12 anëtarë të Gjykatës së Lartë që morën pjesë në shortin e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nuk plotësojnë një nga kriteret themelore të ligjit: pasjen e shkollës së magjistraturës.
“Shqiptarja.com” mëson se dy gjyqtarët që u përzgjodhën nga shorti, Mirela Fana si anëtare dhe Artan Zeneli si zëvendësues, nuk kanë shkollë magjistrature (pra nuk janë magjistratë), duke mos plotësuar kështu pikën 1/d të nenit 221 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Këtë nen ka përdorur si arsyetim kryeprokurori Adriatik Llalla për të kandiduar vetëm 3 prokurorë për KED, çka solli edhe debatin e ashpër me akuza e kundërakuza me ambasadorin e SHBA, Donald Lu.
Ligji
Ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenin 221 të tij, saktëson kushtet dhe kriteret për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit. “1. Mund të përfshihen në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm ata magjistratë dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, në momentin e organizimit të shortit, plotësojnë kushtet e mëposhtme: a) në kohën e hedhjes së shortit magjistrati e ka ushtruar funksionin për të paktën 10 vjet dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese për të paktën 1 vit; b) nuk ka një masë disiplinore në fuqi; c) nuk ka filluar një procedim disiplinor para kandidimit; ç) magjistrati ka përfunduar ciklin e plotë katër ose pesëvjeçar të studimeve në drejtësi; d) magjistrati ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës; dh) magjistrati është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etik dhe profesional; e) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; ë) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është dënuar më parë me sanksion administrativ për shkelje të rregullave ligjore në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave. 2. Kandidatët që nuk plotësojnë një nga këto kushte përjashtohen nga shorti”,thuhet në ligj.
Interpretimi
Duke ju referuar këtij neni të ligjit, kryeprokurori Adriatik Llalla ka dërguar për pjesëmarrje në short vetëm 3 kandidatura, për 3 vende të prenotuara për Prokurorinë. Shkresërisht, Llalla njofton Kuvendin se vetëm tre prokurorë: Rovena Gashi nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Gentian Trenova e Fatjona Memçaj nga zyrat e Prokurorisë pranë Gjykatave të Apelit plotësonin kriteret, pasi ishin me magjistraturë. Por Gjykata e Lartë nuk e ka interpretuar kështu ligjin në fjalë. Kështu duket, për sa kohë nga 15 anëtarë të gjykatës, 13 prej tyre kanë shprehur vullnetin për të qenë pjesë e shortit për KED. Në short nuk ka marrë pjesë gjyqtarja Evelina Qirjako dhe Majlinda Andrea (e cila është e pezulluar). 13 anëtarët e tjerë kanë kandiduar, nga të cilët vetëm një prej gjyqtarëve ka shkollën e magjistraturës. Ai është gjyqtari Shkëlzen Selimi, ndër më të rinjtë në moshë në këtë gjykatë. Anëtarët e Gjykatës së Lartë, bazuar në jetëshkrimet e tyre të bëra publike në faqen zyrtare të kësaj gjykate, kanë mbaruar sistemin e vjetër të shkollës së drejtësisë, por jo Shkollën e Magjistraturës. Ajo që krijon më shumë absurditet është fakti se në jetëshkrime, gjyqtarët shprehen se kanë qenë drejtues ose pedagogë të shkollës së magjistraturës. Nëse ligji duhet të zbatohet gërmë për gërmë siç është shkruar, këta gjyqtarë nuk mund të jenë pjesë e KEDsë, por nxënësit e tyre, po.
Kandidatët e zgjedhur
Sipas CV zyrtare në faqen e Gjykatës së Lartë, dy të zgjedhurit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi nga kjo gjykatë, nuk kanë mbaruar magjistraturën. Ndërkohë që Mirela Fana dha dorëheqjen pa ju nënshtruar vettingut, dhe ai që do ta zëvendësojë është Artan Zeneli. Ja çfarë shkruajnë gjyqtarët në CV e tyre zyrtare,
ARTAN ZENELI
Anëtari i Gjykatës së Lartë Z. Artan Zeneli ka lindur në Shkodër më 31 Tetor 1968. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Z. Zeneli është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë në vitin 1991. Gjatë periudhës 19911992 ka kryer detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Krujë. Më pas, deri në vitin 1999, ka qenë anëtar i
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjate kësaj periudhe ka ushtruar edhe detyrën e zv.kryetarit të kësaj gjykate. Z. Zeneli është larguar me dëshirën e tij për të ushtruar profesionin e lirë të Avokatit, prej vitit 1999 deri në vitin 2009. Gjatë kësaj periudhe ka qenë njëkohësisht dhe këshilltar ligjor për kompani shumë të njohura të tregut shqiptar. Ka qenë i zgjedhur për shumë vite në organet drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Dhomës së Avokatisë Tiranë. Gjithashtu, në vitet 20072009 ka ushtruar detyrën e Anëtarit të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve, zgjedhur nga Parlamenti Shqiptar. Në qershor të vitit 2009 rikthehet në detyrën e Gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka kryer dhe detyrën e Kryetarit të kësaj gjykate deri në korrik 2012. Gjatë karrierës së tij Z. Artan Zeneli ka marrë pjesë në konferenca dhe trajnime të ndryshme ndërkombëtare e kombëtare në fushën e së drejtës. Në vitet 19931998 ka qenë pedagog me kohë të pjesshme pranë Fakultetit të Drejtësisë, te Universitetit te Tiranes në lëndët “E Drejta Civile” dhe “Procedura Civile”. Me dekretin e Presidentit të Republikës Nr. 7250 datë 01.02.2012 është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë, miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në date 26.07.2012.
MIRELA FANA(GJYLAMETI)
Zj.Mirela Fana ka lindur në vitin 1966 në Tiranë. Është e martuar dhe ka dy fëmijë. Zj.Fana është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë në vitin 1988. Në vitin 2011 ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera Masterin e Nivelit të Dytë në Shkencat Juridike Civile, duke ju akorduar Medalie nga Fondi i Ekselencës. Në janar të vitit 2017 ka marrë gradën shkencore Doktor i Shkencave nga Departamenti i së Drejtës Civile, Fakulteti i Drejtësisë. Zj. Fana ka ushtruar detyrën e hetueses pranë Hetuesisë së Rrethit të Mirditës, në periudhën 19881991. Nga vitet 19911992 ka ushtruar detyrën e Ndihmës /Gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në periudhën 19921995 ka ushtruar detyrën e prokurores në seksionin gjyqësor në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga viti 1995 deri në 1996 ka ushtruar funksionin e inspektores në Drejtorinë e Ligjshmërisë pranë Gjykatës së Kasacionit Tiranë. Znj. Fana ka qenë Gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nga viti 1996 deri më date 23.04.2009. Po ashtu , nga viti 2013 e vazhdim është Pedagoge pranë Shkollës së Magjistraturës për lëndën “E Drejta Familjare”. Zj.Mirela Fana me dekretin nr.6133, date 14 prill 2009, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtare e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Neni 221
Kushtet dhe kriteret për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit dhe procedurat e përzgjedhjes
- Mund të përfshihen në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm ata magjistratë dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, në momentin e organizimit të shortit, plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- a) në kohën e hedhjes së shortit magjistrati e ka ushtruar funksionin për të paktën 10 vjet dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese për të paktën 1 vit;
- b) nuk ka një masë disiplinore në fuqi;
- c) nuk ka filluar një procedim disiplinor para kandidimit;
ç) magjistrati ka përfunduar ciklin e plotë katër ose pesëvjeçar të studimeve në drejtësi;
- d) magjistrati ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës;
- dh) magjistrati është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etik dhe profesional;
- e) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është dënuar më parë me sanksion administrativ për shkelje të rregullave ligjore në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave.
- Kandidatët që nuk plotësojnë një nga këto kushte përjashtohen nga shorti.