Pak më parë deputetja e PD dhe kryetarja e Komisionit Hetimor për inceneratorët akuzoi anëtarët e tjerë të PD se bashkuan votat me Ramën kundër raportit përfundimtar. Nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur përgjigja e deputetit Belind Këlliçi, i cili ishte një nga anëtarët e komisionit. Përmes një postimi në Facebook, ai i kërkon Tabakut që të tërheq pas akuzat e saj, pasi ishte ajo që kishte nxjerrë përfundimin e raportit pa u konsultuar me ta dhe informacioni në raport ishte i cunguar. “Sapo jam njohur me deklaratën e koleges Jorida Tabaku mbi votën kundër të disa deputetëve demokratë për raportin e Komisionit Hetimor të Çështjes së Inceneratorëve. Ndjehem i keqardhur për qëndrimin e saj dhe e konsideroj dezinformim dhe dashakeqësi kundrejt qytetarëve dhe kolegëve opozitarë.
Javën e shkuar gjatë seancës plenare, na u servir një raport i cunguar, i mangët dhe i padakordësuar me anëtarët e tjerë të komisionit, ku bëj pjesë edhe unë. Kryetarja kishte detyrimin të informonte kolegët e komisionit në fjalë, përpara se raporti të hidhej në votë. Minimumi, anëtarëve të këtij komisioni i duhej marrë një mendim mbi raportin final. Për çështjen e inceneratorëve kam bërë publike dokumente autentikë, të cilët nuk u përfshinë fare në raportin e Zj. Tabaku”, shkruan ai.Ndërsa shprehet se, ai nuk ka marrë asnjë shpjegim mbi raportin para se të shprehi votën e tij.