Nga Frrok Çupi
Shkruesit e kronikës së zezë do të kishin përdorur fjalorin e policisë rrugore. Do të kishin shkruar se “makina humbi kontrollin dhe u përplas me shtyllën…”. Edhe në këtë rast, me makinë kemi të bëjmë; por me makinën shtetërore. Qeveria u përplas me kohën dhe po bie…
Ja si:
Kryeministri i Republikës, dje dhe pardje, u dorëzua; me të njëjtën deklaratë se “bëj çfarëdo që të thotë Partia Demokratike (në opozitë), kjo ta shkruajë, ta noterizojë te ndërkombëtarët, dhe unë e vulos”. Rënia, në këtë rast, është e dyfishtë: E para se kryetari i qeverisë ka ngritur duart dhe po i lutet opozitës: “më mba në pushtet!”. E dyta se ka deleguar pushtetin diku tjetër, jashtë të votuarëve, madje jashtë kufijve të vendit. Ka rënë qeveria dhe vetë shteti me kushtetutën e tij…
Individi tani ndodhet “nën hënë”. Sikur sot të vërshojnë lumenjtë ose të bien tërmete, njeriu nuk ka ku drejtohet: Qeveria nuk është, opozita nuk ka gjë në dorë, ndërkombëtarët ku janë dhe cilët janë…
Qeveria ka humbur shumicën parlamentare. Nesër në Kuvend nuk ka me vete as aleaten e vet. LSI ka deklaruar se nuk është me Partinë Socialiste në votimin e Reformës së Drejtësisë. Aleati kryesor, përmes Washington Post; ka deklaruar se kjo e rrëzon qeverinë…
Çfarë ndodhi?, ku u përplas makina shtetërore?…
“Makina” doli nga koha…
- Autokracia nuk është më në kohë.
Qeveria mori rrugën e autokracisë duke u nisur nga instinkte dhe ide primitive. Këta fshinë periudhën 25 vjeçare të zhvillimeve, krijuan “Rilindje” dhe e nisën aty ku e kishin lënë, diku nga viti 1985, kur vdiq idoli Hoxha. Ajo rrugë ishte mbyllur përjetësisht, gjë që nuk e panë. Iu zuri sytë nostalgjia, inati për humbjen në fillesat e demokracisë, si dhe ledhatimet që iu bënë nostalgjikët nëpër mitingje dhe te varrezat e dëshmorëve. Pak a shumë, kështu hynë në rrugën e autokracisë, por në pjesën më të keqe të saj; duke e nisur aty ku autokracia komuniste kishte rënë. Këta nuk u kujtuan për ekonominë dhe menduan se njeriu ushqehet me ajër autokratik, me burgosjen e tjetrit, me sharjen ndaj opozitës dhe me piktura nëpër zyra. Sigurisht, autokratë dhe autokraci ka sot nëpër botë; por jo kështu. Putin dhe Erdogan që janë afër nesh, autokracinë e ngritën krahas nacionalizmit, krahas fesë, krahas kapitalizmit shtetëror… Këta e ndërtuan autokratizmin pa këta elementë autokratikë të botës. Jashtë kohës edhe në arkitekturën e keqe. Këtu u përplasën dhe humbën popullaritet.
- Ideologjia e pushtetit.
Këtu u përplasen që ditën e parë të pushtetit, por u lajkatuan sikur po ua hidhnin të gjithëve. E vetmja kolonë që ndërtuan ishte ideologjia e pushtetit. Sulmuan opozitën dhe deklaruan se “të gjitha fajet” ua kishin ata që ikën. Premtuan, premtuan pa kufi. Ndërtuan fjalime pa fund dhe deklaruan se “askush tjetër nuk i mban dot këto fjalime”. (Erazmi i Roterdamit, që në Mesjetë pat deklaruar se Çmenduria magjeps me fjalime; më vonë askush nuk ka lavdëruar kështu). Një ditë dolën pa makinë në rrugë. Paguan dollarë kuislingë në mbrëmjet e Obamës. Pikturuan. Shanë nëpër mitingje si më i dhunshmi i fshatit. Shkuan në fusha të blerta dhe puthën qengja për foto, njësoj si në pamjet e Krishtit. Fëmijëve iu vunë emra partizanësh të Luftës së Dytë.
Shpenzuan pa fund për zyrat e qeverisë dhe i lanë në flori. Ekspozita pikture në botë dhe fushë basketbolli në zyrën e kryeministrit. Ambasadorët e Republikës i mahnitën me fjalimet e një piktori dhe të një përkthyeseje nevrastenike që është ministre. Të gjithë të tjerët ishin të marrë(!); madje edhe ata që shisnin fara në rrugë. E vetmja gjë që nuk kishte rëndësi, jeta e njeriut; kishte ky për të ngrënë apo jo, po binte ekonomia apo si!? Asgjë, veç ideologji pushteti.
Por kjo nuk është më në kohë; këtu ranë.
- Drogë dhe frikë.
Në Kolumbi sapo u nënshkrua marrëveshja e Paqes mes Qeverisë dhe FARC, një organizatë terroriste marksiste-leniniste që mbyti botën me drogë. Të paktën të kishin mësuar nga ky fakt; të kishin mësuar se nuk është më koha që një shtet të prodhojë drogë; aq më pak nën kujdestarinë e qeverisë. Por këta e bënë. Gjithë vendi është mbuluar në drogë. Droga transportohet drejt Perëndimit me avionë që nisen nga aerodromet e kontrolluara prej qeverisë. OKB publikoi një shifër, 340 milionë euro në vit nga prodhimi i drogës; por thonë se kaq pak prodhohet veç në Berat e Tepelenë. Kjo është pasuri kriminale. Drogën këta e konsideruan aleate. Ndoshta kanë menduar se mund të kishin njëkohësisht dy aleatë së bashku:
Drogën dhe Perëndimin!. Prandaj po thërrasin për “aleanca” me aleatët. Me këtë “aleancë” menduan të frikësojnë të gjithë. E para, të frikësojnë kundërshtarët duke iu dëshmuar se “do të jemi të përjetshëm duke blerë votat”. E dyta, kërcënuan qeveritë perëndimore duke i futur në thesin e “aleancave” me prodhues droge. E treta, popullin. Populli është i frikësuar, përderisa mijëra kanë lënë vendin dhe ndodhen në migrim…
- Dominimi i medias.
Parmbrëmë, afër mesnatës, në Nice të Francës ndodhi tragjedia më e madhe nën një akt terrori. Një kamion përbindësh hyri në festën e qytetarëve francez dhe vrau dhjetëra njerëz pa fund, fëmijë e jo fëmijë. O Zot, çfarë dhimbje në gjithë njerëzimin! Mediat e rruzullit na erdhën në shtëpi e trokitën “Ej, zgjohu!”. Veç ekranet shqiptare flinin. Jo flinin, por tregonin përralla me suksese qeverie dhe bashkie. Media është vënë në gjumë nga qeveria. Qeveria është padroni dhe kuzhinieri. Media nuk ka më nerv, as mend; të gjitha i ka në dorë qeveria dhe media e ka pranuar. Për të nuk ka lajm tjetër veç lajmit qeveritar. Edhe opinionin e bën qeveria. Kur nuk kishte lajme për tragjedinë botërore, vallë si mund të ketë lajme për tragjedinë e ditës këtu?!
Dominimi i medias bëhet me pak gjë: Me pak drogë, me një leje ndërtimi, me një shkelje syri, me një bërryl të kryeministrit: “Jepi këtij të medias 110 mijë euro!”. Kaq e thjeshtë… Gjithçka bëhet e thjeshtë kur qeveria e ul nivelin e jetesës deri në pikën zero. ku skllavin e shtyp me këmbë.
Tani nuk ka kush flet… as për të dëshmuar se ku u përplasën këta, as sa ç’dëshmon policia rrugore. Makina e këtyre doli nga koha.