Nga Shaban Murati
Përçarja më e madhe prej shumë shekujsh në botën ortodokse, që ndodhi me përplasjen midis Patriarkanës Ekumenike të Stambollit dhe Patriarkanës së Moskës për çeshtjen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Ukrainës, vuri në pozitë të vështirë të gjitha kishat lokale ortodokse nëpër botë. Nuk është e lehtë për të zgjedhur midis vendimit të Patriarkanës Botërore të Stambollit, që është qendra botërore e ortodoksisë dhe ka të drejtën dhe monopolin e njohjes dhe shpalljes së kishave autoqefale kombëtare, dhe nga ana tjetër qëndrimit refuzues dhe prerjes së marrëdhënieve me Fanarin nga Kisha Ortodokse e Rusisë, që është kisha më e madhe numerikisht dhe më e pasura. Në mënyrë të natyrshme kjo krizë ka një interes dhe implikime, që shkojnë përtej aspektit dhe marrëdhënieve fetare midis kishave nacionale.
Ndaj është mëse i ligjshëm edhe interesimi i opinionit publik mbarëshqiptar për qëndrimin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë në këtë çështje. Në datën 8 dhe 9 mars 2019 disa agjenci dhe portale të specializuara në shtete të ndryshme publikuan njoftimin se sinodi i shenjtë i Kishës ortodokse të Shqipërisë ka bërë të ditur qëndrimin zyrtar se nuk e njeh Kishën Ortodokse Autoqefale të Ukrainës. Portali rus “eadaily.com” në 8 mars nën titullin”Kisha Ortodokse e Shqipërisë e quan Kishën Ortodokse të Ukrainës përçarëse”, njofton se “hierarkët e Kishës Ortodokse të Shqipërisë nuk e njohin Kishën Ortodokse të Ukrainës”. Portali “orthchristian.com” shkruante në 8 mars se sinodi i shenjtë i Kishës Ortodokse Shqiptare e mori këtë vendim në4 janar 2019 dhe e shprehu këtë qëndrim në letrën drejtuar Patriarkut panbotëror të Stambollit, Bartolomeu, në 14 janar 2019. Në datën 4 janar 2019 Patriarku Bartolomeu u kishte dërguar një letër të gjitha kishave autoqefale që të përkrahnin vendimin e tij për njohjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Ukrainës. Në datën 5 janar 2019 Patriarku nënshkroi dekretin e pavarësisë së Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe në 6 janar 2019 i dorëzoi Tomosin apo dekretin e autoqefalisë primatit të Kishës Ortodokse të Ukrainës.
Nuk mund të të mos tërheqë vëmendjen shpejtësia e mbledhjes së sinodit të Kishës Ortodokse të Shqipërisë dhe vendimi i tyre në 4 janar për të mos njohur Kishën Ortodokse të Ukrainës. Sepse marrja e një vendimi të tillë nuk është e lehtë dhe kërkon konsideratën e shumë elementeve, faktorëve dhe interesave. Që nuk është e lehtë, e tregon edhe fakti se edhe Kisha Ortodokse e Serbisë, që është e instrumentalizuar nga Patriarkana e Rusisë dhe që kishte shprehur disa herë kundërshtimin ndaj qëllimit të Patriarkanës së Stambollit për t’i dhënë autoqefalinë Kishës Ortodokse të Ukrainës, e shpalli vendimin e saj zyrtar të mosnjohjes së Kishës Ortodokse Ukrainase në 28 shkurt 2019. Por se sa kujdes duhet treguar në marrjen e një vendimi për këtë çështje e tregon sjellja e Kishës Ortodokse të Greqisë, një nga kishat më të rëndësishme ortodokse në botë, e cila ende nuk e ka marrë vendimin e saj. Agjencia e Unionit të gazetarëve ortodoksë, “spzh.neës/en/”, njoftonte në datën 7 mars 2019 se anëtarët e sinodit të shenjtë të Kishës Ortodokse të Greqisë diskutuan problemin ukrainas në mbledhjet e posaçme të sinodit në datat 4-6 mars 2019 dhe nuk arritën dot në një vendim. Arkipeshkopi Jeronimos i Athinës deklaroi se diskutuan çështjen e Ukrainës, por nuk arritën në një përfundim.
Nxitimi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë për të shpallur menjëherë vendimin se nuk e njeh autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës, në një kohë që Kisha Ortodokse e Greqisë edhe pas tre muajsh të shpalljes së dekretit të Patriarkanës së Stambollit nuk ka arritur te një vendim, sipas mendimit të ekspertëve perëndimorë lidhet me marrëdhëniet e ngushta që Kisha Ortodokse e Shqipërisë ka krijuar me Kishën Ortodokse të Rusisë.
Zell i veçantë në mbështetjen e qëndrimit të Patriarkanës Ruse kundër autoqefalisë së Kishës Ukrainase demonstrohet në qëndrimet dhe veprimet e Kishës Ortodokse të Serbisë, e cila ka lidhje speciale fetare, politike dhe strategjike me Patriarkanën e Moskës. Në rastin e Kishës Ortodokse të Serbisë është e qartë se vendimi vjen nga ndikimi i madh dhe i drejtpërdrejtë, që Kisha Ortokokse Ruse ka mbi kishën ortodokse serbe. Por në rastine Kishës Ortodokse Serbe kemi dhe problemin e njëjtë, që ajo ka me politikën e saj hegjemoniste ndaj kishave ortodokse të disa shteteve, që kanë dalë nga ish-Jugosllavia. Kisha Ortodokse serbe nuk njeh as Kishën Ortodokse të Maqedonisë dhe as Kishën Ortodokse të Malit të Zi. Motivet dhe strategjia fetaro-politike janë të njëjta nga Rusia dhe nga Serbia. Njësoj siç kërkon kisha ruse të ruajë kontrollin dhe ndikimin e saj në kishat ortodokse të shteteve, që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, si Ukraina,Bjellorusia,etj. ashtu dhe kisha serbe kërkon të ruajë kontrollin dhe ndikimin e vet në kishat ortodokse të shteteve, që dolën nga ish-federata jugosllave, dhe refuzon të njohë pavarësinë e kishave kombëtare të këtyre shteteve. Kisha ortodokse e Maqedonisë dhe Kisha Ortodokse e Malit të Zi po bëjnë përçapjet e duhura pranë Patriarkanës së Stambollit, duke kërkuar që ashtu si në rastin e Kishës Ortodokse të Ukrainës, edhe atyre t’u njihet pavarësia dhe t’u akordohet Tomosi i autoqefalisë.
Sikundër shihet dhe pranohet nga ekspertët, përtej aspektit fetar çështja e autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Ukrainës ka një domethënie të lexueshme gjeopolitike dhe lidhet me strategjinë dhe politikën e Kremlinit që patriarkana e Moskës të ruajë influencën e Rusisë në hapësirat ish-sovjetike. Të njëjtën strategji ka edhe Beogradi që kisha ortodokse serbe të ruajë kontrollin dhe influencën serbe në hapësirat ish-jugosllave. Ndaj, qoftë kisha ortodokse ruse, qoftë kisha ortodokse serbe,kanë dalë me fanatizëm kundër së drejtës së çdo shteti të pavarur dhe çdo populli të pavarur që të ketë kishën e vet të pavarur dhe autoqefale, sepse edhe Moska edhe Beogradi synojnë të sundojnë popujt e tjerë shpirtërisht, ekonomikisht dhe fizikisht.
Implikimet kombëtare dhe gjeopolitike e bëjnë më të nevojshme vetëpërmbajtjen në marrjen e një qëndrimi në krizën aktuale në marrëdhëniet ndërortodokse. Kisha Ortodokse e Shqipërisë ka përpara zgjedhjen mes midis Rusisë dhe Ukrainës, por ylli polar duhet te jetë interesi strategjik i kombit shqiptar dhe i aleancave strategjike perëndimore të kombit shqiptar. Qeveria e SHBA nëpërmjet departamentit amerikan të shtetit,me një deklaratë zyrtare në 17 dhjetor 2018 me rastin e autoqefalisë i dërgoi urimet udhëheqësit të Kishës së re Ortodokse të Ukrainës, metropolitit Epifanij, duke e cilësuar një moment historik për Ukrainën.”SHBA shpreh një mbështetje të palëkundur për Ukrainën dhe respekton lirinë e lutjes të pandikuar nga ndërhyrja e jashtme. E drejta e lirisë së fesë shtrihet tek të gjithë ukrainasit për t’u bashkuar me Kishën e re Ortodokse”, thekson deklarata zyrtare amerikane. Qeveritë e Kanadasë, Gjeorgjisë,etj. gjithashtu përshëndetën zyrtarizimin e pavarësisë së Kishës Ortodokse të Ukrainës. Patriarku ortodoks i Jeruzalemit e ka mbështetur vendimin e Patriarkanës së Stambollit për autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës. Në 18 dhjetor 2018 sekretari i shtypit i Kishës Ortodokse të Ukrainës, arkipeshkopi Jevstratij, deklaroi se selia e shenjtë, Vatikani, e ka njohur kishën e bashkuar të Ukrainës.
E drejta fetare dhe kombëtare sugjeron që i duhet dhënë prioritet të drejtës së çdo kishe kombëtare të çdo shteti dhe populli të pavarur që të kenë autoqefalinë e tyre. Nga ana tjetër, akti i shpalljes së pavarësisë së Kishës Ortodokse të Ukrainë së shtëtagër kanonik dhe përgjegjësi supreme dhe ekskluzive e Patriarkanës botërore ekumenike të Stambollit dhe jo e kishave lokale siç është kisha ruse, pavarësisht numrit të madh të besimtarëve të saj. Siç deklaronte në 24 janar 2019 Nikolas Papachristou, drejtor i Zyrës së Shtypit të Patriarkanës greke të Stambollit:”Patriarkana e Fanarit ka të drejtën t’u japë autoqefalinë kishave lokale, kur nevojat specifike pastorale dhe kushtet kërkojnë një veprim të tillë. Në pesë shekujt e fundit Patriarkana e Fanarit u ka dhënë autoqefalinë shumë kishave lokale si kishës së Rusisë, Greqisë, Serbisë, Rumanisë, etj. Në të gjitha këto raste, përfshirë edhe më të fundit për kishën e Ukrainës, Patriarkana e Fanarit ka vepruar brenda kuadrit të detyrës dhe të përgjegjësisë së saj kanonike”.
Duke hyrë në një sintoni me Kishën Ortodokse Ruse dhe me Rusinë, shkelet me dashje apo pa dashje në një fushë të minuar për interesat shpirtërore dhe kombëtare të Shqipërisë. Kisha Ortodokse Ruse është një kishë politike ekspansioniste, instrument ndër kryesoret i strategjisë së Kremlinit për influencën ruse nëpër bote. Kisha ruse është karakterizuar nga një qëndrim konstant dhe të përhershëm thellësisht antishqiptar, si kundër pavarësisë së Kosovës, ashtu dhe kundër interesave jetike të kombit shqiptar. E njëjta gjë njihet botërisht edhe për kishën ortodokse serbe, e cila jo vetëm ka qenë dhe është kundër pavarësisë së Kosovës, por ka bekuar politikën kriminale të kriminelit ndërkombëtar Sllobodan Millosheviç dhe krimet e masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë. Kisha ortodokse ruse dhe kisha ortodokse serbe janë kisha politike antishqiptare, të angazhuara nga politikat hegjemoniste të Moskës në shkallë ndërkombëtare dhe në shkallë rajonale.
Në një vështrim të gjerë,interesi jetik dhe vizioni largpamës këshillojnë që Kisha Ortodokse e Shqipërisë të mbështesë dhe të njohë Kishën Autoqefale Ortodokse të Ukrainës. Që kur nisën procedurat e Patriarkanës së Stambollit për autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës në prill të vitit 2018, kam bërë thirrjen publike që ”do të ishte në respekt të parimeve, të moralit dhe të së drejtës së madhe, që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të mbështesë kërkesën për autoqefali të Kishës Ortodokse të Ukrainës”. Nuk është kurrë vonë për një rivlerësim.
Madje Kisha Ortodokse e Shqipërisë do t’i bënte një shërbim të madh interesave jetike afatgjata të kombit shqiptar duke njohur edhe të drejtën e Kishës Ortodokse të Maqedonisë dhe të Kishës Ortodokse të Malit të Zi për pavarësi.