Ditën e djeshme janë riatdhesuar 36 shtetas shqiptarë në Rinas, për shkak të refuzimit të azilit në vendet e BE.
Mësohet se shqiptarëve u riatdhesuan nga Franca dhe nga Belgjika.
Sakaq, këta individë akuzohen për shkelje të rregullave të lëvizjes në zonën Schengen.
Ndërkohë Policia e Shtetit i bën thirrje shqiptarëve të mos kërkojnë azil pasi shanset janë zero.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë operacionet e riatdhesimit të shtetasve që kanë kërkuar azil apo kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen
Riatdhesohen 36 shtetas shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë dhe Belgjikë.
Operacioni i radhës u zhvillua ditën e djeshme dhe ishte i organizuar nga Franca në bashkëpunim me Frontex-in, dhe me mbështetjen e eskortës së Policisë Kufitare shqiptare
Gjatë këtij operacioni janë riatdhesuar 36 shtetas shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së, apo u është refuzuar dhënia e azilit, nga këta: 31 nga Franca dhe 5 nga Belgjika.
Operacionet e riatdhesimit do të vijojnë edhe në javët e ardhshme.
Ndërkohë Policia Kufitare ka forcuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe ka shtuar patrullat në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero.