mijë euro, të ardhura familjare në vitin 2015 dhe 110 mijë euro të bashkëshortes të përfituara prej saj nga shitja e një shtëpie ku ka pasur pjesë takuese para se të martohej. Nga hetimi i KPK ka rezultuar se banesa në fjalë, një shtëpi dy katëshe me truall, është shitur në vlerën e 220 mijë eurove.

Bekteshi pohoi se nga analiza financiare, ka rezultuar se Selita ka pasur mundësi për blerjen e apartamentit dhe arredimin e tij.  Sipas Bekteshit, nga hetimi është konkluduar se deklarimi i gjyqtarit për këtë pasuri, përputhet me hetimin administrativ të kryer.

Komisioni ka verifikuar edhe krijimin e pasurisë, banesë dykatëshe dhe truall, nga shitja e së cilës është krijuar një prej të ardhurave të përdorura për blerjen e apartamentit në vitin 2015. KPK ka gjetur se deklarimet e subjektit përputheshin me rezultatet e hetimit për këtë pasuri dhe se bashkëshortja e tij dhe familja e saj para se të lidhnin martesë kishin pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.

Komisioni konstatoi se edhe pse gjendeshin mospërputhje në deklarimet e të ardhurave të përfituara nga puna e bashkëshortes në sektorin privat, pasi ishte deklaruar paga minimale dhe pjesa tjetër ishte paguar në cash, nuk ka pasur probleme në krijimin e shumës së 110 mijë eurove që janë përdorur për blerjen e apartamentit.

Pasuri të tjera të deklaruara nga gjyqtari Selita kanë qenë shtesa e apartamentit me sipërfaqe 29.86 m2 blerë në vlerën e 46 mijë eurove dhe një garazhi me sipërfaqe 12.5 m2. Si burim për krijimin e këtyre pasurive, subjekti ka deklaruar vlerën 70 mijë euro të përfituar nga shitja e një apartamenti në Tiranë në pronësi të bashkëshortes.

Sipas Komisionit, bashkëshortja e Selitës e kishte blerë këtë apartament me sipërfaqe 115 m2 në vitin 2007 në vlerën e 47 mijë eurove. Bekteshi pohoi se deklarimi i subjektit përputhej me rezultatet e hetimit administrativ.

Komisoni ka verifikuar edhe një tjetër apartament me sipërfaqe 102 m2, i blerë nga bashkëshortja në vitin 2005 në vlerën e 30 mijë eurove është shitur në 2007-ën në shumën e 50 mijë eurove. Si burim të krijimit fillestar të kësaj pasurie janë deklaruar të ardhurat nga një kontratë sipërmarrje, një kredi dhe hua.

Bekteshi pohoi se subjekti ka deklaruar se kredia dhe huaja janë marrë në të njëtën kohë dhe se në thelb të krijimit të kësaj pasurie ka qenë kredia. Komisioni ka gjetur se likujdimi i vlerës së shitjes së aprtamentit në vitin 2007 është kryer me dy këste, i pari në vlerën 20 mijë euro për t’u parapaguar gjatë nënshkrimit të kontratës dhe pjesa tjetër kur të dorëzoheshin çelësat.

Sipas relatores Bekteshi, burimi i të ardhurave në vlerën 30 mijë euro nuk provohej, por subjekti ka paraqitur një deklaratë noteriale për pagesën e gjithë shumës prej 50 mijë eurosh. Me këto të ardhura, është porositur një apartament tjetër në Tiranë. Komisioni ka identifikuar disa mospërputhje të cilat subjekti i ka cilësuar si lapsuse të noteres, që janë pranuar edhe nga kjo e fundit.

Bekteshi identifikoi edhe një rast të blerjes së një apartamenti në vitin 2016, për të cilin ONM kishte shfaqur dyshime nëse bashkëshortja e subjektit mund të përfitonte nga falja tatimore. Relatorja tha se gjatë shpjegimeve subjekti e ka quajtur legjitime këtë gjë.

Komisioni ka konstatuar edhe blerjen e një apartamenti në Gjirin e Lalzit, në kompleksin “Lura” me sipërfaqe 235 m2 në vlerën e 82 mijë eurove dhe truall rreth 950 mijë lekë.

Për këtë apartament janë deklaruar si burim 35 mijë euro përfituara nga shitja e një tjetër apartamenti në Lezhë; 30 mijë euro kursime të bashkëshotes të krijuara para martese dhe të ardhurat e fituara prej saj nga ndarja e trungut; 5000 euro nga të ardhurat familjare; 8010 euro nga qiratë e aparatamentit; rreth 4000 euro të ardhura familjare dhe rreth 400 mijë lekë nga shitja e makinës së bashkëshortes.

Ndërsa për blerjen e truallit ka deklaruar si burim kursimet e tij gjatë viteve 2009-2013. Lidhur me të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit në Lezhë, komisioni i ka gjetur të rregullta deklarimet e subjektit dhe se është paguar tatimi i fitimit. Si burim të blerjes së apartamentit në Lezhë, subjekti ka deklaruar 2.9 milionë lekë të përfituara nga pjesa takuese e apartamentit që ka blerë në vitin 2003 së bashku me ish-bashkëshorten.

Ndërsa lidhur me konstatimin e komisionit për mospagesën e tatimit të fitimit për 30 mijë euro nga bashkëshortja prej shitjes së banesës dy katëshe para martesës, subjekti ka shpjeguar se ky transkasion nuk ka qenë dhuratë, por pjesa takuese dhe se është paguar njëherë tatimi në vitin 2008, kur ëshë kryer shitja.

Komisioni ka konstatuar se subjekti ka pasur burime të ligjshme për blerjen e një automjeti në vlerën e 10 mijë eurove në vitin 2009. Sipas Bekteshit, Selita ka deklaruar si burim të krijimit të kësaj pasurie 900 mijë lekë të përfituara nga vendimi i divorcit dhe 4000 euro dhuratë nga vëllai që jeton dhe punon në Itali. Dokumentet e dorëzuara për të ardhurat e vëllait në Itali kanë qenë bindëse sipas Komisionit, që ka konstatuar se ka pasur mundësi financiare për të kryer dhurimin.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej